Në datat 23 dhe 25 Tetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, organizoi workshopin #2, me pjesëmarrjen e 13 grupeve të punës nga 3 universitete partnere, përfaqësues të institucioneve publike pjesë e Programit 100 Fshatrat, akademikë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës, Universiteti i Durrësit, Dega Marketing, si edhe ekspertë të tjerë të ftuar për të dhënë kontributin e tyre për modelet e zhvillimit të 100+ fshatrave.

Workshopi 2-ditor i Akademisë 100+ Fshatrat vjen në vijim të punës së nisur në muajin Gusht 2018 për hartimin e modeleve të zhvillimit të Fshatrave, në bashkëpunim të ngushtë me stafet akademike dhe studentore të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Polis, Universiteti Epoka, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Objektivi kryesor i këtij workshopi ishte njohja me draftet e para të modeleve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-propozimet konkrete, dhe po ashtu konsultimi tematik i tyre me të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Krahas prezantimeve, të cilat u transmetuan ‘live’ në kanalin Shqipëria2030/AKPT, u zhvilluan edhe tryeza të rrumbullakëta për diskutime sipas temave të veçanta, me kontributin e specialistëve të fushave nga institucionet publike përkatëse dhe universitetet.

Temat kryesore që u diskutuan ishin:

  • Kultura / Etnografia / Historia

  • Natyra / Mjedisi

  • Ekonomia / Turizëmi / Marketingu

  • Bujqësia-Blegtoria / Produktet Lokale / Ushqimi

Workshop #2 për 8 grupet e tjera të Akademisë 100+Fshatrat do të zhvillohet në datën 9 Nëntor, pranë Universitetit Polis, ku grupet e punës së ngritura pranë këtij universiteti do të kenë një proces të ngjashëm prezantimesh dhe diskutimesh.