Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Projekti BRIGAID [HORIZON2020], merr pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT)

Projekti BRIGAID “BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience” pjesë e programit ‘Horizon2020’ të Komisionit Europian, u prezantua me datë  02.11.2017 në konferencën e zhvilluar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (Canadian Institute of Technology (CIT) të titulluar:
“International Conference on Economics, Business Trends and Technologies (ICEBTT'2017)”.
 
Konferenca kishte në fokus promovimin e “Startup-eve dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik”. 
Në  konferencë u promovuan: zhvillimet më të fundit, novacionet, startup-et si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SMEs). Gjithashtu konferenca ofroi mundësi pjesëmarrësve për të shkëmbyer eksperiencat, si dhe ishte një mundësi e mirë për njohjen me projektit BRIGAID dhe çfarë ky projekt ofron për vendin tonë. Pjesëmarrës në konferencë ishin studentë, kompani private, staf pedagogjik i “Institutit Kanadez të Teknologjisë” dhe i Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”.
 
Interesi për BRIGAID “Projekti i Novacioneve për Novatorët” shkoi përtej kësaj; përfaqësuesit e panelit drejtues ashtu dhe të ftuarit treguan gatishmërinë dhe dëshirën për t’u përfshirë në projekt, si bashkëpunëtor, novatorë, mbështetës të një procesi krijimi në ndihmë të zgjidhjeve për kapërcimin e katastrofave natyrore.

BRIGAID [HORIZON2020]- AKPT merr pjesë në Konferencën e Parë të projektit BRIGAID në Venecia, organizuar nga lideri i projektit Universiteti “TuDelft”

Më datë 9-10 Nëntor 2017 u mbajt takimi i katërt periodik mbi ecurinë e projektit BRIGAID nga Lideri i Delft University of Technology (TuDelft) në Venecia, Itali.

Projekti BRIGAID në kuadër të organizimeve periodike, kësaj here mendoj të harmonizoj takimin e radhës të të gjithë partnereve me Konferencen e Parë të Projektit. Projekti caktoi Venecian si një vend takimi dhe organizimi të kësaj konference të rëndësishme.

Në takim në kuadër të detyrave dhe të ecurisë së punës për jetëgjatësinë e projektit, theksi u vendos në planin në vazhdim dhe në realizimin e një projekti të suksesshëm.

Konferenca e Parë ishte një event i cili bëri të mundur realizimin e qëllimit të projektit.

Një projekt si BRIGAID i cili kërkon të kapërcej katastrofat natyrore që shkaktojnë ndryshimet klimatike me novacione; mund të realizoj objektivin e tij vetëm duke vendosur në një “tavoline të rrumbullakët” ata që ideojnë me përdoruesit fundor të këtyre ideve.

Në konferencë ishin prezent : Kompani, Institucione Kërkimore, Kërkues Shkencor me idetë e tyre, dhe përball tyre qëndronin Institucionet shteterore të disa vendeve të etur për novacione dhe për zgjidhje të problemtikave që ata hasin nga ndryshimeve klimatike.

Shqipëria në këtë Konferencë të Parë u prezantua me tre novacione te propozuara për kapërcimin e katastrofave natyrore dhe në shërbim të situatave emergjente që  sjellin ndryshimet klimatike.

Interesi për këto novacione ishte i partnerëve fqinj të projektit si Itali, Greqi por nuk mbetet pas edhe interesi i partnereve të shteteve si Spanja, Rumania, Hollanda.

Në përfundim të kësaj konference u pa se Shqipëria ka potencial kërkimor, dhe mundësi zhvillimi për projekte të tilla dhe për novacione në kuadër të ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu referuar  komenteve të liderve të projektit, Shqipëria mbetet një vend i mundshëm për testimin e novacioneve të BRIGAID, me potencialin e saj natyror dhe dëshirën për përqasjen e novacionit si zgjidhje dhe jo zgjedhje.

Pjesëmarrje në seminarin “Planifikimi hapësinor dhe i territorit në rajonin e Ballkanit perëndimor”

Më datë 14-15 Dhjetor 2017, organizohet seminari ndërkombëtar mbi “Planifikimin hapësinor dhe të territorit në rajonin e Ballkanit perëndimor”. Seminari do të mbahet në Torino, Itali dhe organizohet nga Universiteti Politeknik i Torinos.

Qëllimi i Seminarit  është përfshirja në një diskutim të përbashkët i akademikëve, politikëbërësve dhe profesionistëve, mbi ndryshimet në sistemin e planifikimit hapësinor dhe territorial (TG&SPSs) të vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor. Diskutimi do të përqëndrohet në reflektimin e ngjashmërive dhe dallimeve gjatë evolimit të politikave të planifikimit, rolin e aktorëve ndërkombëtarë në formimin e politikave, dallimet në rolin e aktorëve kombëtarë në promovimin dhe zbatimin e këtyre politikave dhe identifikimin e sfidave kryesore hapësinore që karakterizojnë një territor.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të jetë pjesëmarrëse në Seminar me një prezantim, i cili do të kontribuojë në diskutim mbi procesin e zhvillimit dhe planifikimit hapësinor për territorin e Shqipërisë. Ky prezantim ka si qëllim përshkrimin e procesit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe disa planeve të tjera në nivel rajonal dhe vendor, i cili është dokumenti i parë planifikues në nivel kombëtar për territorin e Shqipërisë. Gjithashtu synohet përshkrimi i vazhdimit të procesit pas hartimit të PPK-së, duke propozuar një Platformë Kombëtare Monitorimi për zbatimin e direktivave të planit. Qëllimi është krijimi i një serie treguesish, të cilët do të shërbejnë për të matur shkallën e zbatimit të PPKT-së dhe dokumenteve të tjera të planifikimit, ç’ka njëkohësisht do të shërbejë për të kuptuar zhvillimet e shoqërisë në territor dhe vetë territorit, duke ndihmuar kështu politikëbërësit në punën e tyre për hartimin e politikave, vendimmarrjen në përgjithësi dhe atë të lidhur me buxhetimin dhe fondet publike.

Workshop me ekspertët e DLDP-së, me temë “Lidhja e Planit të Përgjithshëm Vendor me Projekt-Buxhetin Afatmesëm”

DLDP Albania, në mbështetje të programit “Për zhvillim lokal dhe decentralizim”, zhvilloi në datën 18 Tetor 2017 workshopin me temën “Lidhja e Planit të Përgjithshëm Vendor me Projekt Buxhetin Afatmesëm”. 

Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues të programit të DLDP-së dhe përfaqësues të AKPT-së, koordinatorë të procesit të hartimit të planeve vendore. Qëllimi i workshopit ishte marrja e përgjigjeve ndaj pyetjeve se përse dhe si duhet të lidhen Planet e Përgjithshme Vendore me Projekt Buxhetin Afatmesëm.

  1. Trajnimi u zhvillua në dy pjesë , ku në pjesën e parë, të drejtuar nga eksperti i planifikimit urban të DLDP-së, u diskutua mbi:
  2. Aspektet ligjore të dy dokumenteve;
  3. Ndryshimet që ekzistojnë midis PPV-së dhe PBA-së në aspektin kohor dhe përmbajtësor;
  4. Arsyet pse është e nevojshme lidhja midis PPV-së dhe PBA-së;
  5. Karakterin që duhet të ketë dokumenti i PPV-së, i cili duhet të krijojë një balancë midis propozimeve kombëtare dhe atyre vendore;
  6. Kategorizimin e projekteve të propozuar në PPV, duke u bazuar në matricën e PBA-së.

Në pjesën e dytë, drejtuar nga ekspertja e financave, u diskutua mbi aspektet teknike të lidhjes së PPV-së me PBA-në:

  1. Procesi i menaxhimit të financave publike;
  2. Ligji i financave vendore;
  3. Roli i grupit GMS si lider i proceseve të planifikimit të integruar në bashki;
  4. PBA-të dhe elementët e saj kryesorë, si dhe matrica e lidhjes me PPV-të;
  5. Treguesit e monitorimit të PBA-së; 4 tipet kryesore të tyre dhe anët pozitive dhe negative të secilit tregues.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për një njohje sa më të mirë të punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, me politikat financiare vendore, për një proces sa më të plotë dhe gjithëpërfshirës të hartimi të PPV-ve, ç’ka mendohet se do të shërbejë që ato të bëhen lehtësisht të zbatueshme nga bashkitë, edhe nëpërmjet buxhetimit afatmesëm.