Në bashkinë Mat më datat 17.10.2016 u zhvillua takimi në kuadër të fillimit të procesit të Hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të bashkisë Mat.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të organizuesit dhe donatorit “DLDP”, përfaqësues të AKPT-së, të studiove konsulente “Metropolis” si edhe përfaqësues të bashkisë.

Takimin e hapi përfaqësuesi i DLDP-së, ku u vu theksi mbi:

  • Rishikimi i Nismës për hartimin e PPV-së (për arsye të kalendarit të punës, pjesë e kontratës për hartimin PPV, duhen përshtatur afatet e përcaktuar tek dokumenti i Nismës).
  • Mbledhja e të dhënave, sipas kërkesave të kuadrit ligjor për hartimin e Raportit të Analizës dhe Vlerësimit të Territorit. Shfrytëzimi i të dhënave të projektit STAR për këtë qëllim.
  • Ngritja e një grupi pune, permanent në bashki që të ndjeki procesin e PPV-së.

U vendos që në datën 20 Tetor 2016, ora 10:00 të bëhet takimi i parë i grupit të punës ku do të jenë prezent përfaqësues të studios konsulente Metropolis si dhe stafi teknik i bashkisë Mat, ku do të diskutohet më konkretisht në lidhje me programin e punës i cili do të zbatohet gjatë hartimit të PPV.

Nga stafi i AKPT-së u theksua se përpara marrjes së nismës duhet të organizohet një dëgjesë publike duke respektuar afatet kohore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Gjithashtu u garantua bashkëpunimi maksimal gjatë procesit të hartimit të PPV-së.

Përsa i përket përfshirjes së diasporës në procesin e hartimit të PPV, nga ana e bashkisë do caktohet zyra e Informacionit dhe Kulturës që do merren në vazhdimësi me këtë aspekt. Gjithashtu faqja zyrtare e bashkisë Mat, do përditësohet në vazhdimësi me të gjithë hapat konkrete të ecurisë së Planit, duke siguruar kështu jo vetëm një proçes transparent por mundësi për të gjithë grupet e interesit (përfshirë diasporën) për t’ u njohur me PPV-në.