Më 13 janar 2016, Ministria e Zhvillimit Urban  dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, organizuan takimin iniciues për hartimin e planeve vendore për 26 njësitë vendore, plane, të cilat u mbështetën financiarisht dhe me ekspertizë teknike nga Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Në takimin e janarit të 2016-ës,  u nënshkrua angazhimi mes palëve të përfshira në proces, si MZHU, AKPT, bashkitë e përzgjedhura dhe ekspertët e planifikimit fitues në garën e hapur nga MZHU. Iu hap kështu rruga, fillimit të punës për hartimin e 26 planeve vendore, proces, i cili ndodh për herë të parë në historinë e zhvillimit të territorit në vendin tonë, i koordinuar në çdo detaj.

Procesi i hartimit të planeve vendore është mjaft i rëndësishëm, pasi u jep bashkive dokumentin bazë, udhërrëfyesin që do të ndihmojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit vendor, e si rrjedhojë të të gjithë vendit. Ky dokument, i cili mund të quhet edhe kushtetuta e zhvillimit të bashkive, do të ndryshojë sjelljen kolektive e administrative karshi territorit, duke i dhënë fund informalitetit, konsumimit të tokës bujqësore e gjithë resurseve të vendit, duke i hapur rrugë përdorimit me mençuri e efikasitet të tyre, duke krijuar garanci e qëndrueshmëri për investimet, si edhe duke garantuar kushte më të mira jetese për të gjithë.

Sot, një vit më pas, kemi mundësinë të raportojmë progresin dhe arritjet e këtij procesi. Gjatë këtij viti kanë qenë të shumta aktivitetet, bashkëpunimet, sfidat, por më e rëndësishmja, realizimet e premtuara. Procesi nuk ishte i thjeshtë dhe vështirësitë ishin të panumërta, por ai shënon suksese dhe krijon një trashëgimi mbi të cilën mund të bëjmë edhe më mirë në vijim.

Rrugëtimi 1-vjeçar i inicuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka sjellë bashkë ekspertë të shumtë, vendas e ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë asistencë teknike të çmuar për bashkitë e reja në hartimin e kushtetutës udhëheqëse të zhvillimit të territorit vendor. Nismës i janë bashkuar rrugës edhe organizata ndërkombëtare, të cilat me bujari morën përsipër mbështetjen financiare dhe teknike për hartimin e 10 planeve të tjera vendore për 10 bashki në veri e jug të vendit.

MZHU dhe AKPT, gjatë vitit 2016 kanë asistuar e lehtësuar procesin e hartimit të 31 planeve vendore, ndërkohë që këtë vit do të vijohet me asistimin e 5 planeve të nisura në fund të 2016-ës dhe 7 planeve të reja që do të shpallen në javët e para të 2017-ës.

MZHU ka organizuar disa takime publike, ku janë ftuar të gjitha palët e përfshira në proces për të raportuar ecurinë dhe për të diskutuar e zgjidhur sfidat e procesit. Gjatë këtyre takimeve është adresuar mbi të gjitha rëndësia e angazhimit maksimal të bashkive për hartimin e një plani që i përgjigjet nevojave të territorit administrativ dhe qytetarëve. Gjithashtu, MZHU ka organizuar edhe takime me donatorë për të zgjuar interesin dhe siguruar asistencën e tyre financiare e teknike për hartimin e sa më shumë planeve vendore.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është institucioni me përgjegjësi funksionale në fushën e planifikimit dhe si e tillë duhet të garantojë që planet e hartuara të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me strategjitë sektoriale, duhet të garantojë që procesi i hartimit të planeve të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, si edhe duhet të garantojë që planet vendore të hartohen në respektim të planeve kombëtare të miratuara. Për të garantuar sa më sipër AKPT ka udhëhequr një proces ku përfshihen dëgjesat publike, forumet ndërinstitucionale, botimet e drafteve të planeve në Regjistrin e Integruar të Territorit, takime konsultative me palët e përfshira në proces, trajinime për stafet e bashkive, si dhe asistencë aktive e të pakursyer sa herë ka qenë e nevojshme.

Gjatë kësaj periudhe AKPT ka asistuar në më shumë se 100 dëgjesa publike, të organizuara nga bashkitë përkatëse, duke dhënë komente e sugjerime për përmirësimin e draft-dokumenteve. AKPT ka organizuar më shumë se 40 Forume për Bashkërendimin e Planifikimit Vendor, duke mbledhur në një tryezë të rrumbullakët institucionet publike që kanë ndikim në territor, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme për të asistuar studiot konsulente dhe bashkitë me komentet e sugjerimet tyre, për të siguruar një mbarëvajtje të procesit dhe konformitet ligjor. Gjithashtu janë organizuartrajnime të ndryshme për stafet e bashkive për një informim sa më të gjerë mbi procesin e hartimit të PPV-së dhe përdorimin e Regjistrit të Integruar të Territorit.

Kemi detyrimin të raportojmë dhe ndihemi krenar që kemi përmbushur një detyrë aspak të lehtë për të rregulluar nëpërmjet planifikimit, zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Gjatë vitit 2016 është punuar dhe ka përfunduar hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për 31 bashki të vendit: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Kurbin, Krujë, Durrës, Shijak, Vorë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Lushnje, Berat, Kuçovë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Gjirokastër, Skrapar, Polican, Urë Vajgurore, Elbasan, Librazhd, Cërrik , Përrenjas, Pogradec, Korçë.

Ndërkohë që 5 prej këtyre planeve, financuar nga USAID dhe asistuar teknikisht nëpërmjet programit PLGP, janë miratuar nga Këshillat Bashkiakë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit e janë gati për t’u vënë në zbatim: Fier, Lushnje, Berat, Kuçovë, Elbasan.

Këshillat Bashkiakë respektivë kanë miratuar Planet e Përgjithshme Vendore të këtyre bashkive dhe në muajin janar, Këshilli Kombëtar i Territorit do të miratojë PPV-të e këtyre bashkive: Tiranë, Krujë, Gjirokastër, Poliçan, Skrapar, Ura Vajgurore, Cërrik, Kukës.

Brenda muajit janar pritet që Këshillat Bashiakë të 18 bashkive të tjera të miratojnë Planet e Përgjithshme Vendore të hartuara tashmë. Më pas, në muajin shkurt, do të organizohet një tjetër mbledhje e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e tyre të plotë. Kështu, prej muajit mars edhe këto bashki do të fillojnë të drejtojnë zhvillimin e territorit duke u bazuar në Planet e Përgjithshme Vendore.

Ka filluar procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, mbështetur nga qeveria zviceriane përmes programit DLDP, për bashkitë: Malësi e Madhe, Mat, Tropojë, Vau i Dejës, Klos.

Pritet të fillojë procesi i hartimit të PPV-ve, mbështetur nga qeveria shqiptare, dhe Ministria e Zhvillimit Urban për bashkitë: Mirditë, Pukë, Belsh, Këlcyrë, Përmet, Gramsh, Kolonjë.