Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

KKT miraton 5 planet e para vendore

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi sot 5 Planet e Përgjithshme Vendore të mbështetura financiarisht dhe teknikisht nga Programi për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore i USAID.

Pas miratimit të reformës administrative-territoriale dhe krijimit të bashkive të reja, Ministria e Zhvillimit Urban më shumë se një vit më parë ndërmori nismën për të mbështetur 26 Bashki të vendit me një fond prej 560 milion lekësh për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, duke kuptuar rëndësinë dhe sfidat që ato kanë për të administruar tashmë territore urbane dhe rurale të shumëfishuara në sipërfaqe.

Përveç skemës së mbështetjes nga Ministria e Zhvillimit Urban, 5-Bashki të tjera (Berat, Fier, Elbasan, Kucovë dhe Lushnjë), u mbështetën nga USAID, dhe sot u miratuan Planet Vendore për këto 5 bashki, të cilat e kanë filluar punën disa muaj më parë se 26 bashkitë e tjera. Pra, me mbylljen e këtij viti numri i bashkive të cilat aktualisht kanë të hartuara Planet e Përgjithshme Vendore shkon në 31, që është në fakt një arritje shumë pozitive e cila do i vijë në ndihmë këtyre bashkive për të filluar punën në 2017 me një qasje tërrësisht të re e të rregulluar për administrimin e zhvillimit të territorit.

 Procesi i planifikimit në nivel vendor ka nisur rreth 1 vit më parë, dhe sot u miratuan Planet e para Vendore, për të vijuar në muajin Janar (dhe Shkurt) me miratimin e Planeve Vendore për 26 Bashkitë e tjera të përfshira në skemën e mbështetjes nga Qeveria. 

Përveç planifikimit në nivel vendor, ky vit ishte edhe viti i përmbylljes me sukses të procesit të planifikimit në nivel kombëtar. Në muajin Qershor, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi 3-Planet Kombëtare. (Planin e Përgjithshëm Kombëtar; Planin për Bregdetin; dhe Planin për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës). Vetëm Plani i Përgjithshëm Kombëtar u miratuar edhe në Këshillin e Ministrave 2-javë më parë. Këto instrumenta janjë një udhërrëfyes shumë ndihmues për punën e bashkive dhe studiove në hartimin e planeve vendore.

I gjithë ky proces nuk ka qënë në vetvete vetëm realizim i një detyre planifikimi në përputhje me kërkesat e ligjit, po edhe një proces shumë organik e gjithëpërfshirës konsultimi me shumë aktorë që ka ndihmuar edhe në rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive. E gjithë puna është monitoruar dhe asistuar nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër. Sfida tani fill pas miratimit, do të jetë zbatimi i këtyre instrumentave, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm.

Ndërkohë, vitin që vjen do të përfundojë hartimi i Planeve Vendore edhe për 12 Bashki të tjera, 5 prej të cilave (Malësi e Madhe, Mat, Tropoje, Klos, Vau i Dejës) po mbështeten nga Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal i Qeverisë Zviceriane, dhe 7 Bashki të tjera (Pukë-Mirditë; Gramsh-Belsh; Përmet-Kolonjë-Këlcyrë), do të mbështeten nga Ministria e Zhvillimit Urban me fonde të buxhetit të shtetit.

26 BASHKITË QË MBËSHTETEN NGA QEVERIA PËR PPV

SHKODËR

TIRANË

KUKËS, DIBËR

LEZHË, KURBIN, KRUJË

DURRËS, VORË, SHIJAK

KAVAJË, RROGOZHINË, DIVJAKË

URA VAJGURORE, POLICAN, SKRAPAR, GJIROKASTËR”.

VLORË, HIMARË, SARANDË, KONISPOL

LIBRAZHD, PËRRENJAS, CËRRIK

POGRADEC, KORCË

Këshilli i Ministrave miraton Planin e Përgjithshëm Kombëtar "Shqipëria 2030"

Sot, datë 14.12.2016, u miratua nga Keshilli i Ministrave, Plani i  Përgjithshëm Kombëtar "Shqipëria 2030", dokumenti i parë kombëtar për planifikimin e territorit.
 
Pas një pune të palodhur, gati dy vjeçare të stafit  të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, u  finalizua një proces mjaft i rëndësishëm që vendos themelet për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. 
Miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, si një akt ligjor, ofron jo vetëm një klimë besimi për zhvillim të integruar, cilësor e afatgjatë, por  dëshmon njëkohësisht vullnetin për vendimmmarrje koherente me parimet e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. 
Përkushtimi, serioziteti, profesionalizmi, pjesëmarrja dhe transparenca, janë tiparet kryesore që kanë karakterizuar punën për hartimin e këtij dokumenti. Megjithatë, kurorëzimi i kësaj pune serioze dhe të kualifikuar në një dokument ligjor është vetëm hapi i parë. Sfida që shfaqet përpara është zbatimi i tij.
Kjo është një përgjegjësi jo vetëm për  institucionet shtetërore të nivelit qendror apo vendor, por për çdo shtetas që kërkon një të ardhme më të mirë për veten e pasardhësit. Ndaj shumë shpejt do të sjellim për të gjithë të interesuarit, akademikët e shtetarët, botimin zyrtar të këtij dokumenti. Ndërkohë që kopja elektronike e tij do të jetë e aksesueshme nga faqja zyrtare e AKPT-së, si edhe në Regjistrin Kombëtar të Territorit. 

Takimin Rajonal në kuadër të Menaxhimit Ndërkufitar të Ujërave në Liqenin e Shkodrës, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës

Në kuadër të Menaxhimit Ndërkufitar të Ujërave në Liqenin e Shkodrës, Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës, u mbajt takimi mes grupeve teknike rajonale, i organizuar nga GIZ. Projekti Conservation and Sustainable use of Biodiversity (CSBL) në Liqenet Shkodër, Ohër dhe Prespë e Madhe, i mbështetur nga GIZ, synon mbrojtjen e biodiversitetit në liqenet ndërkufitare përmes menaxhimit të përshtatshëm të ekosistemit në nivel qendror dhe lokal.

Projekti është duke u zbatuar së bashku nga palët: Ministria e Mjedisit në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Fizik në Maqedoni, Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe e Turizmit në Mal të Zi dhe GIZ i financuar nga Ministria gjermane për Kooperim Ekonomik dhe Zhvillim.

Takimi u zhvillua pranë ambienteve të Hotel Rogner (salla Antigonea 2), më datat 22-23 Nëntor 2016, ku ishin të pranishëm rreth 50 përfaqësues dhe ekspertë ndër/kombëtar.

Qëllimi i takimit ishte përcjellja e fokuseve të projektit si: monitorimi i faunës dhe florës në koherencë me Direktivën e Habitateve të BE (NATURA 2000); menaxhimi i peshkimit dhe botës nënujore të peshqve, duke përfshirë vendosjen e kuotave mjedisore; rikthimi dhe mbrojtja e kënetave; karakteristikat e liqeneve dhe përcaktimi i objektivave mjedisore nën Direktivën Kuadër të Ujit të BE.

Temat e diskutuara në takim ishin:

Takimi dy ditor ishte i ndarë në dy sesione përkatëse ku paraprakisht do të zhvilloheshin prezantimet sipas rendit të ditës dhe më pas u formuan grupet teknike të punës për të diskutuar mbi temat e përcaktuara për grup.Më me rëndësi për proceset e planeve të përgjithshme vendore cilësohet Statusi dhe Funksionaliteti i Zonës Bregliqenore.

Më në detaj mund të thuhet se Elementi Cilësor Hidromorfologjik (Hydromorphological Quality Element) përcakton Funksionalitetin e Bregut Liqenor në pellgun ujëmbledhës. Zona buferike prej 30-50 m është me rëndësi për zonën e bregut, është zonë tranzitore midis trupit ujor dhe territorit përreth, në të cilin zënë vend shërbimet përfituese ekologjike.Risqet dhe menaxhimi i Funksionalitetit të Bregut Liqenor për Liqenet Shkodër, Ohër, Prespë është tashmë e dokumentuar edhe në version GIS dhe do tu dërgohet Ministrive përkatëse në mënyrë që të publikohet në site-t zyrtare.

Takimi i dytë periodik mbi ecurinë e projektit BRIGAID

Në datat 17-18 Nëntor në Leuven, Belgjikë u mbajt takimi i dytë periodik për të diskutuar mbi ecurinë e projektit BRIGAID ( Bridging the Gap for Innovations in Disaster Resilience). Ky projekt është pjesë e programit “Horizon2020” i Komisionit Europian, ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është përzgjedhur partnere.

Takimi i mbajtur ishte pjesë e takimeve periodike (çdo 6 muaj) që do të zhvillohen në harkun kohor të 4 vjeteve. Ditën e parë të takimit u diskutua mbi ecurinë dhe masat që janë ndërmarrë deri tani për projektin si edhe për hapat e mëtejshëm që do merren. Gjatë ditës së dytë të takimit u organizua një vizitë në terren për të kuptuar më tepër mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave urban.

Qëllimi i BRIGAID është të përthithë ide inovative mbi 3 komponentë kryesorë të ndryshimeve klimatike si, përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem. Mes ideve të ndryshme, projekti do të përzgjedhë disa prej tyre, të cilat do të zhvillohen dhe do të testohen. Idetë e sukseshme do të ndihmohen që të dalin në treg dhe të bëhen të disponueshme në mënyrë që në momente fatkeqësish natyrore të luajnë rolin e tyre për të zbutur apo shmangur dëmët e mundshme.

 

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është i vetmi partner Shqiptar në projekt dhe detyra e saj si institucion publik në nivel qëndror, është ‘skanimi i terrenit’ për identifikimin e ideve dhe aktorëve publik apo privat të cilët punojnë për të gjeneruar risi lidhur me situata që rrjedhojnë nga ndryshimet klimatike. AKPT do të kontribuojë më pas gjatë zbatimit të rezultateve të projektit si ndërmjetësuese dhe transmetuese e tyre tek autoritetet vendore dhe rajonale, të cilat janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të mundshëm që sjellin ndryshimet klimatike. AKPT do të ndihmojë gjithashtu edhe gjatë testimit të produkteve on-site, do të sigurojë të dhëna për të përmirësuar risitë, si dhe do ndihmojë në fushatat e shpërndarjes, ndërgjegjësimit dhe marketimit të projektit BRIGAID/ Horizon2020.

Seminar mbi Planifikimin Hapësinor Detar në Gjirin e Vlorës

Më datë 15-17 Nëntor , pranë ambjenteve të hotel “Partner”, u organizua trajnimi me temë “Planifikimi Hapësinor Detar në Gjirin e Vlorës”, i mbajtur nga INCA (Institute for Nature Conservation in Albania).

Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues të AKPT-së, stafi i INCA-së dhe institucioneve të ndryshme si: MZHU, MZHETTS, AKZM, AKZM – Vlorë, AKB – Vlorë dhe sektorë privatë.

Dita e parë: Zona dhe nevoja për zbatimin e procesit të Planifikimit Hapësinor Detar.

  • Gjatë trajnimit u diskutua mbi tematikat e mëposhtme:
  • Pasqyra e përgjithshme e konceptit të Planifikimit Hapësinor Detar (MSP).
  • Përcaktimi i zonës fokus brënda zonës së mbrojtur për procesin e Planifikimit Hapësinor Detar (MSP).
  • Identifikimi i burimeve prioritare të synuara për mbrojtjen.
  • Kufizimet juridiksionale të autoriteteve në zonat detare dhe bregdetare.
  • Identifikimi, karakterizimi dhe menaxhimi i palëve të interesit.

Në fund të ditës pasi u bë një përmbledhje e materialit dhe ushtrimeve u la kohë për të diskutuar mbi temat kryesore të përmenduara gjatë ditës.

Dita e dytë: Krijimi objektivave të menaxhimit dhe strategjitë për arritjen e tyre.

Tematikat e prezantuara dhe të diskutuara ishin: 

  • Përdorimi i objektivave të menaxhimit si faktorë nxitës të vendim-marrjes dhe dizenjimit të Planifikimit Hapësinor Detar.
  • Ndikimet mbi burimet e synuara.
  • Identifikimi i zonave të konfliktit dhe pajtueshmërisë.
  • Vështrimi i përgjithshëm mbi planin detar dhe bregdetar.

Gjatë ditës së dytë nga grupet punës, duke u bazuar në terren, u përcaktuan objektivat sipas kërkesave hapësinore për aktivitetet në mjedisin detar dhe bregdetar.

Dita e tretë: Mësime nga rastet më të mira dhe adresimi i procesit duke e përshtatur me situatën në Shqipëri.

Gjatë ditës së tretë u zhvilluan 3 seanca Webinari mbi modelet e ndryshme të Planifikimit Hapësinor Detar dhe si ato mund të zbatohen në rajon.

  • Planifikimi Hapësinor në Germani. “Deti Balltik”. Prezantues Jochen Lamp
  • Planifikimi Hapësinor Detar në pjesën Hollandeze të Detit të Veriut, Prezantues Leo de Vrees.
  • Planifikimit Hapësinor në Mbretërinë e Bashkuar, Prezantues Alec Taylor.

Grupet e punës në fund të trajnimit përgatitën një draft/plan hapësinor detar duke përcaktuar zonimet përkatëse të aktiviteteve. Në këtë draft/plan u morrën parasysh të gjitha objektivat, aktivitetet, faktorët nxitës si dhe qëllimet e hartimit të planit etj.