Më datë 13 Tetor 2017, në qytetin e Përmetit u mblodh për herë të parë Forumi i parë mbi “Zhvillimin e qëndrueshëm të Rajonit të lumit Vjosë”, organizuar nga AlbKonfindustria në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Qëllimi i aktivitetit një-ditor ishte vlerësimi i zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të territorit, me theksin tek domosdoshmëria për të ruajtur njëkohësisht ekosistemin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të bashkive pjesë e rajonit të lumit Vjosa, të cilët prezantuan vlerat natyrore, mjedisore, kulturore dhe historike të lumit dhe përfitimet e bashkive nga prezenca e lumit, si edhe problematikat që ai përcjell.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit prezantoi misionin e saj për sigurimin e një procesi planifikimi të qëndrueshëm, nëpërmjet planeve kombëtare dhe planeve vendore, si edhe rëndësinë që ka përfshirja e komunitetit në këtë proces. Puna kërkimore “Metabolizmi i Shqipërisë” dhe Plani i Përgjithshëm Kombëtar, kanë të përfshira në dokumentet e tyre propozime mbi zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të lumit Vjosë dhe vizionin për shpalljen e luginës së lumit Vjosë Park Kombëtar.

Në takim prezantuan edhe organizata jo fitimprurëse duke vendosur theksin në rëndësinë që mbart slogani “Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë”, për zhvillimin e eko-turizmit, si edhe dëmet ekonomike dhe mjedisore që mund të vijnë nga ndërtimi veprave energjetike, pa kriter e masë.

Përfaqësues të qeverisjes qendrore u shprehën mbi vlerat ekologjike dhe kulturore të lumit dhe rajonit përreth tij, mbi përfitimet që mund të sjellë ndërtimi veprave energjetike, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë mjedisor e social, si edhe për efektet anësore negative që ato mund të shkaktohen prej tyre.

Në takim kishte pjesëmarrje të lartë edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile dhe të medias, të cilën kontribuan në diskutim duke e pasuruar atë me këndvështrime të ndryshme.

Në përfundim të prezantimeve dhe diskutimeve, iu la hapësirë platformës Atelier Albania, e përfaqësuar nga programi i Akademisë Verore 2017, për të prezantuar gjetjet dhe propozimet e nxjerra nga puna kërkimore 5-javore mbi “Zhvillimin e luginës së lumit Vjosë”.