Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Tryezë mbi zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore nëpërmjet Planeve të Detajuara Vendore

Në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, zbatimi i PPV-ve përfshin përgatitjen e Planeve të Detajuara Vendore dhe aplikimin e instrumenteve financiare për zhvillimin e tokës. 
Me datë 10, 11, 15 dhe 16 Maj, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me mbështetjen e projektit të USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore asistoi bashkitë e përfshira në procesin e hartimit të PDV-ve dhe instrumenteve financiare të zhvillimit të tokës duke i njohur me kërkesat ligjore, praktike dhe metodologjike për hartimin e Planeve të Detajuara Vendore, të bazës përkatëse të informacionit dhe të studimeve të fizibilitetit në mbështetje të tyre.

Me datë 10 dhe 11 qëllimi i tryezës ishte:

  • Të prezantojë kuadrin ligjor mbi hartimin e Planeve të Detajuara Vendore nga Bashkitë;
  • Të prezantojë shembuj dhe eksperienca të mëparshme të metodologjive të ndryshme të hartimit të PDV-ve;
  • Të prezantojë iniciativën e bashkive Elbasan dhe Fier, të cilat me mbështetjen e projektit të USAID, po hartojnë studime të fizibilitetit dhe ecurinë e procesit deri më tani.

Me datë 15 dhe 16 qëllimi i tryezës ishte:

  • Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit në lidhje me bazën ligjore, organizimin dhe rolet, e-platforma, e-harta, workflow dhe datamodeli i PDV-ve;
  • Metodologjia e mbledhjes së të dhënave dhe analizave të nevojshme për PDV duke u ndalur në Gjeoreferimin, konvertimin e të dhënave nga CAD në GIS, modelet për përllogaritjen e treguesve të zhvillimit, etj;

Pjesë e tryezës ishin përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, të projektit PLGP të USAID, si edhe specialistë të fushës së planifikimit dhe zhvillimit të territorit si edhe ekspertë GIS për 25 Bashkitë të cilat i kanë të miratuar dhe janë duke i zbatuar Planet e Përgjithshme Vendore. 

Takim pune me kolegët e 16 bashkive për Planet e Përgjithshme Vendore

Sapo kanë nisur përgatitjet konkrete për hartimin e PPV-ve të bashkive Fushë-Arrëz, Has, Bulqizë, Peqin, Roskovec, Patos, Mallakastër, Selenicë, Memaliaj, Tepelenë, Libohovë, Finiq, Delvinë, Pustec, Maliq, Devoll.

Tryeza e diskutimit të AKPT-së, mblodhi kësaj radhe përfaqësues të zyrave të planifikimit të këtyre bashkive, për t’i bërë një pasqyrë të procesit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, si edhe për të ndarë aspekte nga eksperiencat e mëparshme. Takimi i organizuar në formën e një sërë prezantimesh, vuri theksin në këto aspekte kryesore:

  • Legjislacioni në fushën e planifikimit;
  • Parimet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;
  • Aktorët përgjegjës në procesin e planifikimit dhe përgjegjësitë përkatëse;
  • Procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor;
  • Proceset e miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor dhe hyrja në fuqi e tij;
  • Problematikat e hasura në eksperiencat e mëparshme;
  • Përmirësimi i pjesëmarrjes së publikut në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes;
  • Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit dhe mënyra e funksionimit të tij;
  • Sistemi E-Planifikimi dhe Workflow i procesit të PPV-ve;
  • Gjeoportali dhe të dhënat hapësinore, mënyra e funksionimit të tij;
  • Datamodeli i PPV-ve.

16 bashkitë e reja, të cilat kanë lidhur Akt-Marrëveshjet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për financim për procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, janë në procesin e marrjes së Nismës, e cila i paraprin hartimit të dokumentit të PPV-së. Fillimi i  këtij procesi, shënon një mbulim 100% të territorit të Shqipërisë me Plane Vendore, sipas ndarjes Administrative-Territoriale.

KKT miraton Planet e Përgjithshme Vendore për bashkitë Vau Dejës, Klos dhe Kavajë

3 Plane të Përgjithshme Vendore, për bashkitë Vau Dejës, Klos dhe Kavajë janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, më datë 27 Prill 2018. Plani i Përgjithshëm Vendor për bashkinë Kavajë është mbështetur financiarisht nga Qeveria Shqiptare. Planet e Përgjithshme Vendore për bashkitë Vau Dejës dhe Klos janë mbështetur financiarisht nga qeveria e Zvicrës, nëpërmjet programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp).

Finalizimi i hartimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme për zhvillimin e qendrueshëm të territorit, shënon një numër prej 32 bashkish të cilat i kanë miratuar dokumentet e PPV-së në KKT, nga 44 PPV në total të cilat e kanë nisur këtë proces.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka ndjekur çdo hap të hartimit të PPV-ve, deri në miratimin e tyre, duke ofruar mbështetje teknike dhe duke koordinuar procesin me të gjithë palët e përfshira dhe grupet e interesit.

BRIGAID/AKPT – “Përmbytjet: Qytetet përballë iniciativës private”

Partneri shqipëtar i projektit BRIGAID, AKPT, në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Hollandës (TuDelft), në datat 26-30 Prill 2018 organizuan punëtorinë me temë “Përmbytjet: Qytetet përballë iniciativës private”.

Ky aktvitet realizuar me pjesëmarrjen dhe kontributin intensiv të 10 studentëve nga Hollanda dhe 10 studentëve të Shqipërisë, kishte në fokus një problemtikë të ndjeshme për bashkinë e Tiranës, PËRMBYTJET.

Aktiviteti u koordinua nga lektorë të TuDelft; studentët të ndarë në grupe inspektuan zona (Hot Spot) dhe morën në analizë elementët urbanë, infrastrukturorë, rrjetin e shërbimeve, etj.

Të gjithë këto elementë janë faktorë krijimi të një kolapsi shoqëror në situatat e përmbytjeve.

Studentët shpjeguan vizionin dhe kuptueshmërinë e tyre për mundësi ndërhyrje. Ky ishte vetëm fillimi i një procesi, i cili do të përfundojë me një thellim të mëtejshëm dhe raportim të detajuar mbi punëtorinë, gjetjet dhe propozimet për institucionet lokale e qendrore, por edhe për aktorët e tjerë, si vetë komuniteti, akademia apo biznesi.

Ky organizim me kryefjalën Sinergji dhe Bashkëpunim e cilësoi Shqipërinë dhe specifikisht Tiranën si një vend ku problematikat kthehen në potencial.

Faleminderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në këtë punëtori!