Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

10 Konkurse për Shqipërinë e territorit të planifikuar

Çështja e planifikimit të territorit të Shqipërisë nuk shihet e shkëputur nga çështja e zhvillimit ekonomik e social. Për këtë arsye, dy vjet më parë Atelier Albania organizoi 10 konkurse ndërkombëtare me pjesëmarrje të arkitektëve shqiptarë e të huaj, të cilët bashkëpunuan e konkurruan mes tyre për shpalosjen e vizioneve më të mira, për tematika të rëndësishme të zhvillimit urban në Shqipëri.

Të tilla ishin: Konkursi për Vijën Bregdetare të Vlorës, për Rivierën e Duranën, për Ishullin e Osumit, për Qytetin Studenti e Parkun e Liqenit, për Kampusin e Drejtësisë e Kuartetin e Kulturës, për Baipasin e Gjirokastrës dhe Parkun e Besimit. U prodhuan ide, diskutime e debate, e çka vlen mbi të gjitha, prodhuan njohuri e qasje që mund të përdoren lokalisht nga aktorët përgjegjës, për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme territorin tonë të brishtë. Pas konkurseve, të gjitha idetë tanimë janë përmbledhur në disa botime, të cilat janë një bazë e mirë për të gjithë aktorët, lidhur me zhvilimin e zonave të ndryshme në vend.  Këto botime  vijnë si bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

ATELIER ALBANIA u krijua 3 vjet më parë,  falë ndihmës shumë të çmuar të Qeverisë Holandeze dhe personalisht të ish-ambasadorit, i cili në traditën më të mirë të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka qenë qysh në sekondën e parë i disponueshëm për të dhënë mbështetjen e domosdoshme që kjo atelie të lindë si pikë takimi. Si e tillë ajo i krijon mundësi gjithë aktorëve të rinj në këtë fushë, planifikuesve të rinj, arkitektëve të rinj, pra, gjithë burimeve njerëzore të vendit, që të zhvillohen duke u bërë pjesë e këtij procesi. Për këtë arsye është konceptuar si një hapësirë e pakufishme.

AKPT komunikon publikisht projektin BRIGAID, pjesë e programit Horizon2020

Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, mori pjesë sot, në takimin e parë kombëtar mbi krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve “BRIGAID”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit,  në bashkëpunim me Ambasadën e Vendeve të Ulta në Tiranë.

Qëllimi i projektit “Brigaid” është përthithja e ideve inavative mbi tre komponetë kryesorë të ndryshimeve klimatike si: përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem, një nismë kjo që lidh inovatorët, kërkuesit, akademinë, njerëzit me ide, me institucionet, nëpërmjet disa produkteve që japin zgjidhje praktike e të shpejta në situatat e katastrofave.

Në fjalën e saj, Ministrja Gjermeni u shpreh se, në këtë mandat të parë qeverisës reformat që janë ndërmarrë në kuadër të planifikimit kombëtar dhe vendor apo dhe zbatimit të projekteve konkrete siç është dhe rasti i Projektit BRIGAID, formësojnë vizionin “Shqipëria 2030”. Konkretisht, të tre planet kombëtare të miratuara tashmë prej mëse një viti, ofrojnë piketat për hartimin e projekteve konkrete strategjike, që garantojnë menaxhimin racional të tokës dhe burimeve natyrore, si dhe harmonizimin e të gjithë faktorëve që ndikojnë në jetën social-ekonomike të qytetarëve. Sipas saj, qoftë tre planet kombëtare, si dhe planet vendore që brenda vitit 2017 do të jenë të hartuara për 43 bashki dhe brenda vitit 2018, ne angazhohemi ta përmbyllim këtë proces edhe për 18 bashkitë e tjera, përcaktojnë qartazi zhvillimin që do të marrë territori në 15 vitet e ardhshme në shërbim të rritjes së sektorëve kryesorë të ekonomisë kombëtare si turizmi, bujqësia, energjitika, transporti.

Për të mos e lënë hartimin e instrumenteve të planifikimit vetëm në nivel kombëtar kjo Qeveri ndërmori dhe një tjetër nismë që i vjen në ndihmë bashkive për të pasur të hartuar dhe miratuar planet e tyre vendore.

Gjithashtu këto instrumente shërbejnë si amortizator për të minimizuar faktorërt që sjellin ndryshimet klimatike si erozioni, eficienca e energjisë apo emetimet e dioksidit të karbonit për lëvizjet alternative.

Ndër të tjera këto plane kanë të inkorporuar edhe instrumente të rëndësishme që garantojnë mbrojtjen e mjedisit me fokus të veçantë zonat e mbrojtura, kohezionin social dhe zhvillimin e integruar urban dhe rural.

Aktualisht sipërfaqja e zonave të mbrojtura të Shqipërisë është 15% e territorit kombëtar. Gjithashtu Shqipëria bën pjesë në korridorin e Gjelbërt Europian ndaj dhe përgjegjësia jonë për ruajtjen dhe promovimin e këtyre artifakteve natyrore është akoma më e madhe. Ndaj dhe përfshirja e ndryshimeve klimaterike në instrumentat e planifikimit dhe politikave të zhvillimit urban është një komponent i rëndësishëm për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm mjedisor, social dhe ekonomik të vendit.

“Duke e parë edhe në këtë aspekt, ky projekt do të jetë edhe një vlerë e shtuar për të gjithë instrumentat e planifikimit në rang kombëtar dhe vendor”,  u shpreh znj. Gjermeni.

E pranishme në këtë takim, ishte edhe Ambasadorja e Vendeve të Ulëta në Tiranë, znj. Dewi Van De Weerd. 

Udhëzim nr.2 i Ministres Gjermeni për zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore

Ministrja Gjermeni ka nxjerrë një udhëzim të dytë mbi zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, i cili shpjegon hyrjen në fuqi të tyre dhe veprimtarinë e bashkive në periudhën e ndërmjetme nga miratimi final në Këshillin Kombëtar të Territorit deri në botimin e plotë të dokumentacionit të miratuar në Regjistrin e Integruar të Territorit.

Udhëzimin nr 1, datë 16.03.2017 dhe Udhëzimin  nr.2, datë 14.04.2017 gjenden këtu : 

Udhëzim nr.1 datë 16.03.2017

Udhëzim nr.2 datë 14.04.2017

Njoftim mbi aksesin dhe përdorimin e Regjistrit të Integruar i Territorit (RIT)

Njoftim mbi aksesin dhe përdorimin e Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit (RKPT) dhe sistemit e-Planifikimi

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ju njofton se statusi i Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit (RKPT) ështe aktiv vetëm për vijimin e procedurave të botimit të materialeve sa i përket 16 Bashkive që po hartojnë Planet e Përgjithshme Vendore, si dhe atyre bashkive që kanë ndërmarrë nisma për Rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor.

Sjellim në vëmendje se, procesi i nisjes, konsultimit, bashkërendimit dhe miratimit të dokumentave të Planeve të Detajuara Vendore tashmë realizohet vetëm nëpërmjet sistemit e-Planifikimi.

Për aksesimin e secilës prej platformave, çdo user duhet të lidhet fillimisht me VPN-in (nëpërmjet username dhe password që zotëron nga  AKSHI), e më pas të aksesojë nëpërmjet kredencialeve të vëna në dispozicion nga AKPT.

Vlen për t’u theksuar se kredencialet e aksesimit të RKPT dhe sistemit e-Planifikimi janë të ndryshme, pasi vetë platformat operojnë si të pavarura nga njëra – tjetra.

Për çdo paqartësi mund të kontaktoni në: info@planifikimi.gov.al

Ju falenderojmë për mirëkuptimin!