Në datën 31 Tetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, mori pjesë në takimin e zhvilluar në Shishtavec me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Koordinatores Kombëtare të Programit “100 Fshatrat”, ministra, drejtues të administratës publike, përfaqësues të komunitetit të zgjedhur në Parlament, etj.

Shishtaveci është pjesë e programit të “100 fshatrave”, ndaj Kryeministri Edi Rama përmes fjalës së tij nxiti projektet për zhvillimin e agroturizmit në këtë zonë.

“Ne do të stimulojmë të gjithë ata që kanë një projekt. Vitin e ardhshëm ne do të vendosim edhe më shumë fonde në drejtim të agroturizmit dhe flas për para që i shkojnë në dorë atyre që duan të merrem me agroturizmin dhe jo për kredi apo borxhe. Kjo është një mënyrë ku shteti kontribuon drejtpërdrejtë duke mbështetur projektin e një familjeje, të një investitori apo emigranti”, – tha Rama.

“Transformimi i Shishtavecit në një destinacion të rëndësishëm turistik për turizmin dimëror do të kthehet shumë shpejt nga një ëndërr në një realitet shumë të prekshëm” – deklaroi Kryeministri Edi Rama, ndërsa prezantoi projektin e dy djemve nga Kukësi, të cilët së bashku me investitorë dhe specialistë sllovenë do të ndërtojnë një resort skish në këtë zonë.

“Rezulton se Shishtaveci ka qenë zonë skish që nga viti 1914-1918, koha e Luftës së Parë Botërore, kur austro-hungarezët zhvillonin gara me ski. Ne jemi shumë të bindur se përfshirja e Shishtavecit në programin e “100 fshatrave” dhe masterplani i Shishtavecit janë një garanci se shumë shpejt do të shikojmë zhvillime të rëndësishme” – shtoi ai në fund.

“Programi “100 Fshatrat” ku bën pjesë edhe Shishtaveci synon të sjellë një model zhvillimi për turizëm në katër stinët e vitit”, theksoi në fjalën e saj Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 fshatrat”, znj. Elva Margariti.

“Në rastin e Shishtavecit e veçanta qëndron te fakti, se ky fshat mund t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë” – shtoi në fund ajo.

“Natyra, faktori kulturor e social dhe infrastruktura janë tre komponentë që i gjejmë në zonën e Shishtavecit në Kukës”, kështu u shpreh, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare për Planifikimin e Territorit, znj. Adelina Greca.

“Natyra e Shishtavecit është e ndarë mes tre produkteve që na dhuron natyra, kemi pyje, livadhe edhe tokë bujqësore. Kjo tregon edhe mbështetjen e modelit të zhvillimit, një model i bazuar në turizëm, por edhe në prodhime bujqësore dhe blegtorale, përpunimin e tyre në zonë, si dhe në promovimin e natyrës nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve turistike” – nënvizoi ajo.