Dëgjesë Publike mbi hartimin e raportit të VSM-së, Bashkia Durrës

E hënë, 12 June 2017

Më datë 12.06.2017, në orën 12:00, pranë Bashkisë Durrës u zhvillua dëgjesa publike për prezantimin e raportit paraprak të Vlerësimit Strategjik Mjedisor në kuadër të Hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor.

Në takim ishin prezentë rreth 30 persona, përfaqësues të bashkisë, përfaqësues të studios konsulente për hartimin e planit, përfaqësues të AKPT-së dhe pjestarë të komunitetit.

Pikat ku u vendos më tepër rëndësia gjatë prezantimit të raportit paraprak të VSM-së ishin:

  1. Normativat dhe hapat që ndjek VSM-ja;
  2. Përmbajtja e raportit paraprak të VSM-së;
  3. Metodologjia: identifikimi i problemeve, studimi i aspekteve mjedisore, ku plani hartohet paralelisht, përcaktimi i parametrave mbi të cilat bëhet monitorimi;
  4. Vlerësimi i disa alternativave/skenarëve, të cilat ndihmojnë në evidentimin e efekteve të ndryshme të ndikimit në mjedis;
  5. Objektivat e mbrojtjes mjedisore të krahasuara me objektivat e planit vendor – rezultati është pozitiv;
  6. Vlerësimi i ndikimeve të rëndësishme dhe ndërhyrjeve kritike, mbrojtja e bregdetit dhe habitateve natyrore;
  7. Faza e monitorimit, përcaktimi i indikatorëve për secilin sektor.

Diskutimi i mbajtur pas prezantimit u përqëndrua në këto pika:

  1. Impakti negativ i Planit dhe si trajtohen ndërhyrjet negative në Raportin e VSM-së;
  2. Si përputhen objektivat e PPV-së me objektivat e VSM-së, për të cilat u tha se janë në të njëjtën linjë dhe vlerësimi i objektivave rezulton pozitiv;
  3. Sugjerimet e VSM-së në lidhje me turizmin dhe portin e qytetit të Durrësit, ku hartuesit shpjeguan se jane sugjeruar një sërë ndërhyrjesh për përmirësimin e erozionit, krijimin e Parkut Unazor Rajonal Kodrinor në mbrojtje të bregut;
  4. Spostimi i landfillit, ndarja e mbetjeve në burim dhe përcaktimi i vendeve për depozitimin e inerteve.

 

Në fund të takimit u tha se duhen qartësuar sugjerimet dhe konkluzionet e dala nga VSM-ja në lidhje me përmirësimin e cilësisë së ajrit, tokës, ujit dhe mbetjeve urbane. Hartuesit e VSM-së u shprehën se do të marrin parasysh të gjithë sugjerimet e dala nga takimi dhe do ti bëjnë pjesë të Raportit Përfundimtar të VSM-së.