Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Workshop në kuadër të bashkërendimit të Planeve Vendore dhe Planit Kombëtar Sektorial për sektorin e turizmit në rajonin e Apleve

Në vijim të Forum të Bashkërendimit të Planifikimit në Nivel Qëndror, më datë 08.06.2017, në orën 13:30 pranë Hotel Tirana u zhvillua workshopi me fokus specifik bashkërendimin të Planeve Vendore dhe Planit Kombëtar Sektorial Turistik për Alpet.

Në workshop ishin prezentë përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e planit sektorial dhe Planeve Vendore, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit, Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, si edhe përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në cilësinë e porositësit të Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për Alpet.

Ky takim kishte për qëllim koordinimin e propozimeve midis Planeve të Përgjithshme Vendore të Bashkive Malësi e Madhe, Vau Dejës, Shkodër dhe Tropojë me Planin Kombëtar Sektorial të Turizmit për Alpet. E gjitha kjo është në funksion të një produkti gjithëpërfshirës dhe të bashkërenduar, ku duhet të harmonizohen mirë politikat qendrore me vizionin rajonal dhe nevojat e iniciativat lokale.

Workshopi u organizua në dy pjesë.

Gjatë pjesës së parë u organizua diskutimi midis studiove konsulente të përfshira në procesin e hartimit të planeve në nivel vendor (PPV) dhe kombëtar (PKS).

Gjatë pjesës së dytë u organizua diskutimi midis studiove konsulente dhe përfaqësuesve të institucioneve në nivel qendror.

Takime të kësaj natyre, do të ketë përsëri, deri në miratim të PKS-së, edhe me institucione të tjera e grupe të tjera interesi.

Shkëmbim experience me planifikues Armenë

Me datë 7 Qershor 2017, në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, u organizua një takim me një delegacion planifikuesish nga Armenia. Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues të AKPT-së dhe 25 planifikues Armenë, përfaqësues të institucioneve të niveleve të ndryshme të planifikimit, qendror, rajonal e vendor.

Synimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave të procesit të planifikimit të territorit. Nga AKPT u krye një prezantim mbi progresin që është arritur në fushën e planifikimit në Shqipëri në vitet e fundit. Theksi u vendos në hartimin e planeve të para kombëtare për zhvillimin e territorit, si Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, proces ky mjaft i rëndësishëm në vendosjen e themeleve për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Projekt i ndërmarrë nga AKPT,  i cili u pa me rëndësi nga planifikiuesit Armenë ishte edhe organizimi i 10 konkurseve ndërkombëtare për tematika të rëndësishme të zhvillimit urban në Shqipëri, të cilat janë parë jo vetëm në aspektin urban por edhe në atë ekonomik e social. Konkurset tanimë janë përmbledhur në disa botime, të cilat janë një bazë e mirë për të gjithë aktorët, lidhur me zhvillimin e zonave të ndryshme në vend.  

Prezantimi i procesit të planifikimit u mbyll me iniciativa të tjera të AKPT-së, të cilat janë të rëndësishme për pjesëmarrjen dhe informimin publik, si: dëgjesat publike të planeve kombëtare, ekspozita “Evoked” dhe ekspozita “Ditari i një hapësire”.

Aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Me datë 1 Qershor 2017, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, organizoi një aktivitet dedikuar planifikimit të territorit dhe fëmijëve.

Në rendin e ditës së aktiviteteve u vizitua Atelieja e Edukimit, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve. Synimi i vizitës ishte njohja e fëmijëve nëpërmjet pikturës me qytetin ku jetojnë dhe me parimet bazë të planifikimit të një hapësire. Aktiviteti u kurorëzua me vendosjen në një telajo të vetme të qytetit të së ardhmes, nga sytë e fëmijëve nëpërmjet mediumit të pikturës.

Njoftim për takimin e Parë të FBPQ-së për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial të Alpeve.

Me datë 10 Maj 2017, do të zhvillohet takimi i Parë i Forumit për Bashkërendimin e Planifikimit në nivel Qendror (FBPQ)  për Planin Kombëtar Sektorial (PKS) në fushën e turizmit për Rajonin e Alpeve shqiptare. Plani i Alpeve është plan rajonal i organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit luan rol kordinues dhe monitorues.

Nisma për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial është miratuar me vendim KKT-je për zhvillimin e fushës së turizmit për rajonin e Alpeve Shqiptare në mënyrë të qendrueshme dhe të kontrolluar. Synimi i planit është evidentimi i vlerat natyrore dhe të shtuara, kërkimi i një strategjie veprimi e cila do të përcaktojë mënyrën optimale të zhvillimit të rajonit nëpërmjet zhvillimit të qendrueshëm të turizmit, përdorimit racional të territorit dhe burimeve e pasurive të tij me fokus të vecantë kujdesin për ekosistemet.

Takimi i FBPQ-së organizohet nga Agjencia Kombëtare e Planifkimit të Territorit për të mbledhur për herë të parë institucione të nivelit qendror dhe atij vendor. Forumi nuk është entitet vendimmarrës, miratues apo zgjidhës i konflikteve. Forumi është një mekanizëm që synon të nxisë diskutimet strategjike mes anëtarëve të tij, të cilët përfaqësojnë politikat e disa institucioneve në nivele të ndryshme, për të arritur koordinimin e çështjeve të planifikimit.