Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përgënjeshtron deklaratën për shtyp të zëdhënëses së Partisë Demokratike Znj. Ina Zhupa, në lidhje me përfshirjen e një punonjësi të kësaj agjencie, në realizimin e videos së transmetuar më datë 22.12.2018, mbi përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

Sqarojmë se, informacioni i pretenduar nga zëdhënësja për shtyp e zyrës së Partisë Demokratike, si informacion i rezervuar dhe autentik i nxjerrë nga sistemi elektronik i agjencisë, është informacion, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit www.planifikimi.gov.al

Referuar përmbajtjes së videos së transmetuar nga zyra e Partisë Demokratike, saktësojmë edhe një herë ashtu sikurse në Deklaratën për Shtyp-Përgënjeshtrim të datës 04.09.2018 se, për të aksesuar hartën GIS nuk është i nevojshëm logimi nëpërmjet serverit pasi, në faqen zyrtare të AKPT ofrohet ndër të tjera dhe Shërbimi e-Harta, i cili është një shërbim i hapur, në dispozicion të publikut të gjerë të interesuar mbi ecurinë e proceseve planifikuese në territor.

Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-Harta paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

Ritheksojmë edhe njëherë se, asnjë punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nuk është i përfshirë në realizimin e videos së transmetuar. Imazhet e shfaqura në video përmbajnë informacione të hapura për publikun, të cilat mund të aksesohen lehtësisht nga çdo person i interesuar, duke vizituar faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Për sa më sipër, deklarata për shtyp e Znj. Ina Zhupa zëdhënëse e Partisë Demokratike, nuk janë gjë tjetër veçse, një disinformim i përsëritur i publikut dhe krijimi i perceptimit të gabuar të tij, duke cënuar publikisht në media emrin dhe imazhin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.