Pak muaj pas miratimit në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban (Habitati III) në Quito, (Equador), Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me UN Habitat 3, lancuan  botimin në gjuhën shqipe të Axhendës së Re Urbane.

Ceremonia e lancimit të dokumentit të rëndësishëm u konceptua në formën e një mëngjesi pune (Urban Breakfast-Good Morning Tirana), me pjesëmarrjen e Ministres së Zhvillimit Urban, znj.Eglantina Gjermeni, Ministrit për Çështjet Vendore, z. Eduard Shalsi,  zv.Sekretari i Përgjitshëm i Habitat III,  z. Kumaresh Misra, Drejtorja Ekzekutive e PNUD në Shqipëri, znj. Limaya Eltayeb si dhe përfaqësues të institucioneve të linjës, partnerëve ndërkombëtare, medias e shoqërisë civile.

Ministrja Gjermei në fjalën e saj, e cilësoi Axhendën Urbane një platformë që përcakton parimet dhe angazhimet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të qyteteve.

“Axhenda që ne sjellim sot të përkthyer në gjuhën shqipe është një dokument orientues për shtetet anëtare në hartimin e politikave kombëtare gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që ju përgjigjen nevojave të qytetarëve për zhvillim të balancuar social dhe ekonomik,  përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve si hapësira të shfrytëzueshme dhe miqësore për të gjithë grupëmoshat”, tha Ministrja Gjermeni.

Duke prezantuar reformat e ndërrmarra nga Qeveria në këto katër vite në fushën e zhvillimit urban, në sektorë si planifikimi, legalizimi, strehimi apo Rilindja Urbane, Ministrja Gjermeni bëri me dije se së shpejti do të miratohet ligji i ri i strehimit social, nëpërmjet të cilit rritet numri i programeve e kësisoj edhe i përfituesve në rradhët e familjeve në nevojë.

“Zhvillimin urban nuk e kemi parë asnjëherë si një proces më vete dhe të izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik, por një platformë të gjallë ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm mund të rezultojë në cenim të aseteve të përbashkëta”, deklaroi Ministrja.

Përfaqësuesi i lartë i UN Habitat III, z. Mistra duke përshëndetur takimin, theksoi se, duke ritrajtuar mënyrën se si janë planifikuar, financuar, zhvilluar, qeverisur dhe menaxhuar qytetet dhe vendbanimet, Agjenda e Re Urbane do të ndihmojë për t'i dhënë fund varfërisë dhe urisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj; do të zvogëlojë pabarazitë; do të nxisë rritjen ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme; do të arrijë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, me qëllimin që ato të japin sa më të plotë kontributin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm; do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve; do të nxisë aftësitë ripërtëritëse; dhe do të mbrojë mjedisin.

Më tej, në një diskutim të hapur mbi prioritetet që Axhenda e Re Urbane orienton, pjesëmarrësit këmbyen informacion për secilën prej shtyllave kryesore që kjo axhendë përfshin.