Më datë 11-14 Qershor 2017 është organizuar Konferenca e përvitshme e 30-të nga Shoqata e Shkollave Europiane të Planififikimit (AESOP). Këtë vit konferenca u organizua në Lizbonë, Portugali me temë “Hapësirat e dialogut për vende me dinjitet: Edukimi i dimensionit europian të planifikimit”.

Qëllimi i konferencës është nxitja e debatit dhe kërkimi i rrugëve për një të ardhme progresive me një territor më pak të urbanizuar dhe që mund të përballojë rritjen e popullsisë, ndryshimet sociale, trendet ekonomike  komplekse dhe ndryshimet klimaterike. Platforma e diskutimit përfshin rritjen e mirëqënies së njerëzve, promovimi i përqasjeve të integruara dhe fleksibël të planifikimit, nxitja e bashkëpunimit në menaxhimin urban dhe mjedisor, etj.

Znj. Anisa Qorri, drejtore e Planifikimit Kombëtar pranë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, mori pjesë në konferencë për të prezantuar punën e Agjencisë dhe për të përshkruar situatën aktuale të proceseve të planifikimit të territorit në Shqipëri.  

Nga metabolizmi urban drejt instrumentave të planifikimit territorial

Praktikat e zbatuara gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri kanë sjellë një rezultat negative të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit. Kombinimi i këtyre praktikave më faktorë socialë apo ekonomikë kanë sjellë rritjen e zhvillimeve informale, përdorimin e gabuar të tokës dhe degradimin e burimeve natyrore. Kjo situatë solli nevojën për një studim metabolik urban, e cila duhej të ishte në nivel rajoni për të kryer një identifikim të plotë të çështjeve problematike. Kjo lloj mënyre studimi duhet të përdoret edhe në planet kombëtare edhe në ato rajonale dhe urbane.

Drejt një kohezioni territorial me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, për Shqipërinë 2030

Prezantimi jep fillimisht situatën para hartimit të PPK-së dhe nevojën për hartimin e këtij dokumenti. PPK ka tre pjesë përbërëse të saj: analiza metabolike e territorit, deklarata e vizionit dhe propozimet strategjike, nga të cilat u prezantuan shkurtimisht pikat kryesore. Transparenca e procesit të hartimit të planit dhe përfshirja sa më e gjerë e komunitetit për të dhënë kontributin e tyre, në territorin ku jetojnë, ishin pika të rëndësishme gjatë gjithë procesit.

Për të lexuar temën e plotë të prezantuar, klikoni KËTU