Me datë 7 Qershor 2017, në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, u organizua një takim me një delegacion planifikuesish nga Armenia. Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues të AKPT-së dhe 25 planifikues Armenë, përfaqësues të institucioneve të niveleve të ndryshme të planifikimit, qendror, rajonal e vendor.

Synimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave të procesit të planifikimit të territorit. Nga AKPT u krye një prezantim mbi progresin që është arritur në fushën e planifikimit në Shqipëri në vitet e fundit. Theksi u vendos në hartimin e planeve të para kombëtare për zhvillimin e territorit, si Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, proces ky mjaft i rëndësishëm në vendosjen e themeleve për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Projekt i ndërmarrë nga AKPT,  i cili u pa me rëndësi nga planifikiuesit Armenë ishte edhe organizimi i 10 konkurseve ndërkombëtare për tematika të rëndësishme të zhvillimit urban në Shqipëri, të cilat janë parë jo vetëm në aspektin urban por edhe në atë ekonomik e social. Konkurset tanimë janë përmbledhur në disa botime, të cilat janë një bazë e mirë për të gjithë aktorët, lidhur me zhvillimin e zonave të ndryshme në vend.  

Prezantimi i procesit të planifikimit u mbyll me iniciativa të tjera të AKPT-së, të cilat janë të rëndësishme për pjesëmarrjen dhe informimin publik, si: dëgjesat publike të planeve kombëtare, ekspozita “Evoked” dhe ekspozita “Ditari i një hapësire”.