Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit

Liqeni i Prespës dhe Lugina e Devollit - Akademia Verore AA ‘18

Akademia Verore AA-2018 zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe procesit të planifikimit vendor të bashkive Pustec, Maliq, Devoll me fokus Liqenin e Prespës, luginën e Devollit dhe rrethinat e tyre dhe me qëllim evidentimin e potencialit turistik të kësaj zone dhe përvijimin e ideve, projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme, që mund të zhvillohen në këtë territor për të rritur ardhjet e vizitorëve në zonë dhe për shfrytëzimin me efiktshmëri e përgjegjësi të potencialit natyror e turistik që ofron natyra dhe kultura vendase. AASA 2018 përpiqet të krijojë një platformë të mundshme informative dhe inovative mbi Zonën e Liqenit dhe Luginën e Devollit, që vjen si rezultat i një mendimi 'bottom-up', pra me indikacione që vijnë nga popullsia vendase dhe kushtet konkrete të terrenit. Qëllimi kryesor është të parashtrojë propozime për aktivitete, evente dhe ngjarje gjithëvjetore që mund të shërbejnë në tërheqjen e më shumë vizitorëve në zonë.

.....................................................................................................................................................

Qasja e grupit të punës u shtri në dy drejtime:

1. Eksplorim i rajonit duke evidentuar potencialet natyrore dhe kulturore të vendbanimeve përreth. Kjo konsiston në vizita të shpeshta në fshatra dhe atraksione të ndryshme për të hulumtuar e njohur sa më mirë zonën e studimit. Grupi zhvilloi udhëtime të përditshme gjatë katër javëve të qëndrimit në terren.

2. Biseda dhe diskutime të vazhdueshme me banorët dhe aktorë të tjerë në zonë për të njohur më nga afër terrenin në studim. 

Vizitat në terren dhe bisedat me banorët janë thelbësore për të kuptuar nevojat e komunitetit. Për këtë arsye pati dy mënyra qasjeje. Duke qenë që koha në terren ishte 4 javë, u mendua që në fillim (dy javët e para) të vizitoheshin fshatrat dhe të bëhej një ‘skanim’ i parë. Për dy javër pasuese u përdor një mënyrë më e strukturuar për të mbledhur informacione për fshatin: 4 pyetësorë, të hartuar nga INSTAT-i, iu drejtuan bizneseve, familjeve, turistëve dhe Kryeplakut të fshatit.

Pjesa tjetër e vizitave në terren synoi të krijonte një vështrim të përgjithshëm të strukturës së fshatrave në zonë. Fokusi kryesor u përqendrua në 5 fshatrat e Lot 12 të Akademisë 100+ Fshatrat (Lin, Tushemisht, Gurras, Zvirinë, Zaroshkë). Fshatrat u vlerësuan nga ana e potencialit agro-turistik. Këto fshatra ishin mjaft të ndryshëm nga njeri-tjetri.

Pjesë e metodologjisë ishin edhe vizitat në territoret kufitare me Shqipërinë, si Prespa maqedonase dhe ajo greke, ashtu dhe Parku Kombëtar i Galicicës, për të krijuar një vizion të plotë të zhvillimit të rajonit. Qasja që secili vend ka ndaj përdorimit të liqenit është mjaft e ndryshme, kjo për shkak edhe të problemeve politiko-etnike të identitetit, që karakterizon zonën. Secili shtet është qasur me një zhvillim të ndryshëm dhe të palidhur me shtetin tjetër.

Pas një studimi të thelluar mbi potencialin e zhvillimit të këtij rajoni, grupi i punës vlerësoi të nevojshëm krijimin e një strukture menaxhuese dhe promovuese të këtij rajoni. Duke qenë se këto fshatra gjenden përreth dy prej liqeneve më të rëndësishme në Shqipëri, pjesë e trashëgimisë natyrore botërore dhe të ndërlidhur në një sistem ujor të njëjtë, u gjykua që ky rajon të emërtohej si zona e Liqeneve. Uji është elementi lidhës dhe përfqësues i kësaj zone.

Si mund të zhvillohet destinacioni i Zonës së Liqeneve dhe në çfarë propozimesh do të “përkthehej” kjo? Më poshtë kemi paraqitur një sërë propozimesh për ndërhyrje që i shërbejnë propozimit të krijimit të Destinacionit të Menaxhuar ‘Zona e  Liqeneve’.

.................................................................................................................................................. 

Ndërhyrjet fizike janë themelet mbi të cilat do të zhvillohet aktiviteti turistik në këtë zonë. Këto elemente duhen ndërtuar në fazën e parë të projektit, dhe do të jenë hapi i parë drejt krijimit të një destinacioni të menaxhuar. Më poshtë janë listuar dhe shpjeguar propozimet për ndërhyrjet fizike:

1. Mole në kishat eremite

2. Përmirësim i plazhit të Zaroshkë

3. Përmirësimi i infrastrukturës së biçikletave

4. Platforma dhe teleskopë për Birdwatching

5. Tabela dhe parkim në zgavrën e Goricës (zgavra e Zaverit)

6. Ndërhyrje të tjera arkitektonike:

7. Biçikleta me qera, motoçikleta

Përveç ndërhyrjeve fizike propozohen edhe ndërhyrje “soft”, të cilat mbështesin më tej zhvillimin e turizmit, si:

1. Krijimi i një Libri të Prespës

2. Radio e Parkut të Prespës: 101.5 FM