"Akademia Verore AA'17", zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe procesit të planifikimit vendor të Bashkive Këlcyrë, Kolonjë dhe Përmet, me fokus në Luginën e Vjosës dhe qëllim nxjerrjen në pah të potencialeve turistike të kësaj lugine dhe evidentimin e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme që mund të zhvillohen në këtë territor për të rritur ardhjet e vizitorëve në luginë dhe për shfrytëzimin me efikasitet e përgjegjësi të potencialit natyror turistik që ofron natyra dhe kultura vendase.
Metodologjia: Skuadra e Akademisë Verore (udhëheqësi i Akademisë, asistenti i projektit dhe pesë studentë) zhvilluan një studim kërkimor prej pesë javësh gjatë së cilit u eksploruan potencialet turistike të Rajonit. Puna kërkimore u nda në: dy javë në terren dhe tre javë në Tiranë.
Skuadra kreu detyrat e mëposhtme:
- Gjetje e informacioneve në terren: Gjatë fazës së parë studentët e akademisë mblodhën të dhënat me qëllim evidentimin e potencialeve turistike të rajonit.
- Hartimi i projekt-ideve: Të përzgjedhurit interpretuan të dhënat e mbledhura në terren si dhe i përpunuan ato për publikim. Këto materiale janë në trajtë teksti dhe përpunime grafike.
- Kryen të gjitha detyrat e caktuara nga udhëheqësi i Akademisë dhe asistenti, të cilat janë në funksion të qëllimit të Akademisë dhe objektivave të saj.
Zona në Studim: Bashkitë Përmet dhe Këlcyrë
Produkti Përfundimtar: Produkti përfundimtar i Akademisë Verore AA '17 vjen në trajtën e një botimi, i cili mbështetet në këto dy pika kryesore:
a. Krijimin e një rrjeti aktivitetesh kulturore e turistike, për tërheqjen e vizitorëve dhe gjallërimin e potencialit turistik të luginës, në çdo stinë.
b. Krijimin e një 'buqete' me projekt-ide për ndërhyrje pikësore me karakter pejsazhistik, për evidentimin e tipareve karakteristike të luginës.