Më datë 21 Korrik 2017, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka organizuar takimin e katërt për prezantimin e ndryshimeve të propozuara ligjore të VKM-së Nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit” institucioneve të qeverisjes qendrore.

Në takim ishin të pranishëm disa aktorë, si përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Bujqësisë së Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Në takim u prezantuan: 

  • Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 4 “Plani Kombëtar Sektorial”: qëllimi i hartimit të këtyre planeve nga ministritë përkatëse, për të zhvilluar strategjikisht një ose më shumë sektorë sipas fushave të kompetencës.
  • Ndryshimet në Kreun II / Seksioni 5 “Plani i Detajuar për Zonën e Rëndësisë Kombëtare” duke u ndalur në: 
    1. zona dhe/ose çështja e rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit, ku propozohet zhvillim i ri, brenda kufizimeve ligjore e sektoriale;
    2. Aktorët dhe rolet e tyre në procesin e PDZRK-së;
    3. Hapat nëpër të cilat PDZRK-ja duhet të kalojë: iniciativa, vlerësimi, nisma, koordinimi, hartimi, bashkërendimi, kontrolli dhe miratimi.
    4. Përmbajtja, për të cilën VKM-ja ndjek hapat dhe strukturën e secilës fazë të hartimit të PDZRK-ve të grupuar si më poshtë:
    5. Analiza dhe Strategjia Territoriale;
    6. Plani i Zhvillimit të Territorit; Rregullorja e Planit; Vlerësimi Strategjik Mjedisor;
    7. Plani i Detajuar i Zhvillimit; Rregullorja e Planit të Detajuar; Informacioni gjeohapësinor i territorit i integruar në platformën GIS, sipas standardeve të RKPT-së;

Gjatë diskutimit u ngritën disa çështje si:

    1. Plani Kombëtar Sektorial i Energjisë i miratuar, për të cilin MEI ka planifikuar të ndërtojë 50 ha tokë me panele fotovoltaike, për të përmbushur nevojën e 50 mW; si duhet vepruar në këtë rast, cfarë orientimesh i duhen dhënë investitorëve të mundshëm mbi territoret më të përshtatshme për realizimin e këtyre infrastrukturave;
    2. Koha e menduar e zgjatjes së  procesit të vlerësimit të komisionit;
    3. Rishikimi i VKM-ve të minsitrive të tjera për tu përshtatur me ndryshimet e VKM-së së Planfikimit;
    4. Qartësimi mbi hapat në të cilat kalon ky proces, Autorizimi i dalë nga Ministri përgjegjës duhet të jepet pas vlerësimit paraprak të komisionit të përbashkët, në mënyrë që hapat që do ndjekë investitori të jenë të qarta;
    5. Duhet të ketë më shumë koordinim midis institucioneve dhe ministrive, në mënyrë që të bashkërendohen strategjitë dhe objektivat e zhvillimit për sektorët prioritarë të secilës ministri, duke mos cënuar kompetencat dhe strategjitë e njëri-tjetrit.

Ky ishte takimi i katërt dhe i fundit ndër takimet e planifikuara për konsultimin e ndryshimeve ligjore të Rregullores së Planifikimit të Territorit.