“Fermerë me Pamje nga Deti” është programi inaugurues i Akademisë Verore të Atelier Albania, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (German Corporation for International Cooperation) (GIZ). Akademia Verore 2015 u organizua nga Adelina Greca dhe Simon Battisti, u asistua nga Ilva Gjuzi dhe u përbë nga një skuadër prej pesë studentësh të arkitekturës, planifikimit urban dhe dizenjimit urban. “Fermerë me Pamje nga Deti” pati qëllim që të shqyrtonte gjendjen e turizmit në katër fshatra malorë të Rivierës Shqiptare-Pilur, Kudhës, Qeparo Fshat dhe Himarë Fshat- dhe t’i përgjigjej pyetjes përse këto fshatra janë indiferentë ndaj të ardhurave prej turizmit, ndërkohë që fshatrat përgjatë bregut kanë një vërshim të parasë. Synimi ynë: nxitja e këtyre fshatrave drejt turizmit nëpërmjet ideve të ndjeshme, me kosto të ulet dhe me rezultat të shpejtë.
Për tre javë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore qëndruan së bashku në një rezidencë të vogël në terren. Ata udhëtuan me makinë midis fshatrave, duke marrë me vete blloqe shënimesh, kompjuter, regjistrues zëri dhe shumë kuriozitet. Gjatë ditëve u endën nëpër fshatra, duke këputur fiq dhe dardha përgjatë rrugës, duke biseduar me vendasit nën hijen e rrapit të vjetër të fshatit, në verandat e shtëpive ose në dhomat e tyre të pritjes. Shumica e ditëve, ndërsa dielli perëndonte, përfundonte me një kredhje në det, diku afër fshatit që kishim vizituar atë ditë. Ne punonim në zyrën tonë portative, në verandën e rezidencës sonë, me një pamje të detit Jon, ku prisnim edhe vizitorë nga Tirana me të cilët diskutonim idetë tona. Gjatë akademisë ne qarkulluam një seri librash mbi teorinë e turizmit, urbanistikën, studimet kulturore dhe antropologjinë.”
Akademia Verore Atelier Albania, krijon një hapësirë në kërkimin akademik të arkitekturës në Shqipëri, që nuk ka ekzistuar deri më tani. Ajo përpiqet të sheshojë hierarkinë midis studentit dhe mësuesit, dhe të përkrahë entuziazmin si një virtyt. Me një qëllim të madh, Akademia Verore përjashton metodat kërkimore joangazhuese, të imponuara nga sistemi universitar për-përfitim, që momentalisht operon në Shqipëri, duke refuzuar përdorimin e një gjuhe përfituese dhe tepër klinike- duke shprehur me bindje se linja e mendimit që ajo lloj përqasje nxit, çrrënjos çdo lloj kreativiteti dhe pavarësie. Në metodën tonë të punës, instruktori është një lehtësues i procesit; duke udhëhequr dialogun drejt një qëllimi dhe afati kohor, dhe duke ndihmuar në përcaktimin e kritereve intelektuale dhe etike. Por, idetë i përkasin grupit dhe debatohen haptazi ndërmjet të barabartëve. Turizmi është kënaqësi. Prandaj, për të pasur një qasje sa me produktive ndaj tij, Akademia Verore ka insistuar në faktin që një përqasje e gjallë dhe imagjinative në procesin kërkimor, duhet konsideruar si një aspiratë pedagogjike tepër fisnike.
Periudha e organizimit të Akademisë Verore korrespondoi me javën më të ngarkuar të sezonit veror, duke nxjerr në pah kontrastin e thellë mes fshatrave të bregut dhe atyre malore. Ndërkohë që gjatë pikut të sezonit në breg ka një presion pothuajse të pamenaxhueshëm për hapësira dhe shërbime, fshatrat malorë mbesin tërësisht të pandryshuar. Duke u kthyer në javën e parë të shtatorit, ne gjetëm një rajon pothuajse të paidentifikueshëm me vetveten, të dy javëve më parë. Dukej sikur e kishim të gjithë bregdetin për veten tonë, pa njerëz rreth e rrotull. Ne përjetuam ritmet e egra të sezonit turistik-në kohë reale, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë kohor. Dhe mendojmë se ka një perspektivë të madhe për njerëzit në këto vende, që me zgjuarsi dhe eficiencë të fillojnë të sjellin para në xhepat e tyre, me pak impakt fizik. Faqet në vazhdim janë një dokumentim se si këta katër fshatra, mund të kenë një qasje të mençur ndaj ekonomive të tyre të turizmit në lindje.
Fermerë me Pamje nga Deti - Publikimi