Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Planet e Përgjithshme Vendore, nis puna në 16 bashkitë e mbështetura financiarisht dhe teknikisht nga qeveria shqiptare

16 bashki: Fushë-Arrëz, Has, Bulqizë, Patos, Peqin, Roskovec, Mallakastër, Maliq, Pustec, Devoll, Selenicë, Memaliaj, Tepelenë, Libohovë, Finiq, Delvinë, të mbështetura financiarisht dhe teknikisht nga Qeveria shqiptare kanë nisur punën për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për territoret e tyre administrative.

Në vitin 2018 u planifikuan 166 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 16 bashki, të cilat i janë bashkëngjitur 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit 2016 dhe 7 bashkive të mbështetura gjatë vitit 2017. Procesi i “Hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore” për këto bashki, të ndara në 5 lote përkatësisht: Fushë-Arrëz-Has-Bulqizë; Patos-Peqin-Roskovec-Mallakastër; Maliq-Pustec-Devoll; Selenicë-Memaliaj-Tepelenë; Libohovë-Finiq-Delvinë, do të realizohet në një periudhë prej 28 javësh.

Pas përfundimit të procedurës së prokurimit në lidhje me hartimin e PPV-ve për këto 16 bashki, u shpallen 5 studiot konsulente, të cilat janë vendase dhe të huaja, për të asistuar bashkitë gjatë gjithë procesit. Studiot konsulente fituese kanë nënshkruar kontratat me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë muajve Shtator – Tetor 2018 dhe janë aktualisht në proces hartimi të dokumenteve të Planeve të Përgjithshme Vendore.

Ndërkohë, 5 bashki të tjera, përkatësisht: Bashkitë Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID/Projekti për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) për hartimin e planeve vendore, plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit 2016.

Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),ka dhënë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki të Shqipërisë së Veriut, për hartimin e Planeve të PërgjithshmeVendore, konkretisht për bashkitë: Malësi e Madhe, Tropojë, Mat, Klos dhe Vau i Dejës. 5 planet janë miratuar në KKT.

Prej vitit 2017, me mbështetjen e Universitetit Polis, Bashkia Dropull po punon për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territorin e saj administrativ.

Në total, brenda vitit 2019, pritet që të gjitha bashkitë e krijuara/konstituara pas miratimit të ndarjes së administrativo-territoriale të kenë hartuar planet e tyre të përgjithshme vendore për territoret e tyre administrative. Këto plane do të jenë platforma zhvillimi për këto bashki të reja, do të japin piketat e zhvillimit për 15 vitet e ardhshme,  do të jenë një dokument i cili parashikon  mënyrën sesi do të zhvillohen bashkitë, zonat rurale dhe urbane, do të jenë një garanci më shumë për investitorët vendas dhe të huaj si dhe pa dyshim do të lehtësojnë edhe procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.