“Ditar i një hapësire” është ekspozita e organizuar nga  Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Zhvillimit Urban për vizionin Shqipëria 2030. Ekspozita u çel në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe qëndroi e hapur  për 7 muaj duke tërhequr gjatë kësaj periudhe më shumë se 5 mijë vizitorë të fushave të ndryshme si: arkitektë, planifikues, studentë, nxënës e profesionistë të ndryshëm, ku një pjesë e mirë ndër ta ishin edhe të huaj.

Përveç shpalosjes së Vizionit Shqipëria 2030, vizionit për 15 vitet e ardhshme të drejtimit të zhvillimit të territorit të Shqipërisë, kjo ekspozitë i prezantoi publikut edhe një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në ditët e sotme, për formimin e vendbanimeve në Shqipëri si edhe për thesaret që ajo mbart.

Në mjediset e ekspozitës u bë një ndër mbledhjet më të veçanta të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratuan dokumentet strategjikë pjesë e Vizionit Shqipëria 2030: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Ceremonia e mbylljes së DITAR u zhvillua në praninë e Ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, drejtuesve të agjencive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me MZHU dhe AKPT, profesionistëve të ndryshëm që kanë kontribuar në proceset e punës për Vizionin Shqipëria 2030 dhe ngritjen e ekspozitës, si edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Fjalën e hapjes së ceremonies e mbajti znj. Gjermeni, e cila vlerësoi edhe njëherë punën e palodhur të kryer nga stafi i AKPT-së dhe i Ministrisë së Zhvillimit Urban, si edhe përmendi rëndësinë që mbajti në vetvete kjo ekspozitë për të gjithë vizitorët. U bë një falenderim i veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët që ishin një ndihmesë për çeljen dhe mbarëvajtjen me sukses të saj.

Kjo ekpozitë nuk u pa si një proces tashmë i përfunduar, por si një shtysë për ndërmarrjen e projekteve dhe aktiviteteve të reja me qëllim sensibilizimin për mbrojtjen e territorit dhe natyrës sonë.

Informacioni i prezantuar në DITAR dhe dokumentet e lidhura me të do të kalohen në një hapësirë virtuale, e cila mund të vizitohet në çdo kohë dhe në vazhdimësi. Për këtë hapësirë po punohet nga AKPT.