Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

BRIGAID/AKPT – Konferenca e Ndryshimeve Klimatike dhe Inovacionit në Bukuresht, pjesë e takimit periodik të projektit BRIGAID 13-14 qershor 2019

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit mori pjesë në Konferencën e Ndryshimeve Klimatike dhe Inovacionit, organizuar në Bukuresht të Rumanisë nga drejtuesit dhe partnerët e BRIGAID, në kuadër të takimit periodik të këtij projekti.

Aktiviteti dyditor ndërthuri raportimin e ecurisë së deritanishme të projektit, me një konferencë që e ndoqën akademikë, përfaqësues të sipërmarrjeve të vogla e të mesme, inovatorë dhe të dërguar të ministrive dhe agjencive shtetërore rumune.

Fondacioni hollandez Wetskills organizoi një konkurs me studentët, si grupi më aktiv i pjesëmarrësve, për zgjidhjen e problematikës së ndryshimeve klimatike. Fituese u zgjodh ideja më e argumentuar dhe me parashikime të strukturuara financiare.

Dita e dytë ofroi vizita në terren dhe vëzhgimi në praktikë i inovacioneve në “Flood Proof Romania”. Kjo është një zonë e krijuar së fundmi në Facau të Rumanisë, ku testohen projekte dhe inovacione të ndryshme, përfshirë edhe ato që lidhen me përmbytjet. “Flood Proof Romania” është investim i mbështetur nga projekti BRIGAID, Ambasada Hollandeze në Rumani dhe Banka Botërore; ndërkaq është shndërruar në treg inovacionesh dhe prototipesh në fushat e përmbytjeve, thatësirës dhe motit ekstrem.

Pjesëmarrja në takim dhe konferencë ishte interesante dhe frytdhënëse për të gjithë partnerët, pa harruar edhe disa detyra që dolën gjatë punës.

AKPT në muajit vijues do të angazhohet me organizimin e Takimit Periodik të Projektit BRIGAID në Tiranë, që do të zhvillohet më 24-25 tetor 2019.

Akademia 100+ Fshatrat: Seminar “Zhvillimi rural nëpërmjet mbështetjes së Agroturizmit”

Në datat 17-18 Qershor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit së bashku me Universitetin Bujqësor të Tiranës, organizuan seminaret me temë “Zhvillimi rural nëpërmjet mbështetjes së Agroturizmit”.

Seminaret u zhvilluan përkatesisht në datën 17 në mjediset e Agroturizmit Mrizi i Zanave në fshatin Fishtë, bashkia Lezhë dhe në datën 18 në mjediset e Agroturizëm Huqi, fshati Manëz, bashkia Durrës.

Qëllimi kryesor i këtyre seminareve ishte prezantimi dhe ndarja me pjesëmarrësit i studimit akademik të kryer nga UBT dhe Universiteti i Firences, me fokus fermat agroturistike të Shqipërisë dhe ato të rajonit të Toskanës në Itali.

Gjithashtu në seminare u prezantuan dhe diskutuan problemaikat e zhvillimit rural dhe agroturizmit në Shqipëri, potencialet në të ardhmen i modeleve të suksesshme të zhvillimit të agroturizmit si edhe nxitja e bashkëpunimit nëpërmjet pjesëmarrësve.

Në këto seminare morën pjesë Ministria e Kulturës znj. Margariti, përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përfaqësues nga AKPT, përfaqësues nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe universitetit të Firences, përfaqësues të bankës Credis, fermerë dhe sipërmarrës të ndryshëm, etj.

Këto seminare shërbyen si një mundësi e frytshme komunikimi ndërmjet fermerëve, politik-bërësve, akademisë dhe sipërmarrjes, me synim adresimin e sfidave të zhvillimit rural dhe agroturizmit.

Praktika mësimore: Hartimi i një Udhërrëfyesi arkitektonik për ndërtimet në fashën e parë të Brezit Bregdetar

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në mbështetje të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, është angazhuar me praktikën mësimore të studentëve të vitit të IV, dega Arkitekturë.

Tema e kësaj praktike është: “Hartimi i një Udhërrëfyesi arkitektonik për ndërtimet në fashën e parë të Brezit Bregdetar”.

Kjo praktikë ka angazhuar 70 studentë të vitit të IV, të cilët udhëhiqen nga pedagogët përkatës si dhe nga përfaqësues të AKPT.

Qëllimi kryesor i kësaj praktike mësimore është për të zbuluar mënyra të reja edukimi të planifikimit urban dhe për të përpunuar një qasje kritike si dhe për të sjellë alternativa për zhvillimin e territorit, duke u përqëndruar në fashën e parë të Brezit Bregdetar.

Udhërrëfyesi që do të hartohet në fund të praktikës mësimore, do të shërbejë më pas si një dokument ku mund të referohen Planifikuesit dhe Zhvilluesit, të cilët mund të thellohen në gjetje që mund të dalin prej këtij dokumenti.