I nderuar Kryetar,

Të nderuar Shkëlqesi,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, kam nderin t'i drejtohem kësaj seance plenare të Habitat III.

Ky është një rast i veçantë edhe për mua personalisht, pasi më jepet mundësia të përfaqësoj vendin tim në një ngjarje globale, e cila organizohet vetëm një herë në 20 vjet.

Agjenda e Re Urbane, për të cilën ne të gjithë kemi për të diskutuar dhe për t’u angazhuar politikisht, nuk është vetëm një grup objektivash, por më e rëndësishmja, është një vizion i përbashkët, që do të çojë vendet tona drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky angazhim universal, që përcakton prioritetet tona afatmesme dhe afatgjata, kërkon vendimmarrje politike, si dhe një platformë efektive që i adresohet nevojave dhe interesave të njerëzve. "Leave no One Behind", mos ler askënd mbrapa, është një filozofi me të cilën ne të gjithë pajtohemi, e cila frymëzon veprimet tona drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe përfshirëse.

Me një karrierë të gjatë në dedikim të aspekteve sociale të komunitetit dhe si një aktiviste për barazinë gjinore, unë e shoh këtë Agjendë të Re Urbane si një guidë të plotë, gjithëpërfshirëse, për të gjitha vendet tona, për të reduktuar varfërinë, për të siguruar barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, për të promovuar shoqërinë përfshirëse, për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, si dhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në kuadër të zbatimit të kësaj Agjende të Re Urbane dhe të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Qeveria e Shqipërisë në vitin 2014 ndërmori Reformën Administrative Territoriale, e cila zvogëloi numrin e bashkive nga treqind e shtatëdhjetë e katër, në gjashtëdhjetë e një.

Paralelisht me këtë proces, Ministria e Zhvillimit Urban projektoi dhe miratoi kohët e fundit, Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit "Shqipëria 2030", ku shfaqet vizioni ynë për zhvillimin e qëndrueshëm në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Pas zbatimit të reformës administrative territoriale, Qeveria gjithashtu mori iniciativën për të mbështetur autoritetet vendore në hartimin e planeve hapësinore për bashkitë e reja, për të maksimizuar rolin kyç të qyteteve dhe vendbanimeve njerëzore si drejtues të zhvillimit të qëndrueshëm, si në zonat urbane, ashtu edhe ato rurale.

Rilindja Urbane është një program tjetër qeveritar që po zbatohet në Shqipëri gjatë viteve të fundit, me qëllim ri-zhvillimin e qendrave të qyteteve dhe rrethinave. Përmes Rilindjes Urbane, ne jemi duke u përpjekur të transformojmë fizionominë e qyteteve tona, të zbatojmë strategji të reja që nxisin përmirësimin ekonomik dhe social. Kjo është një qasje që, hap pas hapi, do ta bëjë më të mirë kontekstin urban dhe do të ndikojë në cilësinë e jetës së njerëzve.

Nga ana tjetër, informaliteti dhe pabarazitë rajonale në Shqipëri, janë çështje që Qeveria jonë po përpiqet t’i adresojë nëpërmjet disa ndërhyrjeve, por që ende kanë ndikim të madh në komunitet dhe në standardin e jetesës.

Nga ana tjetër, Ministria e Zhvillimit Urban po i dedikohet strehimit, jo vetëm si një objektiv, por si një çështje që lidhet me të drejtat e njeriut. Me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ne kemi përgatitur një Strategji Kombëtare të Strehimit, dhe aktualisht, është duke u finalizuar një ligj të ri për strehimin social. Të dyja këto akte do të rrisin mundësinë e qytetarëve shqiptarë për t’u afruar me strehimin e përballueshëm dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Të gjitha këto procese dhe iniciativat që kam përmendur shkurtimisht, kanë të përbashkët një qasje ndër-aktive, përmes konsultimeve intensive me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë përfaqësues nga pushteti vendor dhe qendror, nga bota akademike, nga bizneset, nga shoqëria civile dhe nga qytetarët. Kjo praktikë e mirë e ndërtuar deri më tani, pritet të konsolidohet më tej, në hapat e ardhshëm të zbatimit të Agjendës së Re Urbane, dhe do të garantojë një kontribut dhe pronësi më të gjerë nga të gjithë aktorët.

Shkëlqesia Juaj,

Shqipëria është një vend i vogël me një aspiratë të madhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, për të ndarë vlerat, historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore, si dhe harmoninë fetare. Por ne jemi ende të vetëdijshëm për sfidat komplekse që shtrihen para nesh, prandaj, ne jemi të angazhuar fort për të vazhduar reformat tona dhe për të siguruar më tej transformimin dhe progresin për qytetarët shqiptarë.

Duke u kthyer pas 40 vjet, në Konferencën e Habitat I, në Vankuver, unë do të përfundoja këtë fjalim me një mesazh të dhënë nga Nënë Tereza, një humanitare e njohur nga Shqipëria, e cila ka thënë se, varfëria nuk ka vetëm të bëjë me të qenit të varfër ose të uritur, por me të qenit të lënë pas dore dhe prapa, të papërkujdesur.

Mesazhi i Nënë Terezës është ende aktual, që do të thotë se,  misioni ynë nuk është realizuar ende. Kjo është arsyeja pse kjo Agjendë e Re Urbane është e domosdoshme për t'u zbatuar nga të gjithë ne.

Ua detyrojmë këtë fëmijëve tanë!

Ju falënderoj,

DEKLARATA E QUITO-s MBI QYTETET E QËNDRUESHME DHE VENDBANIMET NJERËZORE PËR TË GJITHË

QUITO DECLARATION ON SUSTAINABLE CITIES AND HUMANS ETTLEMENTS FOR ALL

Faqa web e organizatës Habitat III