Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Akademia 100+ Fshatrat: Ekspozitë

Në datat 27-31 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” do të organizojë Ekspozitën Akademia “100+ Fshatrat”.

Kjo ekspozitë do të  hapet për të gjithë të interesuarit ditën e Enjte, 27 Dhjetor, ora 17:00, Pavijoni mes Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtaredhe, dhe do të qëndrojë aty deri më datë 31 Dhjetor.

Akademia 100+ Fshatrat është një proces që na ‘përqafoi’ me optimizëm të gjithëve. Është një eksperiencë plot emocione që mblodhi së bashku në një sinergji bashkëpunimi të re institucionet publike, pedagogët, studentët e ekspertët dhe na vendosi të gjithëve në mendime e ëndërrime për të ardhmen e fshatit shqiptar.

Në fillimet e saj të gjithë e dinim që po ndërmerrnim një projekt ambicioz, rezultatet e të cilit ishin jo krejtësisht të qarta. Por sidoqoftë, më të guximshmit dhe largpamësit plot vetëbesim iu bashkuan nismës për të dhënë kontributin e tyre për hartimin e modeleve të zhvillimit të fshatrave, pjesë e Programit kombëtar për zhvillimin rural “100 Fshatrat”.

Pothuajse 200 persona u bënë pjesë e Akademisë në periudhën Gusht – Dhjetor dhe një përmbledhje të punës së tyre të gjatë dhe të frytshme, dëshirojmë ta bëjmë publike këtë fundvit, për të gjithë ju dhe ata që do të kalojnë në Sheshin Skënderbej këto ditë festive.

Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet është e rëndësishme për ne dhe për mbarëvajtjen e Programit, prandaj Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj ekspozite për tu njohur më nga afër me arritjet e Programit “100 Fshatrat”.

Rezultati i plotë i Akademisë do të përmblidhet në botime të veçanta për çdo fshat, të cilat do të bëhen publike në muajin Shkurt 2019.

DEKLARATË PËR SHTYP - PËRGËNJESHTRIM

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përgënjeshtron deklaratën për shtyp të zëdhënëses së Partisë Demokratike Znj. Ina Zhupa, në lidhje me përfshirjen e një punonjësi të kësaj agjencie, në realizimin e videos së transmetuar më datë 22.12.2018, mbi përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

Sqarojmë se, informacioni i pretenduar nga zëdhënësja për shtyp e zyrës së Partisë Demokratike, si informacion i rezervuar dhe autentik i nxjerrë nga sistemi elektronik i agjencisë, është informacion, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit www.planifikimi.gov.al

Referuar përmbajtjes së videos së transmetuar nga zyra e Partisë Demokratike, saktësojmë edhe një herë ashtu sikurse në Deklaratën për Shtyp-Përgënjeshtrim të datës 04.09.2018 se, për të aksesuar hartën GIS nuk është i nevojshëm logimi nëpërmjet serverit pasi, në faqen zyrtare të AKPT ofrohet ndër të tjera dhe Shërbimi e-Harta, i cili është një shërbim i hapur, në dispozicion të publikut të gjerë të interesuar mbi ecurinë e proceseve planifikuese në territor.

Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-Harta paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

Ritheksojmë edhe njëherë se, asnjë punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nuk është i përfshirë në realizimin e videos së transmetuar. Imazhet e shfaqura në video përmbajnë informacione të hapura për publikun, të cilat mund të aksesohen lehtësisht nga çdo person i interesuar, duke vizituar faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Për sa më sipër, deklarata për shtyp e Znj. Ina Zhupa zëdhënëse e Partisë Demokratike, nuk janë gjë tjetër veçse, një disinformim i përsëritur i publikut dhe krijimi i perceptimit të gabuar të tij, duke cënuar publikisht në media emrin dhe imazhin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Akademia 100+ Fshatrat: Workshopi #3 i Adakemisë 100+ Fshatrat

Në datën 7 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, organizoi workshopin #3, me pjesëmarrjen e 8 grupeve të punës nga Universiteti Polis, përfaqësues të institucioneve publike pjesë e Programit 100 Fshatrat, akademikë nga Universitete të ndryshme si edhe ekspertë të kulturës, etnografisë, historisë, mjedisit, ekonomisë, turizmit, marketimit dhe bujqësisë e blegtorisë me produkte lokale, për të dhënë kontributin e tyre për modelet e zhvillimit të 100+ fshatrave.

Workshopi #3 i Akademisë 100+ Fshatrat vjen në vijim të punës së nisur në muajin Gusht 2018 për hartimin e modeleve të zhvillimit të Fshatrave, në bashkëpunim të ngushtë me stafet akademike dhe studentore të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Polis, Universiteti Epoka, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Objektivi kryesor i këtij workshopi ishte prezantimi i modeleve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-propozimet konkrete, dhe po ashtu konsultimi tematik i tyre me të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Krahas prezantimeve, u zhvilluan edhe diskutime, nëpërmjet të cilëve specialistë të fushave të ndryshme nga institucionet publike përkatëse dhe universitetet dhanë kontributin e tyre për Grupet e Punës.

Akademia 100+ Fshatrat: Leksion i Hapur me Universitetin Bujqësor të Tiranës

Në datën 04 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit së bashku me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimeve, strukturë përbërëse e Universitetit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” dhe Akademisë 100+ Fshatrat, organizuan Leksionin e Hapur bazuar në dy prezantime:

  1. Udhëzime mbi Strukturimin e Modelit të Zhvillimit Rural - Prof. Remzi Keco
  2. Njohuritë e Bankës Gjenetike dhe Institutit - Prof. Fetah Elezi

Qëllimi kryesor i këtij Leksioni ishte nevoja për të furnizuar Grupet e Punës me më shumë informacion mbi produktet bimore autoktone, si edhe për të ndihmuar strukturimin e punës dhe informacionit të prodhuar në këto muaj akademi, në funksion të dorëzimit të modeleve të zhvillimit rural.

Në këtë Leksion të Hapur, ishin pjesëmarrës drejtuesit e grupeve të punës së Akademisë 100+ Fshatrat, profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, stafi i AKPT-së që koordinon Akademinë dhe Koordinatorja Kombëtare e Programit 100 Fshatrat.

Ky Leksion vendos një tjetër hallkë lidhëse në kuadër të bashkëveprimit ndërinstitucional dhe ndëlidhjes politikëbërës-akademi, për zhvillimin rural.