Në bashkinë Malësi e Madhe më datat 05-06.10.2016 u zhvillua “workshop-i” në kuadër të fillimit të procesit të Hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të bashkisë Malësi e Madhe.

Pjesëmarrës në workshop ishin përfaqësues të organizuesit dhe donatorit “DLDP”, përfaqësues të AKPT-së, të studiove konsulente si edhe përfaqësues të bashkisë Malësi e Madhe.

Data 05.10.2016

Dita e parë e takimit ishte e organizuar në formën e një seri vizitash në terren për të njohur nga afër territorin e bashkisë Malësi e Madhe, potencialin e saj sa i përket relievit (bregu i liqenit, fusha e Koplikut dhe Alpet), zonave të banuara urbane dhe rurale me karakter fushor (Kopliku, Bajza) dhe malor (Razma, Tamara, Hoti, Boga, Reçi, etj).

Pas një vizite të shkurtër në ambjentet e bashkisë në qytetin e Koplikut, u vijua në drejtim të fshatit Tamarë në pjesën veriore të bashkisë afër kufirit më Malin e Zi. Gjatë rrugës u vlerësuan investimet në infrastrukturë (rruga e re e asfaltuar drejt Tamarës, shëtitorja e re e Tamarës, infrastruktura sekondare), Leqet e Hotit dhe pamjet mahnitëse të grumbullit malor të alpeve, diversiteti mjedisor, etj.

Data 06.10.2016

Dita  e dytë përfshinte organizimin e një takimi midis stafit të bashkisë dhe ekspertit zvicerian Z. Alfred Wenger gjithashtu në praninë e ekspertëve të DLDP-së, ekspertëve të studios konsulente “Atelier 4” dhe koordinatorit të AKPT për bashkinë e Malësisë së Madhe.

Më pas fjalën e mori përfaqësuesja e studios konsulente, duke bërë një prezantim të gjetjeve të analizës fillestare të bërë nga ana e saj. Prezantimi përmbante:

  • Përcaktime nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar;
  • Lidhja me planet e bashkive fqinje (PPV bashkia Shkodër);
  • Analiza e çdo njësie administrative pjesë përbërëse e territorit të bashkisë;
  • Pikat e forta të bashkisë;
  • Problematikat mjedisore;
  • Elementët e fortë territorial;
  • Infrastuktura e rinovuar dhe e degraduar.

Takimi i mbyll me shkëmbime informacionesh dhe mendimesh midis palëve.