BRIGAID/AKPT – Konferenca e Ndryshimeve Klimatike dhe Inovacionit në Bukuresht, pjesë e takimit periodik të projektit BRIGAID 13-14 qershor 2019
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit mori pjesë në Konferencën e Ndryshimeve Klimatike dhe Inovacionit, organizuar në Bukuresht të Rumanisë nga drejtuesit dhe partnerët e BRIGAID, në kuadër të takimit periodik të këtij projekti.
Aktiviteti dyditor ndërthuri raportimin e ecurisë së deritanishme të projektit, me një konferencë që e ndoqën akademikë, përfaqësues të sipërmarrjeve të vogla e të mesme, inovatorë dhe të dërguar të ministrive dhe agjencive shtetërore rumune.
Fondacioni hollandez Wetskills organizoi një konkurs me studentët, si grupi më aktiv i pjesëmarrësve, për zgjidhjen e problematikës së ndryshimeve klimatike. Fituese u zgjodh ideja më e argumentuar dhe me parashikime të strukturuara financiare.
Dita e dytë ofroi vizita në terren dhe vëzhgimi në praktikë i inovacioneve në “Flood Proof Romania”. Kjo është një zonë e krijuar së fundmi në Facau të Rumanisë, ku testohen projekte dhe inovacione të ndryshme, përfshirë edhe ato që lidhen me përmbytjet. “Flood Proof Romania” është investim i mbështetur nga projekti BRIGAID, Ambasada Hollandeze në Rumani dhe Banka Botërore; ndërkaq është shndërruar në treg inovacionesh dhe prototipesh në fushat e përmbytjeve, thatësirës dhe motit ekstrem.
Pjesëmarrja në takim dhe konferencë ishte interesante dhe frytdhënëse për të gjithë partnerët, pa harruar edhe disa detyra që dolën gjatë punës.
AKPT në muajit vijues do të angazhohet me organizimin e Takimit Periodik të Projektit BRIGAID në Tiranë, që do të zhvillohet më 24-25 tetor 2019.