Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ogranizon për të tretin vit radhazi, Akademinë Verore Atelier Albania (AASA). Qëllimi i saj është adresimi i çështjeve specifike të lidhura me sistemin e planifikimit territorial nëpërmjet një zinxhiri eksperimental të të mësuarit, por edhe ‘krijuarit’, mes aktorëve të të gjithë niveleve.

Akademia Verore e vitit 2017 ka në fokus luginën e lumit Vjosë në jug të Shqipërisë. AASA është një shkollë 5-javore për studentë dhe të diplomuar rishtazi,kryesisht në fushën e arkitekturës, zhvillimit urban, me fokus krijimin e modeleve të integruara për zhvillimin e komuniteteve nëpërmjet turizmit.

Akademia ka nisur aktivitetin e saj me datë 20 Gusht, ku së bashku me 5 studentët e përzgjedhur, janë zhvilluar dy javë vizita në terren. Studentët janë bërë ‘turistë kritikë’, dhe kanë vlerësuar në mënyrë sistematike situatën ekzistuese nëpërmjet vizitave dhe diskutimeve.

Gjatë tre javëve të mëpasshme grupi do të punojë për përgatitjen e propozimeve në mjediset e zyrës në Tiranë, ku do të diskutojnë dhe ndërveprojnë me ekspertë dhe specialistë të fushave të ndryshme, për konsolidimin e propozimeve të tyre. 

Baza teorike e Akademisë së 2017-ës përbëhet nga teori zhvillimi, teori mbi turizmin, mbi historinë dhe diskurse rreth çështjes mjedisore apo ato të së drejtës mjedisore.

AASA beson se shkaku kryesor për të udhëtuar është “të mësuarit nga të tjerët”.

Eksperiencat më të mira janë ato që të frymëzojnë për të marrë ndonjë ide me vete, të cilët e mban vazhdimisht në vëmendje gjatë jetës së përditshme. E thënë ndryshe, duke vëzhguar kultura të tjera mund të mësohet ose si nuk duhet të jetohet ose se si duhet të jetohet.

“Tregoju se si duhet të jetojnë!”

Eksperienca më e mirë e turizmit është kur zbulon komunitete të lulëzuara. Prandaj, ndërhyrjet turistike që vijnë nga sektori i zhvilluesve duhet të jenë natyralisht mbështetëse të shëndetit, lumturisë dhe mirëqënies së përgjithshme të banorëve të vendeve në të cilat ata ndërhyjnë. Duke mbështetur një botë socio-ekonomike pozitive për njerëzit atje, përforcohet produkti turistik që vizitorët paguajnë për të përjetuar.

AKPT/ Atelier Albania/ Akademia Verore