Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Çelja e Garës me objekt “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki i ndarë në Lote

Për 7 bashkitë e reja, të cilat do të inicojnë procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore - Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Këlcyrë, Përmet dhe Kolonjë është çelur ditën e sotme gara e prokurimit publik me objekt “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki i ndarë në Lote”. Këto bashki do të mbështeten financiarisht nga Qeveria Shqiptare duke iu bashkëngjitur 26 bashkive të tjera, të cilat janë në proces finalizimi të hartimit të PPV-së.

Gara është bërë publike në faqen zyrtare të prokurimeve elektronike. 7 bashkitë janë të ndara në 3 Lote, respektivisht:

Lot 1: Bashkia Mirditë, Bashkia Pukë

Lot 2: Bashkia Gramsh, Bashkia Belsh

Lot 3: Bashkia Kolonjë, Bashkia Këlcyrë, Bashkia Përmet

me një fond limit në total prej 106,641,667 lekë pa tvsh.

Kohëzgjatja e kontratës, nga data e  lidhjes së  kontratës është 25 javë.

Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 23.02.2017, ora 11:00. Në këtë moment nis edhe procesi i hapjes së kërkesave për pjesëmarrje.

Termat e referencës, kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës, kriteret e kualifikimit, si edhe udhëzimet për operatorët ekonomikë gjenden në dokumentin e tenderit të aksesueshëm në faqen e prokurimeve elektronike dhe në këtë link.

Dokumentat e proçedurës Shërbim Konsulence për “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki, Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Kolonjë, Këlcyrë, Përmet”, i ndarë në Lote"

Shpallje për pozicione të lira pune në projektin BRIGAID

Njoftojmë se janë shpallur tre pozicione pune për ngritjen e njësisë së implemementimit të projektit “BRIGAID - BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience”, për 'Menaxher Projekti', 'Menaxher Finance' dhe 'Asistent Projekti'.

Termat e Referencës për secilin rol i gjeni në link:Njoftime Punësimi

Për të aplikuar në secilin pozicion nevojitet të nisen në adresën e institucionit apo në e-mail të institucionit dokumentat si më poshtë vijon:

  1. Letër për shprehje interesi;
  2. Curriculum Vitae – CV;
  3. Çertifikata apo kualifikime të mundshme.

Gjermeni takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës

Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete në fushën e planifikimit të territorit, në nivel kombëtar e vendor, strehimit, legalizimit dhe standardeve urbane.

Këtë qëndrim kanë ndarë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Ministrin në detyrë të Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës Ferat Shala,  gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit nënshkruar ndërmjet dy ministrive në 15 prill 2014.

Ministrat dhe delegacionet që i shoqëronin, ranë dakord mbi piketat e bashkëpunimit për vitin 2017, në fushat që dy ministritë mbulojnë.

“Produkti konkret do të jetë krijimi i një Plani Veprimi të përbashkët me qëllim zbatimin e projekteve ndërkufitare.

Sa i takon planifikimit hapësinor një angazhim i ndërmarrë sot për t’u realizuar përgjatë vitit 2017 është dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe procesit model që është ndërtuar tashmë në kuadër të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore. Angazhimi ynë që të rakordojmë një Plan Veprimi me projekte konkrete me qëllim zhvillimin e potencialeve të zonave ndërkufitare dhe integrimin e qasjeve të përbashkëta.

Strehimi është sektori që ka nevojë për më shumë intensitet në shkëmbimin e eksperiencave, veçanërisht për partneritetin  publik – privat, pas Strategjisë 10 vjeçare dhe draft-ligjit të ri të strehimit që ne kemi hartuar”, tha Ministrja Gjermeni gjatë konferencës për shtyp pas takimit.

Ministri Shala vlerësoi bashkëpunimin me Ministren Gjermeni dhe MZHU për realizimin e projekteve ndërkufitare, të unifikimin të euro kodeve etj.

“Po krijojmë një agjendë produktesh me afate të sakta kohore në disa sektorë, sidomos për legalizimin, çështje kjo që për ne në Kosovë kërkon një vëmendje të posaçme. Kemi gjetur frymë pozitive dhe jam optimist se shumë shpejt do të ndajmë me qytetarët fryte konkrete të bashkëpunimit”, deklaroi Ministri Shala.

Pala kosovare tregoi interes për tu mbështetur në eksperiencën e MZHU lidhur me sistemin on-line për lejet e ndërtimit që ka nisur të aplikohet me sukses në Shqipëri që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte aplikimi me projekte të përbashkëta në kuadër të Programit IPA II Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri –Kosovë 2014-2020.

Takimi  i parë i përbashkët me grupet e punës respektive, do të organizohet shumë shpejt në Prizren, në të cilin është parashikuar edhe një sesion informues gjatë javës së parë të shkurti nga Ministria e Integrimit Europian  dhe Delegacioni Europian.

Ministri i Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala dhe delegacioni që e shoqëron atë kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni

Qeveria financon Planet Vendore për 7 bashki

7 bashki: Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Përmet, Këlcyrë, dhe Kolonjë do të mbështeten financiarisht nga Qeveria  për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore gjatë vitit 2017.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë një takimi informues u bëri me dije kryetarëve të këtyre bashkive se, së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja mes MZHU (AKPT), bashkive dhe studiove që do të punojnë për hartimin e planeve.

“Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në bashkitë tuaja, të cilat do t’i bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit që kaloi.  Përvoja e vitit që kaloi me këto 26 bashki ka qenë sfiduese dhe me jo pak vështirësi. Disa prej tyre ende nuk i kanë miratuar këto plane në këshilla bashkiakë, ndërkohë që nuk duhet humbur më kohë. Në punën që ju do të nisni pas pak javësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe bashkëpunimi, veçanërisht sa i takon Drejtorive të Urbanistikës. Ajo çka nuk duhet të neglizhohet është respektimi i afateve, për të bërë të mundur që në këtë 1 vit t’i jepni bashkive tuaja planet e munguara prej 25 vitesh“, tha Ministrja gjatë takimit me kryebashkiakët.

Drejtuesit e 7 bashkive nënvizuan në fjalën e tyre se, mungesa e Planeve të Përgjithshme Vendore ka çuar në kufizim të investimeve dhe dështimin e shumë projekteve. Ata i cilësuan Planet Vendore që do të hartohen e miratohen këtë vit si instrumentin e duhur që i japin frymëmarrje investimeve dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qyteteve.

Një vit me parë, në janar 2016, MZHU, në emër të Qeverisë Shqiptare, firmosi marrëveshje me 26 bashki dhe studiove vendase dhe ndërkombëtare për hartimin e PPV, me një fond prej 560 mln lekësh.

Puna për këto plane pritet të finalizohet brenda muajit shkurt me miratimin e PPV në Këshillat Bashkiakë dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID për planet vendore., plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),do të japë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, konkretisht për: Malësinë e Madhe, Tropojën , Matin, Klosin dhe Vaun e Dejës.