Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Shpallje për pozicione të lira pune në projektin BRIGAID

Njoftojmë se janë shpallur tre pozicione pune për ngritjen e njësisë së implemementimit të projektit “BRIGAID - BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience”, për 'Menaxher Projekti', 'Menaxher Finance' dhe 'Asistent Projekti'.

Termat e Referencës për secilin rol i gjeni në link:Njoftime Punësimi

Për të aplikuar në secilin pozicion nevojitet të nisen në adresën e institucionit apo në e-mail të institucionit dokumentat si më poshtë vijon:

  1. Letër për shprehje interesi;
  2. Curriculum Vitae – CV;
  3. Çertifikata apo kualifikime të mundshme.

Gjermeni takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës

Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete në fushën e planifikimit të territorit, në nivel kombëtar e vendor, strehimit, legalizimit dhe standardeve urbane.

Këtë qëndrim kanë ndarë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Ministrin në detyrë të Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës Ferat Shala,  gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit nënshkruar ndërmjet dy ministrive në 15 prill 2014.

Ministrat dhe delegacionet që i shoqëronin, ranë dakord mbi piketat e bashkëpunimit për vitin 2017, në fushat që dy ministritë mbulojnë.

“Produkti konkret do të jetë krijimi i një Plani Veprimi të përbashkët me qëllim zbatimin e projekteve ndërkufitare.

Sa i takon planifikimit hapësinor një angazhim i ndërmarrë sot për t’u realizuar përgjatë vitit 2017 është dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe procesit model që është ndërtuar tashmë në kuadër të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore. Angazhimi ynë që të rakordojmë një Plan Veprimi me projekte konkrete me qëllim zhvillimin e potencialeve të zonave ndërkufitare dhe integrimin e qasjeve të përbashkëta.

Strehimi është sektori që ka nevojë për më shumë intensitet në shkëmbimin e eksperiencave, veçanërisht për partneritetin  publik – privat, pas Strategjisë 10 vjeçare dhe draft-ligjit të ri të strehimit që ne kemi hartuar”, tha Ministrja Gjermeni gjatë konferencës për shtyp pas takimit.

Ministri Shala vlerësoi bashkëpunimin me Ministren Gjermeni dhe MZHU për realizimin e projekteve ndërkufitare, të unifikimin të euro kodeve etj.

“Po krijojmë një agjendë produktesh me afate të sakta kohore në disa sektorë, sidomos për legalizimin, çështje kjo që për ne në Kosovë kërkon një vëmendje të posaçme. Kemi gjetur frymë pozitive dhe jam optimist se shumë shpejt do të ndajmë me qytetarët fryte konkrete të bashkëpunimit”, deklaroi Ministri Shala.

Pala kosovare tregoi interes për tu mbështetur në eksperiencën e MZHU lidhur me sistemin on-line për lejet e ndërtimit që ka nisur të aplikohet me sukses në Shqipëri që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte aplikimi me projekte të përbashkëta në kuadër të Programit IPA II Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri –Kosovë 2014-2020.

Takimi  i parë i përbashkët me grupet e punës respektive, do të organizohet shumë shpejt në Prizren, në të cilin është parashikuar edhe një sesion informues gjatë javës së parë të shkurti nga Ministria e Integrimit Europian  dhe Delegacioni Europian.

Ministri i Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala dhe delegacioni që e shoqëron atë kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni

Qeveria financon Planet Vendore për 7 bashki

7 bashki: Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Përmet, Këlcyrë, dhe Kolonjë do të mbështeten financiarisht nga Qeveria  për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore gjatë vitit 2017.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë një takimi informues u bëri me dije kryetarëve të këtyre bashkive se, së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja mes MZHU (AKPT), bashkive dhe studiove që do të punojnë për hartimin e planeve.

“Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në bashkitë tuaja, të cilat do t’i bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit që kaloi.  Përvoja e vitit që kaloi me këto 26 bashki ka qenë sfiduese dhe me jo pak vështirësi. Disa prej tyre ende nuk i kanë miratuar këto plane në këshilla bashkiakë, ndërkohë që nuk duhet humbur më kohë. Në punën që ju do të nisni pas pak javësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe bashkëpunimi, veçanërisht sa i takon Drejtorive të Urbanistikës. Ajo çka nuk duhet të neglizhohet është respektimi i afateve, për të bërë të mundur që në këtë 1 vit t’i jepni bashkive tuaja planet e munguara prej 25 vitesh“, tha Ministrja gjatë takimit me kryebashkiakët.

Drejtuesit e 7 bashkive nënvizuan në fjalën e tyre se, mungesa e Planeve të Përgjithshme Vendore ka çuar në kufizim të investimeve dhe dështimin e shumë projekteve. Ata i cilësuan Planet Vendore që do të hartohen e miratohen këtë vit si instrumentin e duhur që i japin frymëmarrje investimeve dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qyteteve.

Një vit me parë, në janar 2016, MZHU, në emër të Qeverisë Shqiptare, firmosi marrëveshje me 26 bashki dhe studiove vendase dhe ndërkombëtare për hartimin e PPV, me një fond prej 560 mln lekësh.

Puna për këto plane pritet të finalizohet brenda muajit shkurt me miratimin e PPV në Këshillat Bashkiakë dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID për planet vendore., plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),do të japë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, konkretisht për: Malësinë e Madhe, Tropojën , Matin, Klosin dhe Vaun e Dejës.

Roli i komuniteteve në përgatitjen e planeve të përgjithshme vendore

Ky tekst është hartuar nga Projekti PERFORM

Ministria e Zhvillimit Urban, në vitin 2015, filloi procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, të cilat janë dokumentet që do të drejotjnë zhvillimin e njësive administrative. Për të kuptuar dhe promovuar rëndësinë e konsultimeve nga komuniteti, për ecurinë sa më efektive të këtij procesi, Ministria bashkëpunoi me Agjencinë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet projektit PERFORM. Në këtë projekt morrën pjesë ekspertë të zhvillimit për të vlerësuar pjesëmarrjen e komunitetit në vendimmarrje si edhe për programet dhe shërbimet sociale. Qëllimi i këtij projekti është përforcimi i rëndësisë dhe ndikimit të shkencave sociale kundrejt reformave politike dhe sociale.

Gjatë periudhës nëntor 2015 – shkurt 2016, PERFORM Shqipëri kreu një studim mbi rolin e komuniteteve në përgatitjen e planeve të zhvillimit vendor. Projekti 4-mujor u bazua mbi një proces vlerësimi formativ të më shumë se 40 Planeve të Zhvillimit Vendor të hartuara përgjatë periudhës 2009 – 2013. Qëllimi ishte vlerësimi i rolit dhe kontributit të qytetarëve gjatë procesit të përgatitjes së këtij dokumenti strategjik, si edhe dhënia e direktivave për rritjen e këtij kontributi.

Raporti i hartuar nga ky projekt është drejtuar për të gjithë aktorët e përfshirë në vendimmarrjen për zhvillimin vendor në Shqipëri. Rezultatet e tij janë shpërndarë jo vetëm në adresë të kompanive të konsulencës që po përgatisin planet e zhvillimit 2015 – 2030, por edhe të bashkive të reja, AKPT-së  dhe palëve të tjera të interesuara. Kjo përmbledhje paraqet rezultatet e vlerësimit të shoqëruara me sugjerime për aktorët e përfshirë në zhvillimin vendor në Shqipëri. Gjithashtu janë propozuar metoda dhe instrumenta për arritjen e rezultateve të dëshiruara.

Ky raport është i vlefshëm edhe për komunitetin, për të rikthyer besimin se roli i tij zë një vend të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes për planifikimin jo vetëm në nivel vendor, por në të gjitha nivelet, si dhe për të siguruar pjesëmarrje dhe përfshirje më të lartë.

Kjo përmbledhje paraqet rezultatet e vlerësimit të shoqëruara me sugjerime për aktorët e përfshirë në zhvillimin vendor në Shqipëri. 

Gjetje

Parimet

Metoda & Instrumente

të Propozuara

1. Dominon roli i konsulentëve të jashtëm në përcaktimin e objektivave të zhvillimit vendor.

1.   Pronësia e hartimit të planeve të zhvillimit vendor duhet t’i përkasë autoriteteve dhe komuniteteve vendore që ato përfaqësojnë.

1.  SWOT, panairi i ideve, takimet publike, grupet e fokusuara, grupet dhe forumet, bashkëpunimi me organizatat lokale, mobilizimi i drejtuesve lokale.

2.   Përfshirja e komuniteteve në planet e zhvillimit vendor realizohet kryesisht për të përmbushur detyrimet ligjore apo objektiva ekonomike.

2.   Përfshirja në planet e zhvillimit vendor duhet të trajtohet si një e drejtë themelore, të cilën duhet ta gëzojë çdo individ që jeton në komunitet.

2.  Panairi i ideve, takimet publike, kartat e raportimit qytetar, kartat e pikëzimit komunitar, vlerësimi pjesëmarrës, buxhetimi me pjesëmarrje.

3. Format e grumbullimit të informacionit rreth organizimit të komunitetit janë të kufizuara.

3. Duhet të përdoren forma të larmishme të grumbullimit të informacionit që çojnë në njohuri të thelluar të problematikave te komunitetit.

3. Përdorimi i të dhënave ekzistuese, hartëzimi i burimeve, hartëzimi social, hartëzimi i institucioneve, matrica e të ardhurave dhe shpenzimeve, anketat.

4.  Pas dëgjesave publike, banorët nuk informohen rreth ndryshimeve të bëra apo rreth impaktit të dëgjesave në planet e zhvillimit vendor.

4.   Dëgjesat publike duhet të shërbejnë si një forum ku banorët informohen në vazhdimësi se çfarë është bërë me sugjerimet e tyre.

4. Dëgjesa publike të organizuara në formatin “Rikthimi në komunitet: Ju folët, ne ju dëgjuam. A ju kemi kuptuar drejt?”, media lokale dhe media sociale, buletine, fletëpalosje, broshura.

5.  Ekspertët e përfshirë në procesin e hartimit të planeve, shpesh, besojnë se banorët nuk janë të kualifikuar për të kontribuar në planet e zhvillimit vendor.

5. Duhet të sfidohen besimet e ekspertëve duke nxjerrë në pah rolin që mund dhe duhet të luajnë banorët në planet e zhvillimit vendor te bashkise se tyre.

5. Ekspozimi ndaj modeleve përfshirëse të aplikuara në vende të tjera, diskutimi i evidencës rreth rolit të komuniteteve, takimet publike, grupet e fokusuara, bashkëpunimi me organizatat lokale.

6. Prezantimi i planeve, shpesh, bëhet në formë abstrakte dhe materiali është i jo lehtësisht i kuptueshëm.

6.   Prezantimi i planeve duhet të bëhet me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjitha grupet e qytetarëve

6.  Prezantimi dhe shpjegimi i koncepteve në gjuhën shqipe; përdorimi i mjeteve vizuale të përshtatshme për kontekstin dhe që stimulojnë pjesëmarrje aktive.

7.  Nuk është ende i qartë niveli në të cilin prioritetet strategjike ndryshojnë si rezultat i diskutimeve me banorët.

7. Banorët duhet të shohin masa konkrete, të cilat demonstrojnë se pikëpamjet e shprehura gjatë diskutimeve janë marrë në konsideratë.

7.  Publikimi i ndryshimeve eventuale të prioriteteve strategjike në median lokale, komunikimi i ndryshimeve në takime publike, postera, fletushka, buletine.

8.  Analiza e situatës dhe përcaktimi i vizionit, në disa raste, realizohet nga zyrtarët, pa u konsultuar me banorët.

8. Duhet të qartësohet se çfarë nënkupton “konsultimi” dhe nga ndryshon nga format e tjera të pjesëmarrjes, si pjesëmarrja pasive apo manipuluese.

8.  SWOT, panairi i ideve, ushtrime në grup me temën “Bashkia që dëshiroj” takimet publike, intervistat, anketat, grupet e fokusuara, grupet dhe forumet.

9.   Përfaqësimi i grave dhe grupeve të përjashtuara, si komuniteti rom dhe egjiptian, është i ulët krahasuar me peshën e tyre në popullatë.

9.  Duhet të bëhen një sërë përpjekjesh për ta bërë procesin përfshirës; Grupi i Punës duhet të reflektojë përbërjen e komunitetit; përpjekjet duhet të fokusohen në shpërndarjen e informacionit dhe qartesinë e përmbajtjes se mesazheve.

9. Intervistat, hartëzimi social, hartëzimi i institucioneve, matrica e të ardhurave dhe shpenzimeve, diskutimet në grup, grupet dhe forumet, media lokale, media sociale, bashkëpunimi me organizatat lokale, mobilizimi i drejtuesve lokalë.

10. Një nga format e përdoruara gjerësisht për mobilizimin e komunitetit është shpërndarja e ftesave; megjithatë, ftesat u dërgohen personave ‘të kualifikuar’ dhe të afërm.

10. Duhet të përdoren forma të ndryshme të shpërndarjes së informacionit të cilat prekin të gjitha grupet dhe mbulojnë të gjithë territorin e njësisë vendore.

10. Media sociale, media lokale, postera, buletine, fletushka, editoriale. Shpërndarja e informacionit nëshkolla, qendra shëndetësore, stacionet e autobuzave, organizata, dyqane.

Viti i mbarë për planifikimin në nivel vendor

Më 13 janar 2016, Ministria e Zhvillimit Urban  dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, organizuan takimin iniciues për hartimin e planeve vendore për 26 njësitë vendore, plane, të cilat u mbështetën financiarisht dhe me ekspertizë teknike nga Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Në takimin e janarit të 2016-ës,  u nënshkrua angazhimi mes palëve të përfshira në proces, si MZHU, AKPT, bashkitë e përzgjedhura dhe ekspertët e planifikimit fitues në garën e hapur nga MZHU. Iu hap kështu rruga, fillimit të punës për hartimin e 26 planeve vendore, proces, i cili ndodh për herë të parë në historinë e zhvillimit të territorit në vendin tonë, i koordinuar në çdo detaj.

Procesi i hartimit të planeve vendore është mjaft i rëndësishëm, pasi u jep bashkive dokumentin bazë, udhërrëfyesin që do të ndihmojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit vendor, e si rrjedhojë të të gjithë vendit. Ky dokument, i cili mund të quhet edhe kushtetuta e zhvillimit të bashkive, do të ndryshojë sjelljen kolektive e administrative karshi territorit, duke i dhënë fund informalitetit, konsumimit të tokës bujqësore e gjithë resurseve të vendit, duke i hapur rrugë përdorimit me mençuri e efikasitet të tyre, duke krijuar garanci e qëndrueshmëri për investimet, si edhe duke garantuar kushte më të mira jetese për të gjithë.

Sot, një vit më pas, kemi mundësinë të raportojmë progresin dhe arritjet e këtij procesi. Gjatë këtij viti kanë qenë të shumta aktivitetet, bashkëpunimet, sfidat, por më e rëndësishmja, realizimet e premtuara. Procesi nuk ishte i thjeshtë dhe vështirësitë ishin të panumërta, por ai shënon suksese dhe krijon një trashëgimi mbi të cilën mund të bëjmë edhe më mirë në vijim.

Rrugëtimi 1-vjeçar i inicuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka sjellë bashkë ekspertë të shumtë, vendas e ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë asistencë teknike të çmuar për bashkitë e reja në hartimin e kushtetutës udhëheqëse të zhvillimit të territorit vendor. Nismës i janë bashkuar rrugës edhe organizata ndërkombëtare, të cilat me bujari morën përsipër mbështetjen financiare dhe teknike për hartimin e 10 planeve të tjera vendore për 10 bashki në veri e jug të vendit.

MZHU dhe AKPT, gjatë vitit 2016 kanë asistuar e lehtësuar procesin e hartimit të 31 planeve vendore, ndërkohë që këtë vit do të vijohet me asistimin e 5 planeve të nisura në fund të 2016-ës dhe 7 planeve të reja që do të shpallen në javët e para të 2017-ës.

MZHU ka organizuar disa takime publike, ku janë ftuar të gjitha palët e përfshira në proces për të raportuar ecurinë dhe për të diskutuar e zgjidhur sfidat e procesit. Gjatë këtyre takimeve është adresuar mbi të gjitha rëndësia e angazhimit maksimal të bashkive për hartimin e një plani që i përgjigjet nevojave të territorit administrativ dhe qytetarëve. Gjithashtu, MZHU ka organizuar edhe takime me donatorë për të zgjuar interesin dhe siguruar asistencën e tyre financiare e teknike për hartimin e sa më shumë planeve vendore.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është institucioni me përgjegjësi funksionale në fushën e planifikimit dhe si e tillë duhet të garantojë që planet e hartuara të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me strategjitë sektoriale, duhet të garantojë që procesi i hartimit të planeve të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, si edhe duhet të garantojë që planet vendore të hartohen në respektim të planeve kombëtare të miratuara. Për të garantuar sa më sipër AKPT ka udhëhequr një proces ku përfshihen dëgjesat publike, forumet ndërinstitucionale, botimet e drafteve të planeve në Regjistrin e Integruar të Territorit, takime konsultative me palët e përfshira në proces, trajinime për stafet e bashkive, si dhe asistencë aktive e të pakursyer sa herë ka qenë e nevojshme.

Gjatë kësaj periudhe AKPT ka asistuar në më shumë se 100 dëgjesa publike, të organizuara nga bashkitë përkatëse, duke dhënë komente e sugjerime për përmirësimin e draft-dokumenteve. AKPT ka organizuar më shumë se 40 Forume për Bashkërendimin e Planifikimit Vendor, duke mbledhur në një tryezë të rrumbullakët institucionet publike që kanë ndikim në territor, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme për të asistuar studiot konsulente dhe bashkitë me komentet e sugjerimet tyre, për të siguruar një mbarëvajtje të procesit dhe konformitet ligjor. Gjithashtu janë organizuartrajnime të ndryshme për stafet e bashkive për një informim sa më të gjerë mbi procesin e hartimit të PPV-së dhe përdorimin e Regjistrit të Integruar të Territorit.

Kemi detyrimin të raportojmë dhe ndihemi krenar që kemi përmbushur një detyrë aspak të lehtë për të rregulluar nëpërmjet planifikimit, zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Gjatë vitit 2016 është punuar dhe ka përfunduar hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për 31 bashki të vendit: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Kurbin, Krujë, Durrës, Shijak, Vorë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Lushnje, Berat, Kuçovë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Gjirokastër, Skrapar, Polican, Urë Vajgurore, Elbasan, Librazhd, Cërrik , Përrenjas, Pogradec, Korçë.

Ndërkohë që 5 prej këtyre planeve, financuar nga USAID dhe asistuar teknikisht nëpërmjet programit PLGP, janë miratuar nga Këshillat Bashkiakë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit e janë gati për t’u vënë në zbatim: Fier, Lushnje, Berat, Kuçovë, Elbasan.

Këshillat Bashkiakë respektivë kanë miratuar Planet e Përgjithshme Vendore të këtyre bashkive dhe në muajin janar, Këshilli Kombëtar i Territorit do të miratojë PPV-të e këtyre bashkive: Tiranë, Krujë, Gjirokastër, Poliçan, Skrapar, Ura Vajgurore, Cërrik, Kukës.

Brenda muajit janar pritet që Këshillat Bashiakë të 18 bashkive të tjera të miratojnë Planet e Përgjithshme Vendore të hartuara tashmë. Më pas, në muajin shkurt, do të organizohet një tjetër mbledhje e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e tyre të plotë. Kështu, prej muajit mars edhe këto bashki do të fillojnë të drejtojnë zhvillimin e territorit duke u bazuar në Planet e Përgjithshme Vendore.

Ka filluar procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, mbështetur nga qeveria zviceriane përmes programit DLDP, për bashkitë: Malësi e Madhe, Mat, Tropojë, Vau i Dejës, Klos.

Pritet të fillojë procesi i hartimit të PPV-ve, mbështetur nga qeveria shqiptare, dhe Ministria e Zhvillimit Urban për bashkitë: Mirditë, Pukë, Belsh, Këlcyrë, Përmet, Gramsh, Kolonjë.