Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Planet Vendore, nis puna në 7 bashkitë e mbështetura nga qeveria

7 bashki: Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Përmet, Këlcyrë, dhe Kolonjë, të mbështetur financiarisht nga Qeveria kanë nisur punën për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore.

Për vitin 2017 janë planifikuar 106.6 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 7 bashki, të cilat do t’i bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit që kaloi. Procesi i “Hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore” për këto bashki, të ndara në 3 lote (Mirditë-Pukë; Gramsh-Belsh; Këlcyrë-Përmet-Kolonjë) do të realizohet në një periudhë prej 25 javësh.

Pas përfundimit të procedurës së prokurimit në lidhje me hartimin e PPV për këto 7 bashki, 3 subjektet fituese që do të punojnë me bashkitë për këto plane janë: “GAIA S.A Meleton”, për lotin Mirditë – Pukë;  “Metropolis dhe Universiteti Polis” për lotin Gramsh – Belsh dhe “Atelier 4”, për lotin Këlcyrë - Përmet - Kolonjë. Një vit me parë, në janar 2016, MZHU, në emër të Qeverisë Shqiptare, firmosi marrëveshje me 26 bashki dhe studiove vendase dhe ndërkombëtare për hartimin e PPV, me një fond prej 560 mln lekësh.

Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID për planet vendore, plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),ka dhënë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, konkretisht për: Malësinë e Madhe, Tropojën , Matin, Klosin dhe Vaun e Dejës.

Në total, 44 bashki, brenda këtij viti, pritet që t'i kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore. Sa i takon vitit të ardhshëm, Ministria e Zhvillimit Urban ka parashikuar 106, 641, 667 lekë për 17 bashki të tjera dhe kësisoj, në fund të vitit 2018, 61 bashki, të krijuara mbas reformës territoriale administrative të kenë planet e përgjithshme vendore. Këto plane  janë platforma zhvillimi për këto bashki të reja, japin piketat e zhvillimit për 15 vitet e ardhshme, janë një dokument i cili parashikon  mënyrën sesi do të zhvillohen bashkitë, zonat rurale dhe urbane, janë një garanci më shumë për investitorët vendas dhe të huaj si dhe pa dyshim lehtësojnë edhe procesin e lejeve të ndërtimit.