Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Lind Akademia e 100 Fshatrave

Nënshkruhen Memorandumet e Bashkëpunimit mes MBZHR, AKPT dhe Universiteteve

Në Sallën e Hartave në Kryeministri u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Programin “100 Fshatrat” ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe institucioneve publike dhe private të Arsimit të Lartë: Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomisë; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Universiteti Epoka, Fakulteti i Arkitekturës dhe i Inxhinierisë; Universiteti Polis, Fakulteti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Fakulteti i Planifikimit të Mjedisit dhe Menaxhimit Urban; Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale.

Fragment nga fjala e Kryeministrit:

Është një hap i rëndësishëm firmosja e një memorandumi bashkëpunimi me universitetet që u përmendën më parë, për të bërë të mundur krijimin e një rrjeti ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, ministrive dhe agjencive të përfshira në Programin e Rilindjes Rurale dhe pedagogëve dhe studentëve të këtyre universiteteve, që do të sjellin një fuqi të madhe dhe një vlerë të rëndësishme të shtuar në një proces, i cili ka domosdoshmërinë e të qenit i shpejtë, i thellë dhe i saktë.

Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Koordinatoren Kombëtare të Programit dhe Drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit për sforcon e tyre për t’i mbledhur bashkë këto gjëra. Ministria e Bujqësisë është Ministria lider në këtë proces. Tre ministritë e tjera janë pjesë e këtij procesi. E gjithë qeveria është e fokusuar në këtë proces.

Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të lartë të universiteteve, këtu të pranishëm, i bindur që sëbashku do të mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe mbi të gjitha, sëbashku do mund të japim një produkt, i cili do të jetë një vlerë e shtuar në ekonomi, një vlerë e shtuar në fuqizimin e kohezionit social në zona ku kohezioni social duket sot i pamundur dhe një vlerë e shtuar në hartën turistike të Shqipërisë. Kemi një hartë turistike të shfrytëzuar në bregdet, të shfrytëzuar në disa qytete me trashëgimi kulturore të fortë, të zhvilluar pjesërisht në pak pika të Shqipërisë malore, ndërkohë që kemi një hapësirë pafundësisht me potenciale të jashtëzakonshme dhe tërësisht të pashfrytëzuar në të gjithë pjesën tjetër.

Kam bindjen se sa më shumë të zgjerojmë hapësirën e shfrytëzuar të Shqipërisë turistike, aq më shumë do të kemi familje dhe komunitete që do të kuptojnë se në këtë vend nuk është pasuria, por është dija pengesa jonë kryesore. Nuk na mungon pasuria, na mungojnë rrugët e dijes. Kjo Akademi është një rrugë e re e dijes që iu vihet në dispozicion njerëzve e familjeve të zakonshme dhe do të ndihmojë shumëkënd të mësojë jo vetëm sesi të bëjë më mirë, më shpejt dhe më me sukses aplikimet për të marrë financime për prodhimin bujqësor e blegtoral, jo vetëm sesi të aplikojë për të transformuar shtëpinë në një bujtinë apo për të ndërtuar një agroturizëm, por mbi të gjitha sesi të shikojë të ardhmen aty ku është toka e prindërve”.

Takime konsultative me autoritetet vendore të planifikimit mbi Platformën e Monitorimit për zbatimin e Dokumenteve të Planifikimit të Territorit

Gjatë këtij muaji do të zhvillohen takimet konsultative me autoritetet vendore të planifikimit mbi Platformën e Monitorimit për zbatimin e Dokumenteve të Planifikimit të Territorit, të hartuar me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

Qëllimi kryesor i këtyre takimeve është konsultimi dhe ndarja e fazës aktuale të dokumentit me autoritetet vendore, si edhe diskutimi mbi limitet dhe mundësitë e kësaj Platforme për të përmbushur objektivat strategjikë të zhvillimit të qëndrueshëm. Rakordimi mes palëve pjesëmarrëse, mbi të dhënat që synohen të mblidhen nga kjo platformë, ka si objektiv final përmirësimin e punës së përditshmë të institucioneve tona në vendimmarrjet strategjike, orientimin e politikave mbështetëse nga qeverisja qendrore, eficiencën e vendimarrjeve në nivel vendor, orientimin e projekteve rajonale dhe më gjerë, mbështetur në të dhëna të qarta e të përditësuara rreth zhvillimeve në territor.

Takimet do të vijojnë si më poshtë:

  • Në datën 10 korrik do të zhvillohen takime me përfaqësues të bashkive nga qarku Shkodër, Lezhë, Kukës, Durrës, Tiranë, Dibër, si edhe përfaqësues nga AZHR 1 dhe AZHR 2
  • Në datën 12 korrik do të zhvillohen takime me përfaqësues të bashkive nga qarku Elbasan, Berat, Korçë, si dhe përfaqësues nga AZHR 3;
  • Në datën 17 korrik do të zhvillohen takime me përfaqësues të bashkive nga qarku Fier, Vlorë, Gjirokastër, si dhe përfaqësues nga AZHR 4;

KKT miraton Planet e Përgjithshme Vendore për bashkitë Pukë dhe Mirditë

2 Plane të Përgjithshme Vendore, për bashkitë Pukë dhe Mirditë janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, më datë 20 Qershor 2018. Procesi i hartimit të PPV-ve është mbështetur financiarisht nga Qeveria Shqiptare, asistuar teknikisht nga kompania konsultuese GAIA S.A. MELETON dhe kooordinuar dhe bashkërenduar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.

Finalizimi i hartimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme për zhvillimin e qendrueshëm të territorit, shënon një numër prej 34 bashkish të cilat i kanë miratuar dokumentet e PPV-së në KKT, nga 60 PPV në total të cilat e kanë nisur këtë proces.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka ndjekur çdo hap të hartimit të PPV-ve, deri në miratimin e tyre, duke ofruar mbështetje teknike dhe duke koordinuar procesin me të gjithë palët e përfshira dhe grupet e interesit.

BRIGAID/AKPT – THIRRJA E TRETË DHE E FUNDIT E PROJEKTIT BRIGAID PËR INOVACIONE

Keni ide të reja, të padëgjuara më parë?

Kërkimi juaj shkencor lidhet me kapërcimin e problematikave të shkaktuara nga katastrofat natyrore si, përmbytje, thatësirë, mot ekstrem?

Nëse po, Ju ftojmë të bëheni pjesë thirrjes së tretë dhe të fundit të projektit BRIGAID për inovacione!

Aplikimet mbyllen më 15 Gusht.

Mos e humbisni!

Partneri shqiptar i projektit BRIGAID, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, AKPT, fton të gjithë të interesuarit të behën pjesë e Thirrjes së Tretë dhe të Fundit të projektit për inovacione që i vijnë në ndihmë përshtatjeve klimaterike, lehtësimit të ndikimeve të përmbytjeve, thatësirës, apo ngjarjeve të tjera të motit ekstrem.

Prezantoni inovacionin tuaj në adresën:

brigaid.albania@planifikimi.gov.al

Përshkruani shkurtimisht inovacionin dhe interesin tuaj për testimin dhe përmirësimin e tij. Ekipi i projektit BRIGAID do t’ju kontaktojë për hapat pasardhës dhe do t’ju udhëzojë për të regjistruar idenë tuaj në platformën online të ndyshimeve klimatike:

www.climateinnovationwindows.eu 

Kriteret që duhet të përmbushë inovacioni:

  1. Të jetë një ide për të përballur përmbytjet, thatësirat dhe motin ekstrem;
  2. Idea të identifikohet 'me gatishmëri teknike' (TRL 4). Shpjegim: Ideja të ketë të zhvilluar prototipin dhe ai të jëtë i gatshëm për testim të mëtejshëm në laborator/terren.
  3. Të jetë një zgjidhje infrastrukturore, softuerike, ose e bazuar në natyrë.

Projekti BRIGAID ofron financim dhe mbështetje për testim dhe zhvillim të mëtejshëm për6 deri në 9 inovacione.

Ju inkurajojmë të aplikoni dhe të jeni pjesë e rrjetit të inovacionit për ndryshimet klimatike!