31 Mars, 1 Prill, 3 Prill 2014
Në bazë të Ligjit Nr. 10119 datë 23/04/2009 "Për Planifikimin e Territorit" i përditësuar, Neni 80 pika 3, autoritetet vendore dhe qëndrore të planifikimit, brenda fundit të muajit Mars duhet të përgatisin Raportin Vjetor për Zhvillimet në Territor të vitit të mëparshëm.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit më datë 31 Mars, 1 Prill, 3 Prill 2014, organizoi takime me autoritetet e qeverisjes vendore në qarqet Dibër, Kukës dhe Shkodër, si institucione përgjegjëse për zhvillimet të cilat ndodhin në territorin e administruar prej tyre.
Ky takim u realizua në kuadër të, nismës për asistencë të përgatitjes së Raportit Vjetor të Zhvillimit të Territorit.
Në këtë takim u trajtua qëllimi për të cilin bëhet Raporti Vjetor, baza ligjore në të cilën mbështetet, struktura institucionale vëzhguese dhe raportuese, metodologjia, aktivitetet vëzhguese, periudha e vëzhgimit dhe raportimit dhe territori në të cilin kryhet vëzhgimi. Gjithashtu u prezantua mënyra e grumbullimit të të dhënave, përpunimi i të dhënave dhe metodologjia për përgatitjen e hartave bazë të përdorimit të tokës dhe infrastrukturës ekzistuese të NJQV.
Rëndësi të veçantë kishin dhe diskutimet mbi realizimin e procesit të përgatitjes së raportit në lidhje me bashkëpunimin ndër institucional për plotësimin e këtyre të dhënave si dhe mënyrën e përgatitjes së hartave bazë për krijimin e raportit. Gjithashtu në takimet e kryera u njoftua prezenca e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si pikë referimi në asistencën e krijimit të këtij raporti dhe përpunimit të të dhënave të tij.
Në takimin me qarkun Dibër pjesëmarrësit shprehën pozitivisht bashkëpunimin me Këshillin e Qarkut Dibër dhe gjithashtu edhe mbështetjen e tyre për këtë Institucion në grumbullimin e të dhënave jo vetëm nga Institucionet e tjera qëndrore dhe vendore, por edhe të dhëna të marra nga terreni.
Në takimin me qarkun Kukës, doli në pah se pjesëmarrësit ishin të angazhuar në krijimin e planeve të përgjithshme vendore dhe në vazhdim të këtij proçesi u shprehën të gatshëm të impenjohen për hartimin e Raportit Vjetor të zhvillimit të territorit.
Në takimin me qarkun Shkodër, pjesëmarrësit u interesuan më së shumti rreth metodologjisë dhe mënyrës së grumbullimit të të dhënave si dhe bashkëpunimin me institucionet qëndrore.
Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrja dhe interesimi ishte i lartë nga përfaqësuesit e NjQV-ve, Institucioneve të Qarkut dhe Prefekturës. Gjithashtu interesimi ka vazhduar më tej edhe nëpërmjet kontaktit me stafin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për qartësime në lidhje me realizimin e raportit vjetor të zhvillimit të territorit.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit shprehet e gatshme të ofrojë asistencë teknike për çdo bashki dhe komunë në lidhje me realizmin e këtij Raporti por edhe në përgatitjen e materialeve për Planet e Përgjithshme Vendore.