Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni prezantoi sot në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese ndryshimet në ligjin “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

Në fjalën e saj përpara deputetëve, anëtarë të komisionit, Ministrja Gjermeni renditi 3 ndryshimet kryesore që propozohen në ligjin ekzistues:

  1. Ndarja e data bazës së të dhënave të planifikimit të territorit nga data baza e lejeve të ndërtimit.
  2. Saktësimi i ndarjes së kompetencave të organeve të pushtetit vendor sa i përket miratimit të dokumenteve të planifikimit vendor:
  3. Mundësia e rishikimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, për ta përshtatur me ndryshimet e legjislacionit në fuqi.

Sa i takon ndarjes së kompetencave për pushtetin vendor, Ministrja Gjermeni sqaroi seShoqata e Bashkive, si përfaqësuese e eksperiencës së bashkive që janë anëtare të saj, ka sjellë në vëmendjen e Ministrisë vështirësitë që hasin Bashkitë në tejzgjatjen e panevojshme, të afateve të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV) të territorit. Kjo rezulton në një proces bllokimi për zhvillimin e territorit, dhe pamundësi për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe adekuate nevojave të popullsisë dhe kërkesave të zhvillimit të territorit.

“Nisur nga sa më lart në ndryshimet e propozuara i është lënë e drejta e miratimit të nismës për hartimin e Planit të Detajuar Vendor Këshillit Bashkiak. Në fakt ky ndryshim nuk cenon aspak rolin dhe rëndësinë e Këshillit Bashkiak apo i jep superfuqi Kryetarit të Bashkisë, por në fakt shmang një hallkë procedurale të panevojshme. Thënë kjo Këshilli Bashkiak edhe me këtë ndryshim ka rolin kryesor të monitorimit të ecurisë së hartimit të Planit të Detajuar Vendor, funksion ky që e ka kryer deri më sot, duke kërkuar PDV-të dhe dokumentacionin shoqërues nga Drejtoria Përkatëse, pa nevojën duplikimit të procedurave të miratimit / konformitetit te PDV-ve”, tha Ministrja Gjermeni.

Një tjetër element i rëndësishëm që propozohet në këtë projektligj janë dhe ndryshimet në fushën e lejeve të ndërtimit:

  1. Saktësimi në ligj të taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila llogaritet sipas ligjit për sistemin e taksave vendore, por që nuk zbatohet për rikonstruksionin e godinave. Ajo çfarë ne kemi vënë re është se në ligjin për sistemin e taksave vendore parashikohet vetëm një mënyrë e llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila për më tepër është e ndryshme nga mënyra e llogaritjes së po të njëjtës taksë në ligjin aktual. Për të eliminuar këtë mospërputhje kemi propozuar rakordimin mes të dy ligjeve. 
  2. Lejohet mundësia e shtyrjes së afatit të lejes së ndërtimit më shumë se një herë; kjo për shkak të faktit se bashkitë gjenden shpesh përpara situatave me ndërtime të papërfunduara – për shkaqe të ndryshme – dhe në pamundësi të shtyrjes së afatit, punimet qëndrojnë të bllokuara në dëm të qytetit, zhvilluesit dhe institucioneve publike që nuk mund të mbledhin taksat përkatëse.
  3. Të hiqet detyrimi i pajisjes me certifikatë përdorimi për punimet e kryera me deklaratë paraprake punimesh; bëhet fjalë për punime të brendshme shtëpie, me ndikim të ulët, që nuk nevojitet të pajisen  me certifikatë përdorimi / leje shfrytëzimi.
  4. Përshtatja e terminologjisë së përdorur në këtë ligj me atë të parashikuar nga legjislacioni për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.
  5. Përcaktimi i detyrimit ligjor që aplikimi për leje ndërtimi të kryhet vetëm përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit.
  6. Puna për rishikimin e këtij ligji erdhi si rezultat i praktikës së deritanishme të zbatimit të ligjit, si dhe sugjerimeve dhe kërkesave të paraqitura nga bashkitë, Shoqata për Autonominë Vendore dhe Shoqata e Ndërtuesve.
  7. Pas prezantimit të Ministres, Komisioni miratoi në parim ndryshimet në ligj, të propozuara nga Ministria e Zhvillimit Urban.