Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Takimin Rajonal në kuadër të Menaxhimit Ndërkufitar të Ujërave në Liqenin e Shkodrës, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës

Në kuadër të Menaxhimit Ndërkufitar të Ujërave në Liqenin e Shkodrës, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës, u mbajt takimi mes grupeve teknike rajonale, i organizuar nga GIZ. Projekti Conservation and Sustainable use of Biodiversity (CSBL) në Liqenet Shkodër, Ohër dhe Prespë e Madhe, i mbështetur nga GIZ, synon mbrojtjen e biodiversitetit në liqenet ndërkufitare përmes menaxhimit të përshtatshëm të ekosistemit në nivel qendror dhe lokal.

Projekti është duke u zbatuar së bashku nga palët: Ministria e Mjedisit në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Fizik në Maqedoni, Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe e Turizmit në Mal të Zi dhe GIZ i financuar nga Ministria gjermane për Kooperim Ekonomik dhe Zhvillim.

Takimi u zhvillua pranë ambienteve të Hotel Rogner (salla Antigonea 2), më datat 22-23 Nëntor 2016, ku ishin të pranishëm rreth 50 përfaqësues dhe ekspertë ndër/kombëtar.

Qëllimi i takimit ishte përcjellja e fokuseve të projektit si: monitorimi i faunës dhe florës në koherencë me Direktivën e Habitateve të BE (NATURA 2000); menaxhimi i peshkimit dhe botës nënujore të peshqve, duke përfshirë vendosjen e kuotave mjedisore; rikthimi dhe mbrojtja e kënetave; karakteristikat e liqeneve dhe përcaktimi i objektivave mjedisore nën Direktivën Kuadër të Ujit të BE.

Temat e diskutuara në takim ishin:

Takimi dy ditor ishte i ndarë në dy sesione përkatëse ku paraprakisht do të zhvilloheshin prezantimet sipas rendit të ditës dhe më pas u formuan grupet teknike të punës për të diskutuar mbi temat e përcaktuara për grup.Më me rëndësi për proceset e planeve të përgjithshme vendore cilësohet Statusi dhe Funksionaliteti i Zonës Bregliqenore.

Më në detaj mund të thuhet se Elementi Cilësor Hidromorfologjik (Hydromorphological Quality Element) përcakton Funksionalitetin e Bregut Liqenor në pellgun ujëmbledhës. Zona buferike prej 30-50 m është me rëndësi për zonën e bregut, është zonë tranzitore midis trupit ujor dhe territorit përreth, në të cilin zënë vend shërbimet përfituese ekologjike.Risqet dhe menaxhimi i Funksionalitetit të Bregut Liqenor për Liqenet Shkodër, Ohër, Prespë është tashmë e dokumentuar edhe në version GIS dhe do tu dërgohet Ministrive përkatëse në mënyrë që të publikohet në site-t zyrtare.

Takimi i dytë periodik mbi ecurinë e projektit BRIGAID

Në datat 17-18 Nëntor në Leuven, Belgjikë u mbajt takimi i dytë periodik për të diskutuar mbi ecurinë e projektit BRIGAID ( Bridging the Gap for Innovations in Disaster Resilience). Ky projekt është pjesë e programit “Horizon2020” i Komisionit Europian, ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është përzgjedhur partnere.

Takimi i mbajtur ishte pjesë e takimeve periodike (çdo 6 muaj) që do të zhvillohen në harkun kohor të 4 vjeteve. Ditën e parë të takimit u diskutua mbi ecurinë dhe masat që janë ndërmarrë deri tani për projektin si edhe për hapat e mëtejshëm që do merren. Gjatë ditës së dytë të takimit u organizua një vizitë në terren për të kuptuar më tepër mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave urban.

Qëllimi i BRIGAID është të përthithë ide inovative mbi 3 komponentë kryesorë të ndryshimeve klimatike si, përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem. Mes ideve të ndryshme, projekti do të përzgjedhë disa prej tyre, të cilat do të zhvillohen dhe do të testohen. Idetë e sukseshme do të ndihmohen që të dalin në treg dhe të bëhen të disponueshme në mënyrë që në momente fatkeqësish natyrore të luajnë rolin e tyre për të zbutur apo shmangur dëmët e mundshme.

 

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është i vetmi partner Shqiptar në projekt dhe detyra e saj si institucion publik në nivel qëndror, është ‘skanimi i terrenit’ për identifikimin e ideve dhe aktorëve publik apo privat të cilët punojnë për të gjeneruar risi lidhur me situata që rrjedhojnë nga ndryshimet klimatike. AKPT do të kontribuojë më pas gjatë zbatimit të rezultateve të projektit si ndërmjetësuese dhe transmetuese e tyre tek autoritetet vendore dhe rajonale, të cilat janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të mundshëm që sjellin ndryshimet klimatike. AKPT do të ndihmojë gjithashtu edhe gjatë testimit të produkteve on-site, do të sigurojë të dhëna për të përmirësuar risitë, si dhe do ndihmojë në fushatat e shpërndarjes, ndërgjegjësimit dhe marketimit të projektit BRIGAID/ Horizon2020.

Seminar mbi Planifikimin Hapësinor Detar në Gjirin e Vlorës

Më datë 15-17 Nëntor , pranë ambjenteve të hotel “Partner”, u organizua trajnimi me temë “Planifikimi Hapësinor Detar në Gjirin e Vlorës”, i mbajtur nga INCA (Institute for Nature Conservation in Albania).

Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues të AKPT-së, stafi i INCA-së dhe institucioneve të ndryshme si: MZHU, MZHETTS, AKZM, AKZM – Vlorë, AKB – Vlorë dhe sektorë privatë.

Dita e parë: Zona dhe nevoja për zbatimin e procesit të Planifikimit Hapësinor Detar.

  • Gjatë trajnimit u diskutua mbi tematikat e mëposhtme:
  • Pasqyra e përgjithshme e konceptit të Planifikimit Hapësinor Detar (MSP).
  • Përcaktimi i zonës fokus brënda zonës së mbrojtur për procesin e Planifikimit Hapësinor Detar (MSP).
  • Identifikimi i burimeve prioritare të synuara për mbrojtjen.
  • Kufizimet juridiksionale të autoriteteve në zonat detare dhe bregdetare.
  • Identifikimi, karakterizimi dhe menaxhimi i palëve të interesit.

Në fund të ditës pasi u bë një përmbledhje e materialit dhe ushtrimeve u la kohë për të diskutuar mbi temat kryesore të përmenduara gjatë ditës.

Dita e dytë: Krijimi objektivave të menaxhimit dhe strategjitë për arritjen e tyre.

Tematikat e prezantuara dhe të diskutuara ishin: 

  • Përdorimi i objektivave të menaxhimit si faktorë nxitës të vendim-marrjes dhe dizenjimit të Planifikimit Hapësinor Detar.
  • Ndikimet mbi burimet e synuara.
  • Identifikimi i zonave të konfliktit dhe pajtueshmërisë.
  • Vështrimi i përgjithshëm mbi planin detar dhe bregdetar.

Gjatë ditës së dytë nga grupet punës, duke u bazuar në terren, u përcaktuan objektivat sipas kërkesave hapësinore për aktivitetet në mjedisin detar dhe bregdetar.

Dita e tretë: Mësime nga rastet më të mira dhe adresimi i procesit duke e përshtatur me situatën në Shqipëri.

Gjatë ditës së tretë u zhvilluan 3 seanca Webinari mbi modelet e ndryshme të Planifikimit Hapësinor Detar dhe si ato mund të zbatohen në rajon.

  • Planifikimi Hapësinor në Germani. “Deti Balltik”. Prezantues Jochen Lamp
  • Planifikimi Hapësinor Detar në pjesën Hollandeze të Detit të Veriut, Prezantues Leo de Vrees.
  • Planifikimit Hapësinor në Mbretërinë e Bashkuar, Prezantues Alec Taylor.

Grupet e punës në fund të trajnimit përgatitën një draft/plan hapësinor detar duke përcaktuar zonimet përkatëse të aktiviteteve. Në këtë draft/plan u morrën parasysh të gjitha objektivat, aktivitetet, faktorët nxitës si dhe qëllimet e hartimit të planit etj.

Takim konsultativ në kuadër të finalizimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022

Në kuadër të hartimit dhe finalizimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022, në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, u zhvillua takimi konsultativ mbi draftin e Strategjisë me përfaqësues nga institucionet qëndrore: Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit  si dhe GIZ Albania. Ky takim synoi njohjen me përditësimet mbi Draft-Strategjinë dhe punën e bërë nga ekspertët, si dhe mundësinë për dhënien e komenteve ose sugjerimeve përkatëse.

SZHT 2017-2022 është një dokument strategjik në sektorin e turizmit, i cili është mbështetur mbi Strategjinë e Turizmit 1993-2010, Strategjinë e Turizmit 2002-2012 dhe Strategjinë Sektoriale të Turizmit 2007-2013, për të ofruar një kornizë të përforcuar të zhvillimit dhe menaxhimit të turizmit në Shqipëri.

Objektivat e takimit:

  • Shqyrtimi dhe prezantimi i progresit të bërë mbi finalizimin e Draft-Strategjisë.
  • Konsultimi dhe bashkëbisedimi mbi çështjet, të cilat mund të reflektohen në Strategji, sipas çështjeve të interesit nga ana e secilit institucion qëndror të pranishëm.

Dokumenti SZHT 2017-2022  është bazuar te Strategjia Sektoriale e Turizmit 2007-2013, e cila është në prag miratimi dhe ka konkluduar të gjitha fazat e hartimit dhe konsultimeve.

Gjatë prezantimit u shpjegua ndarja e kapitujve, ku kapitulli i parë (Kushtet aktuale, Dokumentat strategjike në vite, Ecuria e sektorit të turizmit) dhe kapitulli i dytë ( Vizioni, politikat dhe qëllimet strategjike ) ishin ruajtur sipas SST 2007-2013, por kapitulli i tretë (Objektivat e politikës dhe produktet madhore) ishte ndryshuar plotësisht, ndërsa kapitulli i katërt (Burimet financiare) dhe kapitulli i pestë (Llogaridhënia, monitorimi dhe analiza vlerësuese) janë ende të papërfunduar për arsye se duhet përcaktuar Plani i Veprimeve dhe i Implementimit të Strategjisë.

Në përfundim u vendos për afatet e mëposhtme:

  • Ditën e hënë, datë 21.11.2016  do të mbyllen ato kapituj që janë ende të papërfunduar.
  • Deri ditën e mërkurë, datë 23.11.2016 priten kontributet dhe sugjerimet mbi Draftin, nga pjesëmarrësit apo përfaqësuesit nga institucionet qëndrore.
  • Përmbyllja e një drafti të konsoliduar të Strategjisë brënda muajit nëntor.

Mbyllja e ekspozitës “Ditar i një hapësire”

“Ditar i një hapësire” është ekspozita e organizuar nga  Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Zhvillimit Urban për vizionin Shqipëria 2030. Ekspozita u çel në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe qëndroi e hapur  për 7 muaj duke tërhequr gjatë kësaj periudhe më shumë se 5 mijë vizitorë të fushave të ndryshme si: arkitektë, planifikues, studentë, nxënës e profesionistë të ndryshëm, ku një pjesë e mirë ndër ta ishin edhe të huaj.

Përveç shpalosjes së Vizionit Shqipëria 2030, vizionit për 15 vitet e ardhshme të drejtimit të zhvillimit të territorit të Shqipërisë, kjo ekspozitë i prezantoi publikut edhe një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në ditët e sotme, për formimin e vendbanimeve në Shqipëri si edhe për thesaret që ajo mbart.

Në mjediset e ekspozitës u bë një ndër mbledhjet më të veçanta të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratuan dokumentet strategjikë pjesë e Vizionit Shqipëria 2030: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Ceremonia e mbylljes së DITAR u zhvillua në praninë e Ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, drejtuesve të agjencive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me MZHU dhe AKPT, profesionistëve të ndryshëm që kanë kontribuar në proceset e punës për Vizionin Shqipëria 2030 dhe ngritjen e ekspozitës, si edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Fjalën e hapjes së ceremonies e mbajti znj. Gjermeni, e cila vlerësoi edhe njëherë punën e palodhur të kryer nga stafi i AKPT-së dhe i Ministrisë së Zhvillimit Urban, si edhe përmendi rëndësinë që mbajti në vetvete kjo ekspozitë për të gjithë vizitorët. U bë një falenderim i veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët që ishin një ndihmesë për çeljen dhe mbarëvajtjen me sukses të saj.

Kjo ekpozitë nuk u pa si një proces tashmë i përfunduar, por si një shtysë për ndërmarrjen e projekteve dhe aktiviteteve të reja me qëllim sensibilizimin për mbrojtjen e territorit dhe natyrës sonë.

Informacioni i prezantuar në DITAR dhe dokumentet e lidhura me të do të kalohen në një hapësirë virtuale, e cila mund të vizitohet në çdo kohë dhe në vazhdimësi. Për këtë hapësirë po punohet nga AKPT.