Udhëtim në kohë, në hapësirën e quajtur Shqipëri

Udhëtim në kohë, në hapësirën e quajtur Shqipëri.

Një vështrim mbi planifikimin 500 p.e.s - 2030

Prill - Tetor 2016

NJË HAPËSIRË...

Përtej një dhome të bukur, është në dëshirat e gjithësecilit edhe një oborr, një rrugë, lagje e qytet, ku reflektohet e njëjta frymë, vëmendje e pasion. Dëshirojmë së bashku një territor që të na përkasë jo vetëm në bashkëpronësi. Kërkesat dhe pasionet tona mbivendosen në të njëjtën hapësirë. Si t'i koordinojmë ato?

Territori na përket të gjithëve, dhe nga ana tjetër jo vetëm neve. E ardhmja e tij është çështje që duhet të na interesojë dhe duhet të përfshihemi në diskutimet rreth saj. Për të vendosur mbi të ardhmen duhet të shohim nga kemi rrjedhur dhe ku kemi mbërritur, duhet të njohim mirë të shkuarën e përbashkët dhe të kuptojmë të tashmen ku jetojmë.

NJË VEND...

Ekspozita zuri fill si një prezantim disa mujor i vizionit Shqipëria 2030 - Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës. Por nuk mbeti aty. U zhvillua shumë më tepër dhe mori formën e një vendi ku rrëfehet për Shqipërinë, formimin e vendbanimeve të saj, thesaret që ajo mbart dhe për të cilat duhet të bëhemi të vetëdijshëm; ku rrëfehet për dëmet që i kemi shkaktuar territorit, por edhe për potencialet e tokës sonë.

Ekspozita prezantohet si një rrugëtim në kohë e në hapësirë, si një ditar ku është shkruar historia e territorit, ku flitet për të tashmen e projektohet vizioni i së ardhmes.

Ekspozita komunikon me imazhe dhe video, me instalacion dhe model 3-dimensional, komunikon si nëpërmjet figurës ashtu edhe tingullit. Në ekspozitë ka objekte që përfaqësojnë diçka në realitet, sikurse ka edhe pjesë të shkëputura nga realiteti e të sjella aty për komunikim, njohje, e ndërgjegjësim.

Komunikimi realizohet edhe nëpërmjet objekteve të ndryshme të nxjerra nga arkivat, të cilat janë trajtuar edhe si vepra arti. Përveç se përfaqësojnë territore, ngjarje apo vizione, këto objekte mbartin edhe vlera artizanale, veçanërisht hartat e planeve të qyteteve shqiptare të punuara me teknika që sot nuk praktikohen më.

E ideuam vendin e takimit - ekspozitën - si një hapësirë diskutimi, edukimi, informimi e ndërgjegjësimi. Besojmë se ekspozita jo vetëm do të vizitohet, por mbi të gjitha do të përjetohet dhe do të bëhet pikë referimi sidomos për profesionistët dhe grupet e interesit. Ndaj vendosëm që ekspozita të qëndrojë e hapur për disa muaj dhe brenda saj të zhvillohen aktivitete të ndryshme me fokus njohjen me territorin shqiptar, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit