Në datën 04 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit së bashku me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimeve, strukturë përbërëse e Universitetit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” dhe Akademisë 100+ Fshatrat, organizuan Leksionin e Hapur bazuar në dy prezantime:

  1. Udhëzime mbi Strukturimin e Modelit të Zhvillimit Rural - Prof. Remzi Keco
  2. Njohuritë e Bankës Gjenetike dhe Institutit - Prof. Fetah Elezi

Qëllimi kryesor i këtij Leksioni ishte nevoja për të furnizuar Grupet e Punës me më shumë informacion mbi produktet bimore autoktone, si edhe për të ndihmuar strukturimin e punës dhe informacionit të prodhuar në këto muaj akademi, në funksion të dorëzimit të modeleve të zhvillimit rural.

Në këtë Leksion të Hapur, ishin pjesëmarrës drejtuesit e grupeve të punës së Akademisë 100+ Fshatrat, profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, stafi i AKPT-së që koordinon Akademinë dhe Koordinatorja Kombëtare e Programit 100 Fshatrat.

Ky Leksion vendos një tjetër hallkë lidhëse në kuadër të bashkëveprimit ndërinstitucional dhe ndëlidhjes politikëbërës-akademi, për zhvillimin rural.