Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), së bashku i janë bashkuar nismës së ndërmarrë nga Kryqi i Kuq Shqiptar, për dhurim vullnetar të gjakut.

Prej vitesh, Kryqi i Kuq Shqiptar zhvillon programin e dhurimit vullnetar falas të gjakut, si alternativa më e mirë që do të çojë në plotësimin e nevojave për Shqipërinë, duke organizuar një sërë veprimtarish për sensibilizimin dhe rekrutimin e dhuruesve vullnetarë në të gjithë vendin.

Këtë iniciativë humanitare e kanë përkrahur edhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Mjediset e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, gjatë ditës së sotme, janë transformuar në një  qendër të dhurimit të gjakut, ku  punonjës të të dy Agjencive iu përgjigjën thirrjes.

Gjaku i  dhuruar do të shkojë për nevojat që kanë qendrat spitalore, duke kontribuar në shpëtimin e jetëve në nevojë.