Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit

Lugina e Lumit Vjosë - Akademia Verore AA ‘17

"Akademia Verore AA'17", zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe procesit të planifikimit vendor të Bashkive Këlcyrë, Kolonjë dhe Përmet, me fokus në Luginën e Vjosës dhe qëllim nxjerrjen në pah të potencialeve turistike të kësaj lugine dhe evidentimin e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme që mund të zhvillohen në këtë territor për të rritur ardhjet e vizitorëve në luginë dhe për shfrytëzimin me efikasitet e përgjegjësi të potencialit natyror turistik që ofron natyra dhe kultura vendase.

Metodologjia: Skuadra e Akademisë Verore (udhëheqësi i Akademisë, asistenti i projektit dhe pesë studentë) do të zhvillojnë një studim kërkimor prej pesë javësh gjatë së cilit do të eksplorojnë potencialet turistike të Rajonit. Puna kërkimore do të ndahet në: dy javë në terren dhe tre javë në Tiranë.

Skuadra do të kryejë detyrat e mëposhtme:

- Gjetje e informacioneve në terren: Gjatë fazës së parë studentët e akademisë do të mbledhin të dhënat me qëllim evidentimin e potencialeve turistike të rajonit.

- Hartimi i projekt-ideve: Të përzgjedhurit do të interpretojnë të dhënat e mbledhura në terren si dhe do t’i përpunojnë ato për publikim. Këto materiale janë në trajtë teksti dhe përpunime grafike.

- Të kryejnë të gjitha detyrat e caktuara nga udhëheqësi i Akademisë dhe asistenti, të cilat janë në funksion të qëllimit të Akademisë dhe objektivave të saj. 

Zona në Studim: Bashkitë Përmet dhe Këlcyrë

Produkti Përfundimtar: Produkti përfundimtar i Akademisë Verore AA '17 do të vijë në trajtën e një botimi, i cili do të mbështetet në këto dy pika kryesore:

a. Krijimin  e një rrjeti aktivitetesh kulturore e turistike, për tërheqjen e vizitorëve dhe gjallërimin e potencialit turistik të luginës, në çdo stinë.

b. Krijimin e një 'buqete' me projekt-ide për ndërhyrje pikësore me karakter pejsazhistik, për evidentimin e tipareve karakteristike të luginës.