Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Nis puna për Planet Vendore në Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Belsh

Katër bashki: Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Belsh, me financim të buxhetit të shtetit,  nisin punën për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, duke çuar në 44 nga 61, numrin e njësive vendore që do të kenë planet e tyre vendore brenda vitit 2017.  Në takimin e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministrja Eglantina Gjermeni kërkoi nga bashkitë angazhim maksimal përgjatë gjithë procesit të hartimit dhe miratimit të këtyre planeve.

“Gjatë punës për hartimin e PPV vitin e kaluar kemi pasur edhe eksperienca jo të mira nga ana e disa bashkive, të cilat nuk janë treguar korrekte me procesin. Ndaj, më lejoni të nënvizoj se angazhimi juaj dhe i stafeve tuaja është element kyç që prej fillimit të punë sot e deri ditën e miratimit në Këshillat Bashkiakë. Nga eksperienca e kaluar, kemi konstatuar se procesi ecën më shpejt dhe problematikat zgjidhen më thjeshtë kur stafi i zyrë së urbanistikës angazhohet në kohë të plotë dhe në mënyrë aktive gjatë hartimit të PPV-së, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me AKPT për cdo problematikë. Duhet patur parasysh që ky proces do të përfundojë brenda vitit 2017, dhe praktikisht ka vetëm 6-muaj kohë, sipas termave të references, për hartimin e instrumentit vendor. Kësisoj, kjo dikton nëvojën për angazhim maksimal të të gjitha palëve, kryesisht të Bashkisë, për ta përmbyllur këtë proces në kohë dhe me cilësi. dua të sjell në vëmendjen Tuaj që në të gjitha hapat e realizimit të këtyre dokumentave, duhet të zhvillohet një proces konsultimi i gjerë dhe sa më transparent me të gjithë grupet e interesit, jo vetëm sepse është një detyrim ligjor, por sepse është domosdoshmëri për të garantuar që këto dokumenta reflektojnë interesat/kërkesat e sa më shumë qytetarëve dhe grupeve të interesit”, tha mes të tjerash Ministrja në takimin ku ishin të pranishëm kryetarët e 4 bashkive si dhe studio fituese gjatë procesit të prokurimit.

Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU), si autoritet kombëtar i planifikimit të territorit, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), mbështet dhe bashkërendon procesin e hartimit të dokumentave të planifikimit vendor dhe zhvillimit të territorit, proces i cili në çdo rast do të udhëhiqet nga autoritetet e planifikimit në nivel vendor (bashkitë) referuar ligjit për “Organizmin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”. Kryetarët e bashkive kanë nënshkruar tashmë Akt-Marrëveshjen MZHU-BASHKI, ku kanë shprehur zyrtarisht angazhimin e tyre në këtë proces.

Ministrja Gjermeni siguroi se stafi i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, do të jenë gjithmonë shumë bashkëpunues me ju, për të garantuar hartimin, miratimin dhe zbatimin me sukses të Planeve të Përgjithshme Vendore për këto 4 bashki, edhe për 3 bashkitë e tjera të këtij viti (Përmet-Kolonjë-Këlcyrë), pasi të ketë përfunduar procedura e prokurimit edhe për këtë lot.

Gjatë  vitit 2016, Qeveria mbështeti financiarisht hartimin e PPV për 26 bashki. Nga këto 26 bashki janë miratuar 14-PPV (Kurbin,Krujë, Kukës, Divjakë,Gjirokastër,  Skrapar,  Poliçan,  Ura-Vajgurore, Cërrik, Librazhd, Korçë, Tiranë, Dibër, Prrenjas). Për Bashkitë Tiranë, Korçë dhe Divjak është bërë zbardhja e dokumentit dhe hedhja në Rregjistrin e Integruar të Territorit. Bashkia Shkodër është në proces miratimi të PPV-së në KKT, ndërsa për Plani Vendor i bashkisë Kavajë është në proces miratimi të PPV-së në Këshill Bashkiak. Sa i takon 10 bashkive të  tjera janë ende në procesin e marrjes së Aktit të Përpuethshmërisë nga AKPT (Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Lezhë, Durrës, Shijak, Vorë, Rrogozhinë, Pogradec). Gjatë vitit 2017, DLDP mbështet financiarisht dhe teknikisht planet vendore të bashkive: Malësi e Madhe, Tropojë, Vau i Dejës, Mat dhe Klos, puna për të cilat ka nisur prej muajsh.

AKPT organizon Takimin e Dytë i FBPQ-së për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për rajonin e Alpeve

Më datë 05 Korrik 2017, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka organizuar takimin e Dytë të Forumit për Bashkërendimin e Planifikimit në nivel Qendror (FBPQ)  për Planin Kombëtar Sektorial (PKS) në fushën e turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, ku ka ftuar disa autoritete planifikimi në nivel qendror dhe vendor, si dhe përfaqësues të FSHZH dhe GIZ Albanian, për të diskutuar përmbajtjen e këtij plani në proces hartimi.

Referuar VKM-së Nr. 671 datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, Neni 2 përcakton se:

Forumi për bashkërendimin e planifikimit” është një mekanizëm për të nxitur diskutimet strategjike të përfaqësuesve të autoritetit përgjegjës për hartimin e dokumentit të planifikimit, pushtetit vendor, pushtetit qendror dhe ekspertëve, për të arritur koordinimin e çështjeve të planifikimit për një zonë, njësi vendore, rajon apo territorin në përgjithësi. Forumi nuk është entitet vendimmarrës, miratues apo zgjidhës i konflikteve.

Në takim ishin të pranishëm rreth 50 përfaqësues nga AKPT,  IP3, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (porositësi), Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Urban, AdZM Shkodër, AdZM Kukës, Bashkia Vau Dejës, Bashkia Fushë-Arrëz, Bashkia Pukë, studiot konsulente të hartimit të PPV-së për Bashkitë Tropojë, Malësi e Madhe dhe Vau Dejës, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Qendra Alpe, GIZ,

Prezantimet e konsulentit hartues u fokusuan në:

  • Prezantimin e Planit të Zhvillimit dhe Rregulloren;
  • Raporti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor.

Forumi i ndarë në dy panele, ku të pranishmëve ju krijua mundësia të sugjeronin, komentonin mbi harta.

Sugjerimet dhe komentet u përqëndruan në këto pika kryesore:

  1. Skema të mundshmë restaurimi dhe menaxhimi lidhur me banesat ekzistuese;
  2. Funksioni dhe kopetencat e Bordit të Menaxhimit;
  3. Përputhja e objektivave dhe strategjisë së zhvillimit të Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për zonën e Alpeve me planet e përgjithshme vendore;
  4. Ndërlidhja e intenerareve të propozuara me njëra tjetrën dhe me vendet kufitare;
  5. Diskutim mbi projekte potenciale në segmentin e Vaut të Dejës, si në itinerar rrugor, ashtu edhe ujor, duke revitalizuar stacionet/molet ekzistuese në funksion të turistëve dhe vizitorëve.

Forumi u mbyll me një përmbledhje të takimit dhe çështjeve, që dolën si rezultat i diskutimeve, mbi bashkërendimin e mëtejshëm të institucioneve për informacionet e nevojshme në funksion të Planit Kombëtar të Alpeve.

Takim pune për prezantimin e ndryshimeve ligjore të Rregullores së Planifikimit, VKM-së Nr. 671, 29.07.2015

Më datë 29.06.2017, në orën 14:30, u zhvillua takimi i punës për prezantimin e ndryshimeve të propozuara ligjore nga AKPT, në lidhje me rishikimin e VKM-së Nr. 671 datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit”.

Në takim ishin të pranishëm disa aktorë, si përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bashkisë Tiranë, grupeve të punës hartuese të Planeve të Përgjithshme Vendore, ekspertë planifikimi dhe GIS.

Në takim u diskutuan;

  1. Ndryshimet në Kreun III / Seksioni 1 “Ndarja e Territorit për Qëllime Planifikimi; Përdorimi i Tokës dhe Ndarja e Territorit”: strukturimi dhe zonimi i territorit për qëllime planifikimi dhe zhvillimi, kategorizimi i përdorimit të tokës si dhe përdorimi i standardit të Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit në hartimin e dokumenteve të planifikimit;
  2. Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 7 “Plani i Përgjithshëm Vendor”: saktësim i strukturës së përmbajtjes së dokumenteve të PPV-së;
  3. Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 8 “Plani i Detajuar Vendor”: rastet për të cilat hartohet PDV-ja, autoritetet përgjegjëse për hartimin dhe miratimin e tij, procesi i hartimit të PDV-së dhe përmbajtja e dokumentit.

Ky është i pari në listën e takimeve të planifikuara për konsultimin e ndryshimeve ligjore të Rregullores së Planifikimit të Territorit.

THIRRJE PËR APLIKIM AASA '17

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka hapur thirrjen për aplikime në Akademinë Verore Atelier Albania '17 (AASA '17), e cila do të ketë në fokus Luginën e Vjosës.
Afati i pranimit: 5 Korrik, ora 23:59

AA Summer Academy '17

gusht 20 – shtator 24

--------------------------------

2 javë në Përmet

3 javë në Tiranë

--------------------------------

Çfarë është AASA?

Akademia Verore e Atelier Albania (AASA), nisi në vitin 2015 si një forum për të zbuluar mënyra të reja edukimi të planifikimit urban dhe për të përpunuar një qasje kritike për zhvillimin e turizmit. Qëllimi i AASA është të jetë pika lidhëse mes dy llojeve të njohurisë; njohuri teknike të planifikuesve urbanë (“njohuri e përpunuar”), dhe “njohuri personale,” bazuar në eksperiencën e banorëve vendas.* Këto njohuri të dy llojeve të ndryshme nuk kanë bazë hierarkike, por janë në thelb të ndryshme. Mbështetur nga dialogu në terren, AASA punon për përcaktimin e një platforme të përbashkët, ku qëllimet e shtetit për zhvillimin e turizmit mund të takohen me interesat e banorëve vendas, duke ilustruar skenarë të ndryshëm ku qëllimet konvergjojnë.

*John Friedmann “The Transactive Style of Planning,” 1973


Qëllimi i AASA ‘17

“Akademia Verore AA'17” zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe procesit të planifikimit vendor të Bashkive Këlcyrë, Kolonjë dhe Përmet. Qëllimi i këtij ushtrimi kërkimor, me fokus në Luginën e Vjosës, është të nxjerrë në pah projektet dhe aktivitetet që mund të zhvillohen në këtë luginë për të stimuluar rritjen e fluksit të vizitorëve, duke përdorur me kujdes, efikasitet dhe përgjegjshmëri potencialin që ofron natyra dhe kultura vendase.


Mënyra e aplikimit

Dërgo portfolio (format A4 , max. 10 fq., madhësia max. e dok. 5MB) dhe CV në adresën aasa@planifikimi.gov.al me titull “AASA '17: aplikim emër mbiemër”. Kandidatët e përzgjedhur do të intervistohen.

Kursi do të pranojë pesë studentë.


Afati i pranimit të aplikimeve është data 5 Korrik, ora 23:59 dhe ofertat e pranimit do të dërgohen jo më vonë se 26 Korrik.


Aftësitë e kërkuara

Eksperiencë në punë kërkimore dhe shkrim në shqip e anglisht, skicim, komunikim dhe marrje e kujdesshme e shënimeve. Puna do të zhvillohet në grup, ndaj aftësia për të diskutuar aktivisht me kolegët është domosdoshmëri.


Akomodimi në Përmet dhe udhëtimi do të mundësohen nga organizatorët. Studentët do të marrin dieta ditore për ditët jashtë Tirane. Produkti i kursit do të jetë një botim dygjuhësh.

Faleminderit!

Ju mirëpresim!

 AASA '17 Thirrje e Hapur

Termat e Referencës për studentët pjesëmarrës të AASA '17

AASA'17 Call Poster

Terms of Reference for participating studens