Sapo kanë nisur përgatitjet konkrete për hartimin e PPV-ve të bashkive Fushë-Arrëz, Has, Bulqizë, Peqin, Roskovec, Patos, Mallakastër, Selenicë, Memaliaj, Tepelenë, Libohovë, Finiq, Delvinë, Pustec, Maliq, Devoll.

Tryeza e diskutimit të AKPT-së, mblodhi kësaj radhe përfaqësues të zyrave të planifikimit të këtyre bashkive, për t’i bërë një pasqyrë të procesit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, si edhe për të ndarë aspekte nga eksperiencat e mëparshme. Takimi i organizuar në formën e një sërë prezantimesh, vuri theksin në këto aspekte kryesore:

  • Legjislacioni në fushën e planifikimit;
  • Parimet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;
  • Aktorët përgjegjës në procesin e planifikimit dhe përgjegjësitë përkatëse;
  • Procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor;
  • Proceset e miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor dhe hyrja në fuqi e tij;
  • Problematikat e hasura në eksperiencat e mëparshme;
  • Përmirësimi i pjesëmarrjes së publikut në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes;
  • Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit dhe mënyra e funksionimit të tij;
  • Sistemi E-Planifikimi dhe Workflow i procesit të PPV-ve;
  • Gjeoportali dhe të dhënat hapësinore, mënyra e funksionimit të tij;
  • Datamodeli i PPV-ve.

16 bashkitë e reja, të cilat kanë lidhur Akt-Marrëveshjet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për financim për procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, janë në procesin e marrjes së Nismës, e cila i paraprin hartimit të dokumentit të PPV-së. Fillimi i  këtij procesi, shënon një mbulim 100% të territorit të Shqipërisë me Plane Vendore, sipas ndarjes Administrative-Territoriale.