Nënshkruhen Memorandumet e Bashkëpunimit mes MBZHR, AKPT dhe Universiteteve

Në Sallën e Hartave në Kryeministri u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Programin “100 Fshatrat” ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe institucioneve publike dhe private të Arsimit të Lartë: Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomisë; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Universiteti Epoka, Fakulteti i Arkitekturës dhe i Inxhinierisë; Universiteti Polis, Fakulteti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Fakulteti i Planifikimit të Mjedisit dhe Menaxhimit Urban; Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale.

Fragment nga fjala e Kryeministrit:

Është një hap i rëndësishëm firmosja e një memorandumi bashkëpunimi me universitetet që u përmendën më parë, për të bërë të mundur krijimin e një rrjeti ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, ministrive dhe agjencive të përfshira në Programin e Rilindjes Rurale dhe pedagogëve dhe studentëve të këtyre universiteteve, që do të sjellin një fuqi të madhe dhe një vlerë të rëndësishme të shtuar në një proces, i cili ka domosdoshmërinë e të qenit i shpejtë, i thellë dhe i saktë.

Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Koordinatoren Kombëtare të Programit dhe Drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit për sforcon e tyre për t’i mbledhur bashkë këto gjëra. Ministria e Bujqësisë është Ministria lider në këtë proces. Tre ministritë e tjera janë pjesë e këtij procesi. E gjithë qeveria është e fokusuar në këtë proces.

Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të lartë të universiteteve, këtu të pranishëm, i bindur që sëbashku do të mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe mbi të gjitha, sëbashku do mund të japim një produkt, i cili do të jetë një vlerë e shtuar në ekonomi, një vlerë e shtuar në fuqizimin e kohezionit social në zona ku kohezioni social duket sot i pamundur dhe një vlerë e shtuar në hartën turistike të Shqipërisë. Kemi një hartë turistike të shfrytëzuar në bregdet, të shfrytëzuar në disa qytete me trashëgimi kulturore të fortë, të zhvilluar pjesërisht në pak pika të Shqipërisë malore, ndërkohë që kemi një hapësirë pafundësisht me potenciale të jashtëzakonshme dhe tërësisht të pashfrytëzuar në të gjithë pjesën tjetër.

Kam bindjen se sa më shumë të zgjerojmë hapësirën e shfrytëzuar të Shqipërisë turistike, aq më shumë do të kemi familje dhe komunitete që do të kuptojnë se në këtë vend nuk është pasuria, por është dija pengesa jonë kryesore. Nuk na mungon pasuria, na mungojnë rrugët e dijes. Kjo Akademi është një rrugë e re e dijes që iu vihet në dispozicion njerëzve e familjeve të zakonshme dhe do të ndihmojë shumëkënd të mësojë jo vetëm sesi të bëjë më mirë, më shpejt dhe më me sukses aplikimet për të marrë financime për prodhimin bujqësor e blegtoral, jo vetëm sesi të aplikojë për të transformuar shtëpinë në një bujtinë apo për të ndërtuar një agroturizëm, por mbi të gjitha sesi të shikojë të ardhmen aty ku është toka e prindërve”.