Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Akademia 100+ Fshatrat: Leksion i Hapur me Universitetin Bujqësor të Tiranës

Në datën 04 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit së bashku me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimeve, strukturë përbërëse e Universitetit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” dhe Akademisë 100+ Fshatrat, organizuan Leksionin e Hapur bazuar në dy prezantime:

  1. Udhëzime mbi Strukturimin e Modelit të Zhvillimit Rural - Prof. Remzi Keco
  2. Njohuritë e Bankës Gjenetike dhe Institutit - Prof. Fetah Elezi

Qëllimi kryesor i këtij Leksioni ishte nevoja për të furnizuar Grupet e Punës me më shumë informacion mbi produktet bimore autoktone, si edhe për të ndihmuar strukturimin e punës dhe informacionit të prodhuar në këto muaj akademi, në funksion të dorëzimit të modeleve të zhvillimit rural.

Në këtë Leksion të Hapur, ishin pjesëmarrës drejtuesit e grupeve të punës së Akademisë 100+ Fshatrat, profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, stafi i AKPT-së që koordinon Akademinë dhe Koordinatorja Kombëtare e Programit 100 Fshatrat.

Ky Leksion vendos një tjetër hallkë lidhëse në kuadër të bashkëveprimit ndërinstitucional dhe ndëlidhjes politikëbërës-akademi, për zhvillimin rural.

Akademia 100+ Fshatrat: Workshopi #3 i Adakemisë 100+ Fshatrat

Në datat 26 dhe 27 Nëntor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, organizoi workshopin #3, me pjesëmarrjen e 13 grupeve të punës nga 5 universitete partnere, përfaqësues të institucioneve publike pjesë e Programit 100 Fshatrat, akademikë nga Universitete të ndryshme si edhe ekspertë të kulturës, etnografisë, historisë, mjedisit, ekonomisë, turizmit, marketimit dhe bujqësisë e blegtorisë me produkte lokale, për të dhënë kontributin e tyre për modelet e zhvillimit të 100+ fshatrave.

Workshopi 2-ditor i Akademisë 100+ Fshatrat vjen në vijim të punës së nisur në muajin Gusht 2018 për hartimin e modeleve të zhvillimit të Fshatrave, në bashkëpunim të ngushtë me stafet akademike dhe studentore të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Polis, Universiteti Epoka, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Objektivi kryesor i këtij workshopi ishte prezantimi i modeleve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-propozimet konkrete, dhe po ashtu konsultimi tematik i tyre me të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Krahas prezantimeve, të cilat u transmetuan ‘live’ në kanalin Shqipëria2030/AKPT, u zhvilluan edhe diskutime, nëpërmjet të cilëve specialistë të fushave të ndryshme nga institucionet publike përkatëse dhe universitetet dhanë kontributin e tyre për Grupet e Punës.

Workshop #3 për 8 grupet e tjera të Akademisë 100+Fshatrat do të zhvillohet në datën 7 Dhjetor, pranë Universitetit Polis, ku grupet e punës së ngritura pranë këtij universiteti do të kenë një proces të ngjashëm prezantimesh dhe diskutimesh.

Akademia 100+ Fshatrat: Leksion i Hapur me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvard

 Në datën 21 Nëntor, Zyra e Koordinatores Kombëtare të Programit 100 Fshatrat dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, së bashku me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvard, organizuan një takim me temën: “Transformimi i një Ideje në Projekt: Një qasje Pragmatike dhe Sociologjike në Përgatitjen e Projekteve me Impakt Social”, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”.

Ky është një prej takimeve në seri që po zhvillohen me ekspertë të ndryshëm për t’i ardhur në ndihmë procesit të punës kërkimore dhe praktike të Grupeve të Akademisë 100+ Fshatrat.

Konkretisht, takimi me grupin e Harvardit në Tiranë, i cili u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi me shkëmbime të ndërsjellta, u fokusua në eksperiencën e punës kërkimore në terren, dhe në grup, si pjesë e procesit të transformimit të një ideje në një projekt konkret të financueshëm dhe realizueshëm.

Në këtë takim, ishin pjesëmarrës drejtuesit e grupeve të punës së Akademisë 100+ Fshatrat, stafi i AKPT-së që koordinon Akademinë dhe Koordinatorja Kombëtare e Programit 100 Fshatrat.

Planet e Përgjithshme Vendore: Tryeza e dytë mbi zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore nëpërmjet Planeve të Detajuara Vendore

Në datën 15 Nëntor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit së bashku me USAID, nëpërmjet projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore, organizuan tryezën e dytë mbi zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore nëpërmjet Planeve të Detajuara Vendore.

Qëllimi i kësaj tryezave ishte:

  • Prezantimi i shembujve dhe eksperiencave të mëparshme të hartimit të Planeve të Detajuara Vendore

  • Prezantimi i eksperiencave të disa prej bashkive që me mbështetjen e projektit të USAID po hartojnë e studimeve të mundshmërisë (feasibility).

  • Ofrimi i mundësive për pyetje dhe përgjigje mbi vështirësitë që bashkitë hasin në zbatimin e PPV nëpërmjet PDV

Morën pjesë në këtë tryezë përfaqësues të bashkive në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, të cilët në seksionin e dytë të tryezës zhvilluan edhe një seri diskutimesh me pyetje përgjigje.

Shoqërimi i PDV me studime mundshmërie është një avantazh i madh për bashkitë të cilat mund të shfrytëzojnë potencialet financiare të gjeneruara nga zhvillimi për zgjerimin e të ardhurave, përmirësimin e infrastrukturave e shërbimeve publike si dhe promovimin e zhvillimit ekonomik lokal.