7 bashki: Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Përmet, Këlcyrë, dhe Kolonjë do të mbështeten financiarisht nga Qeveria  për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore gjatë vitit 2017.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë një takimi informues u bëri me dije kryetarëve të këtyre bashkive se, së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja mes MZHU (AKPT), bashkive dhe studiove që do të punojnë për hartimin e planeve.

“Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në bashkitë tuaja, të cilat do t’i bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit që kaloi.  Përvoja e vitit që kaloi me këto 26 bashki ka qenë sfiduese dhe me jo pak vështirësi. Disa prej tyre ende nuk i kanë miratuar këto plane në këshilla bashkiakë, ndërkohë që nuk duhet humbur më kohë. Në punën që ju do të nisni pas pak javësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe bashkëpunimi, veçanërisht sa i takon Drejtorive të Urbanistikës. Ajo çka nuk duhet të neglizhohet është respektimi i afateve, për të bërë të mundur që në këtë 1 vit t’i jepni bashkive tuaja planet e munguara prej 25 vitesh“, tha Ministrja gjatë takimit me kryebashkiakët.

Drejtuesit e 7 bashkive nënvizuan në fjalën e tyre se, mungesa e Planeve të Përgjithshme Vendore ka çuar në kufizim të investimeve dhe dështimin e shumë projekteve. Ata i cilësuan Planet Vendore që do të hartohen e miratohen këtë vit si instrumentin e duhur që i japin frymëmarrje investimeve dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qyteteve.

Një vit me parë, në janar 2016, MZHU, në emër të Qeverisë Shqiptare, firmosi marrëveshje me 26 bashki dhe studiove vendase dhe ndërkombëtare për hartimin e PPV, me një fond prej 560 mln lekësh.

Puna për këto plane pritet të finalizohet brenda muajit shkurt me miratimin e PPV në Këshillat Bashkiakë dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID për planet vendore., plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),do të japë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, konkretisht për: Malësinë e Madhe, Tropojën , Matin, Klosin dhe Vaun e Dejës.