Më datë 12 Korrik 2017, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka organizuar takimin e tretë për prezantimin e ndryshimeve të propozuara ligjore të VKM-së Nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit” Bashkive, të cilat janë në proces hartimi si dhe atyre të cilat do të fillojnë së shpejti punën me hartimin e PPV-ve.

Në takim ishin të pranishëm disa aktorë, si përfaqësues të AKPT-së, Co-Plan, Aluizni si dhepërfaqësues të Bashkive Tiranë, Lushnje, Elbasan, Berat, Krujë, Shkodër, Kurbin, Skrapar, Kuçovë, Prrenjas, Librazhd, etj. 

Në takim u prezantuan:  

  • Ndryshimet në Kreun III / Seksioni 1 “Ndarja e Territorit për Qëllime Planifikimi; Përdorimi i Tokës dhe Ndarja e Territorit”: strukturimi dhe zonimi i territorit për qëllime planifikimi dhe zhvillimi, kategorizimi i përdorimit të tokës si dhe përdorimi i standardit të Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit në hartimin e dokumenteve të planifikimit;
  • Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 7 “Plani i Përgjithshëm Vendor”: saktësim i strukturës së përmbajtjes së dokumenteve të PPV-së;
  • Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 8 “Plani i Detajuar Vendor”: rastet për të cilat hartohet PDV-ja, autoritetet përgjegjëse për hartimin dhe miratimin e tij, procesi i hartimit të PDV-së dhe përmbajtja e dokumentit.

Gjatë diskutimit u ngritën disa çështje si:

  • Hartimi i PDV-së me dy faza për të siguruar infrastrukturën e nevojshme dhe procedura e rishikimit;
  • Informaliteti në territor dhe përqasja e Bashkive për rizhvillim të këtyre zonave dhe përgatitja e Planeve të Strehimit;
  • Krijimi i njësive mikse dhe përcaktimi i kategorisë dominuese.
  • Ndarja në nënnjësi dhe vendosja e disa rregullave për krijimin e “Njësisë”

Ky ishte takimi i tretë ndër takimet e planifikuara për konsultimin e ndryshimeve ligjore të Rregullores së Planifikimit të Territorit.