Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është autoriteti përgjegjës për të propozuar në Këshillin e Ministrave rishikimin e akteve apo hartimin e akteve të reja nënligjore për çështjet e planifikimit të territorit. Gjatë hartimit të Planeve Kombëtare dhe eksperiencave të para me Planet Vendore, është parë e nevojshme rishikimi i VKM Nr. 671, datë 29.07.2015, “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit”.

AKPT ka nisur dhe është në proces rishikimi të VKM Nr. 671, datë 29.07.2015, “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit” . Qëllimi i këtij procesi është hartimi i një rregulloreje e cila do të jetë më e thjeshtë dhe efikase në përdorim për të gjithë autoritetet përgjegjëse për planifikimin e territorit shqiptar.

Në vijimësi të procesit, gjatë muajit Qershor dhe Korrik 2017, janë organizuar disa takime me palë të interesuara, ku janë prezantuar ndryshimet e propozuara dhe janë mbledhur mendime dhe sugjerime mbi këto ndryshime. Materiali draft i Rregullores është shpërndarë gjithashtu on-line tek autoritetet e ndryshme të planifikimit, të nivelit vendor apo qendror, për të marrë mendime dhe sugjerime lidhur me ndryshimet e propozuara.

Duke iu bashkuar ndryshimeve të fundit ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka nisur procesin për krijimin e një datamodeli të ri, i cili do të jetë i harmonizuar me ndyshimet e VKM-së së re, si edhe me eksperiencat e kaluara. Qëllimi i këtyre propozimeve është integrimi i informacioneve të gjendjes ekzistuese me atë të propozuar si edhe aksesi më i lehtë, për t’i bërë planet më të kuptueshme nga përdoruesit.