Pjesëmarrje në seminarin “Planifikimi hapësinor dhe i territorit në rajonin e Ballkanit perëndimor”
Më datë 14-15 Dhjetor 2017, organizohet seminari ndërkombëtar mbi “Planifikimin hapësinor dhe të territorit në rajonin e Ballkanit perëndimor”. Seminari do të mbahet në Torino, Itali dhe organizohet nga Universiteti Politeknik i Torinos.
Qëllimi i Seminarit është përfshirja në një diskutim të përbashkët i akademikëve, politikëbërësve dhe profesionistëve, mbi ndryshimet në sistemin e planifikimit hapësinor dhe territorial (TG&SPSs) të vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor. Diskutimi do të përqëndrohet në reflektimin e ngjashmërive dhe dallimeve gjatë evolimit të politikave të planifikimit, rolin e aktorëve ndërkombëtarë në formimin e politikave, dallimet në rolin e aktorëve kombëtarë në promovimin dhe zbatimin e këtyre politikave dhe identifikimin e sfidave kryesore hapësinore që karakterizojnë një territor.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të jetë pjesëmarrëse në Seminar me një prezantim, i cili do të kontribuojë në diskutim mbi procesin e zhvillimit dhe planifikimit hapësinor për territorin e Shqipërisë. Ky prezantim ka si qëllim përshkrimin e procesit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe disa planeve të tjera në nivel rajonal dhe vendor, i cili është dokumenti i parë planifikues në nivel kombëtar për territorin e Shqipërisë. Gjithashtu synohet përshkrimi i vazhdimit të procesit pas hartimit të PPK-së, duke propozuar një Platformë Kombëtare Monitorimi për zbatimin e direktivave të planit. Qëllimi është krijimi i një serie treguesish, të cilët do të shërbejnë për të matur shkallën e zbatimit të PPKT-së dhe dokumenteve të tjera të planifikimit, ç’ka njëkohësisht do të shërbejë për të kuptuar zhvillimet e shoqërisë në territor dhe vetë territorit, duke ndihmuar kështu politikëbërësit në punën e tyre për hartimin e politikave, vendimmarrjen në përgjithësi dhe atë të lidhur me buxhetimin dhe fondet publike.