Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit

PËRTEJ EVIDENTIMIT...

Janë të shumta arsyet përse territori shqiptar u ndërtua masivisht dhe pa plan, që nga fillim vitet 90-të e këtej.

Sociologë urbanë, psikologë e historianë do ta kenë në fokus të studimeve të tyre dukurinë  e informalitet edhe për shumë vite, deri sa të jenë zbuluar të gjitha shtysat që prodhuan peizazhin që kemi sot. Ka mjaft studiues vendas dhe të huaj që i kanë kushtuar vëmendje akademike dukurisë së ndërtimtarisë informale, por edhe mjaft vizitorë të befasuar dhe gazetarë kureshtarë që kërkojnë të kuptojnë arsyet apo fotografë amatorë a profesionistë që dokumentojnë copëza të peizazhit të veçantë shqiptar, ku informaliteti në ndërtim ka lënë gjurmë të forta.

Produkti i ndërtimtarisë informale në Shqipëri, i ngjan pakkujt ndërtimtarie informale në vende të tjerë të botës. Ndërtimet informale te ne janë ngritur me materiale të qëndrueshme apo të kushtueshme; janë të larta, të pambaruara ose me perspektivën për t’u ngritur edhe më shumë në lartësi; janë me funksione të përzier dhe në pozicione të pamenduar mirë, si për sa i përket marrëdhënies me peizazhin urban e natyror, ashtu edhe përsa i përket rreziqeve të mundshëm natyrorë apo të atyre që vijnë si rezultat i veprimtarive industriale.

Pozicionimi i gabuar i ndërtimeve të pakontrolluara ka shkaktuar jo rrallë dëme ndër  banorët apo përdoruesit e tyre. Por e vërtetë është edhe tjetra: këto ndërtime janë bërë shkak i ngjarjeve me pasoja fatale. Në jo pak raste, përmbytja e tokave bujqësore ka ardhur si rezultat i ndërtimtarisë informale, erozioni në bregdet është nxitur dhe përshpejtuar nga ndërtimet e kryera me nisma individuale, aksidentet rrugore kanë ndodhur edhe për shkak të mungesës së hapësirës në rrugë si pasojë e ndërtimeve pa leje. Këto janë vetëm disa prej pasojave të dukshme e të matshme të ndërtimtarisë informale. Ajo ka shkaktuar mjaft pasoja të dëmshme në ekonomi, si në atë individuale ashtu edhe në ekonominë e vendit në tërësi, sikurse ka dëmtuar rëndë peizazhin urban dhe rural, ka sjellë gjithashtu ndryshime të ndjeshme dhe shpesh negative në mënyrën e jetesës familjare.

Vërshimi i ndërtimtarisë informale pothuajse në të gjithë periferitë urbane, Ultësirën Perëndimore dhe në bregdet, si dhe ritmi i shpejtë i ndërtimit të strukturave informale, solli si pasojë edhe anashkalimin e traditës së ndërtimit sipas vendit dhe kushteve klimatike, përdorimin e materialeve lokale apo lidhjen me tipologjitë e arkitekturës vernikulare, si tregues i vazhdimësisë dhe traditës së mënyrës së jetesës. Këto tipare kanë qenë ndër shekuj garanci për një banesë të mirë dhe për përcjelljen e dijes dhe kulturës nga një brez në tjetrin. Duket se informaliteti në ndërtim, nuk ka sjellë vetëm pasoja fizike dhe ekonomike, por ka ndikuar negativisht edhe në trashëgiminë e kulturës popullore.

Ekspozita Evoked – Architectural  Diptychs dhe ky botim, nuk marrin përsipër të pasqyrojnë  në thellësi dhe me detaje të gjithë gamën e shkaqeve dhe të pasojave që ka sjellë ndërtimtaria informale në vendin tonë, por të sjellin një fragment të vogël të kësaj dukurie në një platformë, e cila mund të krijojë një jehonë të mjaftueshme për ta sjellë NDRYSHE në vëmendje këtë dukuri.

Ndërtimet informale në territor janë fakt. Në këta vite të fundit janë ndërmarrë disa nisma, për të ndalur përfundimisht dukurinë e ndërtimit informal, e cila konsiderohet një krim ndaj natyrës dhe shoqërisë; për të stimuluar ndërtimin me leje dhe për të lehtësuar procedurat e lejemarrjes; për të planifikuar territorin në mënyrë që ndërtimet të ngrihen vetëm aty ku mund të shërbehen me infrastrukturë dhe ku nuk shkaktojnë dëme për natyrën dhe njeriun; si edhe për të prishur ndërtimet që dëmtojnë trashëgiminë kulturore dhe atë natyrore. Premisat janë që këto masa t’i japin fund informalitetit në ndërtim, por ato nuk eliminojnë strukturat e ndërtuara informale anembanë vendit. Legalizimi i objekteve informale që plotësojnë kriteret e përcaktuar, i bën ato pjesë të regjistrit të pasurive të paluajtshme dhe i fut në tregun imobiliar, e për rrjedhojë edhe kontribues në ekonomi. Por ky fakt nuk e ndryshon aspak impaktin fizik që ndërtimet informale kanë në peizazh, sikurse nuk ndryshon edhe mënyrën e përçudnuar të jetesës që ka formësuar ndërtimtaria informale. Fakt është që ndërtime informale në territorin tonë ka mjaft dhe pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar për arsye strehimi. Si rrjedhojë, atyre duhet t’u qasemi edhe NDRYSHE.

Lind nevoja, që përveç se të planifikojmë territorin për t’i paraprirë zhvillimit, si planifikues, arkitektë, sociologë, psikologë, studiues, etj., duhet të hulumtojmë mënyrën se si këto struktura të paplanifikuara dhe të ndërtuara spontanisht, mund të lidhen me territoret ku janë vendosur, si nga pikëpamja e infrastrukturës së domosdoshme të shërbimit dhe asaj sociale, edhe nga pikëpamja estetike dhe funksionale që ndikojnë gjithashtu drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës.

Ekspozita Evoked – Architectural  Diptychs është edhe një ftesë për një diskutim frytdhënës mes kolegësh dhe intelektualësh për të menduar se si mund ta shndërrojmë kapitalin e ndërtimeve informale në vlerë ekonomike, sociale dhe estetike, por edhe se si mund të bëjmë një kthesë si shoqëri në mënyrën se si i trajtojmë pasojat e informalitetit, të cilat deri më sot vetëm i kemi evidentuar si mjaft negative apo thjesht i kemi injoruar.

Fotot e 16 ndërtimeve informale, zgjedhur përgjatë bregdetit shqiptar e fotografuar nga Albes Fusha, dhe propozimet e 32 arkitektëve shqiptarë dhe italianë për të dialoguar me këto realitete, janë përmbajtja e ekspozitës Evoked – Architectural  Diptychs dhe e këtij botimi. Kuratorët dhe autorët e produkteve të ekspozuar, marrin përsipër të ngrenë një platformë diskutimi. Veprat e ekspozuara tentojnë vetëm të provokojnë një mënyrë të menduari NDRYSHE dhe një qasje tjetër ndaj ndërtimeve informale, e nuk kanë për qëllim të mbartin tiparet e projekteve të hartuar për t’u zbatuar.

Ekspozita dhe ky botim shpresojmë të nxisin vazhdimin e diskursit dhe ndryshimin e shpejtë të realitetit të sotëm të strukturave informale.

Adelina Greca