Ngritja e Platformës së Monitorimit të zbatimit të planeve dhe zhvillimeve në territor
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit gjatë periudhës kohore 2013-2016 ka hartuar në bashkëpunim 3 planet e para kombëtare për planifikimin dhe zhvillimin e qendrueshëm të territorit shqiptar, Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës. Planet janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit me datë 14 Qershor 2016.
Njëkohësisht, viti 2014 ka shënuar fillimin e procesit të vendosjes së kontrollit mbi territorin edhe nëpërmjet hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, ku deri sot 44 bashki janë pajisur me PPV të miratuara ose janë në proces të hartimit të tyre, për territoret në administrim.
Pas finalizimit me sukses të procesit të hartimit të planeve kombëtare dhe një pjese të atyre vendore, është vlerësuar e nevojshme ngritja e një platforme monitorimi, e cila do të ndihmojë në realizimin e vizionit dhe objektivave të përcaktuar në plane, për një zhvillim të shpejtë dhe të balancuar të vendit, si edhe do të masë shkencërisht se si këto plane ndikojnë realisht në territor dhe shoqëri. Tashmë, prej muajit Janar të vitit 2017, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka nisur procesin e hartimit të një Metodologjie të detajuar për monitorimin e zbatimit të Planeve Kombëtare dhe Planeve Vendore. Kjo punë përveç hulumtimit shkencor në tavolinë, është shoqëruar edhe me aktivitete të tjera të domosdoshme për të arritur në një platformë monitorimi të qëndrueshme, realiste dhe të aplikueshme. Për këtë janë organizuar takime të shpeshta të grupit të punës me kolegë të AKPT-së dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, por edhe me përfaqësues të INSTAT-it si edhe me ekpertë të jashtëm kryesisht të profilit ekonomist. Grupi i punës në AKPT që punon me hartimin e Platformës së Monitorimit, mbështet nga një eksperte e ardhur nga Gjermania dhe me eksperiencë mbi dy dekada në planifikim. Gjithashtu, për të parë nga afër modele të ngjashme të platformave të monitorimit të zbatimit të planeve dhe të zhvillimeve në territor, grupi i punës në AKPT dhe MZHU kanë vizituar dhe marrë eksperiencën e Agjencisë së Planifikimit të Rajonit Berlin-Brandenburg, në Gjermani. Këto takime dhe konsultime kanë shërbyer për krijimin e modelit dhe detajimin e indikatorëve të monitorimit.
Termi “monitorim”, mund të interpretohet si proces "kontrolli" ose "vëzhgimi në vazhdimësi" dhe do të thotë mbledhje e vazhdueshme, vlerësim, interpretim dhe sigurim i të dhënave të përshtatshme, indikatorëve apo ngjarjeve si bazë për vendimmarrje në lidhje me planifikimin e territorit. Kërkesa kryesore në lidhje me zgjedhjen e treguesve është se ata duhet të jenë të qartë dhe të lehtë për t’u interpretuar, territorialisht të rëndësishëm, të zbatueshëm, të matshëm dhe të kenë kuptim nga pikëpamja analitike.
Duke u bazuar në dokumentin "Shqipëria 2030", referuar bazës ligjore “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, Ligji 107/2014 i ndryshuar, dokumentit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar për territorin dhe aktivitetit të AKPT-së për koordinimin dhe mbështetjen e pushtetit vendor për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, sugjerohet që Platforma e Monitorimit do të përbëhet nga këto instrumente:
- Seti i Indikatorëve (treguesve) kombëtarë;
- Matrica për zbatimin e projekteve strategjike kombëtare (burimi PPK);
- Matrica për zbatimin e projekteve strategjike vendore (burimi PPV).
AKPT ka nisur procesin e punës për hartimin e 3 instrumentave përbërës të procesit të monitorimit dhe së shpejti do të nisë përgatitjen e një testi monitorimi për një bashki të përzgjedhur, përpara se të dërgojë draftin e Platformës së Monitorimit për miratim në Këshillin e Ministrave.