Në datat 26 dhe 27 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Superwien, Urban Design Lab, Bashkinë Sarandë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u bënë bashkë për jetëzimin e projektit të Bankës Botërore, PIUED, duke organizuar punëtori me grupet e interesit të komuniteti në Ksamil, mbi zhvillimin urban të qëndrueshëm të Ksamilit në të ardhmen.

Gjatë aktiviteteve dy-ditore u diskutuan me pjesëmarrësit ndërhyrjet prioritare sipas komunitetit me fokus përmirësimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e potencialit turistik në zgjatjen e sezonit, si dhe mundësive për zhvillimin e ekonomisë lokale me kultivuesit e midhjeve, peshkimit dhe artizanëve të zonës.

Punëtoritë me komunitetin dhe nxënësit e shkollës së mesme rezultuan të frytshme, ku u nxitën mjaft diskutime mes banorëve për përmirësimin e gjendjes ekzistuese të Ksamilit. Në përmbyllje të punëtorive u organizua më datë 27 Shtator, në orën 18:00, prezantimi i hapur në Ksamil, ku banorëve Ju tregua e prezantua idetë e para të frymëzuara nga bashkëbisedimet e zhvilluara me komunitetin e Ksamilit në datat 26-27 shtator.