Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Forumi “Zhvillimi i qëndrueshëm i Rajonit të lumit Vjosa”

Më datë 13 Tetor 2017, në qytetin e Përmetit u mblodh për herë të parë Forumi i parë mbi “Zhvillimin e qëndrueshëm të Rajonit të lumit Vjosë”, organizuar nga AlbKonfindustria në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Qëllimi i aktivitetit një-ditor ishte vlerësimi i zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të territorit, me theksin tek domosdoshmëria për të ruajtur njëkohësisht ekosistemin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të bashkive pjesë e rajonit të lumit Vjosa, të cilët prezantuan vlerat natyrore, mjedisore, kulturore dhe historike të lumit dhe përfitimet e bashkive nga prezenca e lumit, si edhe problematikat që ai përcjell.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit prezantoi misionin e saj për sigurimin e një procesi planifikimi të qëndrueshëm, nëpërmjet planeve kombëtare dhe planeve vendore, si edhe rëndësinë që ka përfshirja e komunitetit në këtë proces. Puna kërkimore “Metabolizmi i Shqipërisë” dhe Plani i Përgjithshëm Kombëtar, kanë të përfshira në dokumentet e tyre propozime mbi zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të lumit Vjosë dhe vizionin për shpalljen e luginës së lumit Vjosë Park Kombëtar.

Në takim prezantuan edhe organizata jo fitimprurëse duke vendosur theksin në rëndësinë që mbart slogani “Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë”, për zhvillimin e eko-turizmit, si edhe dëmet ekonomike dhe mjedisore që mund të vijnë nga ndërtimi veprave energjetike, pa kriter e masë.

Përfaqësues të qeverisjes qendrore u shprehën mbi vlerat ekologjike dhe kulturore të lumit dhe rajonit përreth tij, mbi përfitimet që mund të sjellë ndërtimi veprave energjetike, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë mjedisor e social, si edhe për efektet anësore negative që ato mund të shkaktohen prej tyre.

Në takim kishte pjesëmarrje të lartë edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile dhe të medias, të cilën kontribuan në diskutim duke e pasuruar atë me këndvështrime të ndryshme.

Në përfundim të prezantimeve dhe diskutimeve, iu la hapësirë platformës Atelier Albania, e përfaqësuar nga programi i Akademisë Verore 2017, për të prezantuar gjetjet dhe propozimet e nxjerra nga puna kërkimore 5-javore mbi “Zhvillimin e luginës së lumit Vjosë”.

Projekti BRIGAID [HORIZON2020], merr pjesë në seminarin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit

Projekti BRIGAID “BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience” pjesë e programit ‘Horizon2020’ të Komisionit Europian, u prezantua me datë 12.10.2017 në seminarin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) me tematikë:

Projektet, Programet e Bashkimit Europian dhe Pronësia Industriale”.

Në seminar ishin të pranishëm përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, përfaqësues të Bashkimit të Dhomës së Tregtise, të Ministrisë së Kultures, kompani private të cilat operojnë në zhvillim dhe kërkim shkencor, si dhe perfaqësues të universiteteve private.

Seminari kishte në fokus çështjen e Patentimit dhe të Drejtën e Autorit, për novacionet dhe produktet si rrjedhojë e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Projekti BRIGAID tërhoqi vemëndjen e pjesëmarrësve, duke evidentuar edhe një herë se kërkimi shkencor në fushën e novacionit në Shqipëri është tashmë një sfidë e cila sapo ka nisur rrugëtimin e tij dhe projekti BRIGAID me produktet e tij është mishërimi i plotë i kësaj sfide.

Interesi për projektin shkoi përtej kësaj, sikurse përfaqësuesit e panelit drejtues ashtu dhe të ftuarit treguan gatishmërinë dhe dëshirën për t’u përfshirë në projekt: si bashkëpunëtor, novatorë, mbështetës të një procesi krijimi dhe në ndihmë të zgjidhjeve ndaj problematikave natyrore.

Projekti BRIGAID - Ftesë për pjesëmarrje në Konferencën e 1-rë organizuar nga Lideri i projektit TuDelft

Konferenca e Parë e projektit BRIGAID organizohet në Venecia, Itali (Qyteti i bukur i ndërtuar mbi 100 ishuj të vegjël në Lagunën e detit Adriatik)

Ftojmë të gjithë të interesuarit të regjistrohen dhe të marrin pjesë, në veçanti ftesa i drejtohet Novatorëve të Klimës dhe Përdoruesve Fundorë.

Lideri i projektit BRIGAID “TuDelft” në datat 9 -10 Nëntor 2017 në Venecia, Itali  bashkon skajet më të rëndësishme të një tregu ideatorësh:

Krijuesit e Novacioneve dhe Përdoruesit Fundor të këtyre ideve.

Ju ftojmë të merrni pjesë!

Për më tepër informacion mbi programin dhe mënyrën e regjistrimit klikoni në link:

Programi i Konferencës_Venecia, Itali

Ngritja e Platformës së Monitorimit të zbatimit të planeve dhe zhvillimeve në territor

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit gjatë periudhës kohore 2013-2016 ka hartuar në bashkëpunim 3 planet e para kombëtare për planifikimin dhe zhvillimin e qendrueshëm të territorit shqiptar, Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës. Planet janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit me datë 14 Qershor 2016.

Njëkohësisht, viti 2014 ka shënuar fillimin e procesit të vendosjes së kontrollit mbi territorin edhe nëpërmjet hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, ku deri sot 44 bashki janë pajisur me PPV të miratuara ose janë në proces të hartimit të tyre, për territoret në administrim.

Pas finalizimit me sukses të procesit të hartimit të planeve kombëtare dhe një pjese të atyre vendore, është vlerësuar e nevojshme ngritja e një platforme monitorimi, e cila do të ndihmojë në realizimin e vizionit dhe objektivave të përcaktuar në plane, për një zhvillim të shpejtë dhe të balancuar të vendit, si edhe do të masë shkencërisht se si këto plane ndikojnë realisht në territor dhe shoqëri. Tashmë, prej muajit Janar të vitit 2017, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka nisur procesin e hartimit të një Metodologjie të detajuar për monitorimin e zbatimit të Planeve Kombëtare dhe Planeve Vendore. Kjo punë përveç hulumtimit shkencor në tavolinë, është shoqëruar edhe me aktivitete të tjera të domosdoshme për të arritur në një platformë monitorimi të qëndrueshme, realiste dhe të aplikueshme. Për këtë janë organizuar takime të shpeshta të grupit të punës me kolegë të AKPT-së dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, por edhe me përfaqësues të INSTAT-it si edhe me ekpertë të jashtëm kryesisht të profilit ekonomist. Grupi i punës në AKPT që punon me hartimin e Platformës së Monitorimit, mbështet nga një eksperte e ardhur nga Gjermania dhe me eksperiencë mbi dy dekada në planifikim. Gjithashtu, për të parë nga afër modele të ngjashme të platformave të monitorimit të zbatimit të planeve dhe të zhvillimeve në territor, grupi i punës në AKPT dhe MZHU kanë vizituar dhe marrë eksperiencën e Agjencisë së Planifikimit të Rajonit Berlin-Brandenburg, në Gjermani. Këto takime dhe konsultime kanë shërbyer për krijimin e modelit dhe detajimin e indikatorëve të monitorimit.

Termi “monitorim”, mund të interpretohet si  proces "kontrolli" ose "vëzhgimi në vazhdimësi" dhe do të thotë  mbledhje e vazhdueshme, vlerësim, interpretim dhe sigurim i të dhënave të përshtatshme, indikatorëve apo ngjarjeve si bazë për vendimmarrje në lidhje me planifikimin e territorit. Kërkesa kryesore në lidhje me zgjedhjen e treguesve është se ata duhet të jenë të qartë dhe të lehtë për t’u interpretuar, territorialisht të rëndësishëm, të zbatueshëm, të matshëm dhe të kenë kuptim nga pikëpamja analitike.

Duke u bazuar në dokumentin "Shqipëria 2030", referuar bazës ligjore “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, Ligji 107/2014 i ndryshuar, dokumentit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar për territorin dhe aktivitetit të AKPT-së për koordinimin dhe mbështetjen e pushtetit vendor për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, sugjerohet që Platforma e Monitorimit do të përbëhet nga këto instrumente:

  1. Seti i Indikatorëve (treguesve) kombëtarë;
  2. Matrica për zbatimin e projekteve strategjike kombëtare (burimi PPK);
  3. Matrica për zbatimin e projekteve strategjike vendore (burimi PPV).

AKPT ka nisur procesin e punës për hartimin e 3 instrumentave përbërës të procesit të monitorimit dhe së shpejti do të nisë përgatitjen e një testi monitorimi për një bashki të përzgjedhur, përpara se të dërgojë draftin e Platformës së Monitorimit për miratim në Këshillin e Ministrave.